Anëtarësimi në Këshillin e Europës, Parlamenti i Shqipërisë mbështet njëzëri Kosovën

Vëmendja e debatit politik në sallën plenare të Kuvendit nuk ishte në Shqipëri, por në Kosovë e rajon. Kërkesa e qeverisë kosovare për t’u bërë pjesë e Këshillit të Europës u mbështet nga të dyja kampet e politikës, por pa harruar konfliktin që karakterizon palët.

“Është gjë e duhur në momentin e duhur. Agjenda e integrimeve euroatlantike të Kosovës e ka mbështetjen e fortë, të pa kursyer të Shqipërisë. Na duhet i gjithë lobingu, mos të na ndodhi siç na ndodhi kur ishte Saliu në pushtet që kaloi një raport i Dick Martit pa e ditur fare dhe delegacioni shqiptar për turp vajti votoi atje”, tha Taulant Balla.

Sali Berisha reagoi duke akuzuar qeverinë shqiptare se ka ndikuar negativisht në procesin e liberalizimit të vizave në Kosovë, por bëri një paralelizëm të domethënies të vendimit të qeverisë kosovare.

“Domethënia e madhe është, Rusia agreson dhe natyrisht jo mike, por armike e shqiptarëve të pezullohet nga KiE, një shtet tjetër i lirë Kosova shkon drejt anëtarësimit në KiE”, u shpreh Berisha.

Situatën e shfrytëzoi edhe Lulzim Basha, për t’u rikthyer në foltore pas shumë javësh mungesë. Me një ndërhyrje të paplanifikuar, kërkoi fjalën jashtë radhe për procedurë. Duke mos hedhur sytë as majtas e as djathtas, ish-kryetari i PD-së kërkoi nga qeveria e Edi Ramës më shumë mbështetje ndaj Kosovës.

“Qeveria ta konsiderojë me seriozitet maksimal këtë moment dhe të japë të gjithë mbështetjen nga parlamenti në delegacionin tonë në asamblenë parlamentare”, deklaroi Basha.

Fjalët e Lulzim Bashës i duartrokiti Enkelejd Alibeaj ndërsa salla kishte ende të freskët jehonën e akuzave për mosmiratimin e një rezolute ku kërkohej të dënohej genocidi serb në Srebrenicë. Kërkesa ishte paraqitur nga deputetët demokratë pranë Sali Berishës.

“Refuzimi i denoncimit të genocidit serb në Srebrenicë të cilin e ka dënuar parlamenti europian, Kongresi i SHBA, çdo vend tjetër i lirë përveç Serbisë, Bjellorusisë dhe Vladimir Putinit. U bashkuat sot me ta me aktin më të turpshëm duke qenë vetë kombi që ka pësuar gjenocide ciklike nga 874 deri në vitin 1999 dhe ju çuat ata kartonë të kuq duke u bërë qenie më të zeza se kurrë në jetën tuaj”, tha Berisha.

Kërkesa e opozitarëve u rrëzua nga kartonët e kuq të maxhorancës vendim të cilin Sali Berisha doli në ballë të parlamentit për ta dokumentuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

nine + 20 =