Drejtësia tek shteti, përballë pushtetit

Sebastian Zonja
Tentativa e parë për ta politizuar drejtësinë ishte ajo e L. Bashës. E ktheu SPAK-un në kal beteje me heshtjen e tij përballë problemeve që kishte brenda në PD.
Drejtësia është pjesë e shtetit shqiptar, jo e pushtetit. Drejtësia, gjykata dhe prokuroria, është një nga instrumentet e zgjidhjes së problemeve, ndërsa politikanët dhe partitë kanë për detyrë të ndërtojnë platforma qeverisëse dhe të denoncojnë korrupsionin e pushtetit.
Tentativa e dytë është ajo e Berishës. Nuk lë dalje televizive pa folur për kapje të saj nga Rama, duke kulmuar me protestën e tij përpara organeve të Vettingut. Berisha e ka hallin të dyfishtë, sepse Rama ja tha në parlament që amerikanët ja kanë futur këmbët në një këpucë e s’e ndihmon dot më; dhe ka problemin e “non-grata”-s, ku kërkon të negociojë statusin e tij politik.
Drejtësia është pjesë e shtetit shqiptar, jo e pushtetit.
Tentativa më e re për ta politizuar drejtësinë është ajo e kryeministrit Rama. Për t’i deligjitimuar organet e reja dhe për t’i dhënë zë një pjese të demokratëve se ajo punon me direktiva partie, Rama ka ndërmarrë një fushatë televizive duke kërkuar arrestimin e Berishës dhe Metës. Faktikisht, pyetja në këtë rast është: Sa dosje kanë bërë gati socialistët pasi morën pushtetin për abuzimet e kryera nga qeveria Berisha dhe aleatët e LSI-së në dikasteret që drejtuan? Asnjë. Pse i ndërmerr Rama demarshe të këtilla? Sepse e ka zënë një hall i madh me situatën brenda në Parti. Ngjashëm si Enveri që i zgjidhte problemet në Parti me gjykatat dhe Sigurimin e Partisë.
Sa i përket L. Bashës, përdorimi i drejtësisë si kal beteje për gjendjen e brendshme në PD tregon dritëshkurtësinë e tij si politikan. Në pamundësi për t’u përballur me Berishën, lutet si ajo delja përpara ujkut “Zot, bëje ëndërr!”, që SPAK-u t’i jap zgjidhje problemeve brenda në PD.
Rama dhe Berisha ndërkohë janë në një varkë për akuzat e tyre – nuk e kanë kaluar dot mendësinë e epokës enveriste. Berisha si leninisti më i spikatur, ku në çdo moment sheh nga një shkëndijë revolucioni, e Rama si prodhim skarco i miqësisë me kinezët, ku batutat bajate dhe nismat “gju më gju me popullin” shiten si demokracia më e vërtetë.
Drejtësia është pjesë e shtetit shqiptar, jo e pushtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

eleven − four =