Konferenca e Kryetarëve është mbledhur për çështjen e Presidentit të ri. Deputetja demokrate Flutura Açka iu drejtua përfaqësuesve të mazhorancës, duke iu thënë se e kanë bërë “pis” procesin.
Sipas saj, PS e ka zgjedhur presidentin. Açka tha se socialistët kanë vetëm dy kritere: komunist ose lëpirës dore.
“Këtu duhet të kishit kërkuar një ndjesë publike për mënyrën se si e zgjodhet Presidentin e kaluar. Nga ana tjetër atë procesin e zgjedhjes më zarfe të Presidentit duhet të mos na e kishit bërë publik. Sipas llogarisë na dalin 250 presidentë sipas jush. Ndaj ky si proces është bërë pis. Ju keni vendosur ta uzurponi poziconin e Presidentit. Ju e keni zgjedhur Presidentin dhe na doni këtu si ‘buzëkuq’ për tu dukur të bukur. Ju keni vetëm 2 kritere, ose komunist ose lëpirës dore”, tha Açka.
Kjo e fundit u ndal edhe te sulmet që socialistët i kanë bërë Ilir Metës. Nisur nga kjo, Açka tha se PS duhet të kërkonte ndjesë për mënyrën sesi e zgjodhi Metën si president dhe më pas të vazhdonte me procedurat.
“Më kujtohet zgjedhja e Presidentit të parë, me një të rënë të dorës, u zgjodh në raundin e tretë. Në fund të fundit jemi këtu për të sjellë sadopak frymën evropiane. Kam frikërat e mia në këtë pikë. E shatë, e bëtë, hëngrët ngjala, e sollët, e bëtë President, e shatë prapë, e çuat në Kushtetuese. Ju duhet të kërkonit ndjesë për zgjedhjen e presidentit aktual e më pas të vijonit. Nuk mjaftoi kaq, por hapët një proces që e shitët si proces të mbyllur”, shtoi deputetja.