Riaktivizohen hetimet për 21 janarin: Predha që i mori jetën Aleks Nikës dërgohet për ekspertizë

Hetimet për vrasjen e Aleks Nikës kanë kapërcyer kufjtë shqiptarë. Në një laborator në Romë të Italisë, është duke kryer një ekspertizë që pritet t’i japë një tjetër drejtim hetimeve të rihapura nga prokuroria shqiptare.

Laboratori në Romë është përzgjedhur nga prokurorët e çështjes, pasi është i kualifikuar për ekspertizë të tillë, që bën të mundur edhe përftimin e të dhënave për identifikimin e armës që ka kryer qitjen mbi të riun nga Lezha Aleks Nika.

Predha e gjetur në trupin e viktimës, ishte shkaku i hapjes së hetimeve nga prokurroia, pas referimit nga Policia e Shtetit.

Për vrasjet në bulevard janë akuzuar publikisht shumë aktorë të rëndësishëm të politikës, ish kryeministri Sali Berisha, ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ish kreu i Gardës së Republikës, etj.

Ekzaminimi i parë i kryer në një laborator në Virginia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk arriti asnjë rezultat, pasi predha ishte e dëmtuar në pjesën e vjaskave të lëna nga tyta e armës.

Sakaq, prokuroria është në pritje të kësaj ekspertize nga laboratori në Romë, ndërkohë që më parë po e njëjta predhë kishte rezultuar e pavlefshme gjatë ekspertizës së parë të kryer në Shtete e Bashkuara të Amerikës.

Hetimet për vrasjet e 21 janarit u rihapën një vit më parë pas një referimi të Policisë së Shtetit duke paraqitur prova dhe materiale të reja për hetimin.

Vrasja e Aleks Nikës mbeti pa autor dhe ajo nuk u përfshi në çështjen gjyqësore ndaj gardistëve të akuzuar për vrasje më 21 janar 2011.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

four × 1 =