Racizmi i skajshëm i ushtrisë ruse: Shqiptarët – popull i pagdhendur

Nga Thanas Mustaqi
 “Zbulimi” i pabesueshëm: “Shqipëria, pasi u bë Antiserbi, frymëzoi Ukrainën të bëhet Antirusi”
Më 1 maj 2022, e përjavshmja ZVEZDA (zvezdaweekly.ru), masmedia e themeluar nga “TV-Radio e Forcave të Armatosura të Federatës Ruse ZVEZDA”, në rubrikën e përhershme “Nyja ballkanike”, ka botuar një shkrim të gjatë, të titulluar “Humnera shqiptare” [“Allbanskaja puçina”].
Qysh në hyrje, me një përçmim të theksuar dhe racizëm të skajshëm, shkruhet: “Bota në përgjithësi ka ditur gjithmonë shumë pak për Shqipërinë prej shekujsh. E vogël, e varfër, tre të katërtat e mbuluar me male, e mbërthyer nga të gjitha anët nga tokat e fqinjëve: Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Greqia, e banuar nga një popull i pagdhendur [surovim narodom], pak njerëz ishin të interesuar, përveç ndoshta etnologëve, historianëve dhe gjuhëtarëve.”
Urrejtja e se përjavshmes shkon deri atje sa të vejë në dyshim autoktoninë e shqiptarëve dhe vjetërsinë e origjinalitetin e gjuhës së tyre.
Sipas ZVEZDA-s, Shqipëria, “me gjithë dëshirën e saj, nuk mund të mburret me shkrimtarë, artistë, poetë apo shkencëtarë të shquar, të paktën disi të njohur në botë”.
Keqdashja shkon deri atje sa të barazojnë Nënë Terezën dhe një aventurier e kloun gjerman që e quan… shqiptar: “Ndoshta shqiptarët më të famshëm ishin Agnes Gonxhe Bojaxhiu, e njohur më mirë si Nënë Tereza, e cila u shpall shenjtore nga Vatikani, dhe interpretuesi profesionist i cirkut, kllouni dhe mashtrues Oto Vite (Otto Witte), i cili pothuajse u kurorëzua si monark shqiptar në vitin 1913 pas një kryengritjeje kundër turqve”. E kush e njeh në vendin tonë Oto Vite-n?!
Ushtria ruse hedh baltë dhe mbi nobelisten: “Tereza, shqiptare nga lindja, njihet dhe kujtohet në mbarë botën në mënyra të ndryshme. E vërtetë, disa vjet pas vdekjes së Nënë Terezës, u përhapën thashetheme të këqija për të”.
Pa u zgjatur më tej, dua të nxjerr në pah dhe një marrëzi të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse, teksa bëjnë “zbulimin” e pabesueshëm se “Shqipëria, pasi u bë Antiserbi, frymëzoi Ukrainën të bëhet Antirusi” [Albanija, stav Antiserbijej, vdohnovilla Ukrainu stat Antirossijej]!
Me sa duket, ushtria ruse, duke i dhënë Shqipërisë “meritën” se paska frymëzuar Ukrainën, mund të ketë në plan të sulmojë dhe Shqipërinë. /Th. M./
Mund të jetë një imazh i 3 persona, ambiente të jashtme dhe teksti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

18 − seventeen =