Për ‘hotelet’ reagon Autoriteti i Konkurrencës: Ulni çmimet ose gjobiteni

Autoriteti i Konkurrencës ka reaguar pas rritjes drastike të çmimeve në hotele, me rastin e finales së “Conference League” në Tiranë më 25 Maj.

Në një reagim, autoriteti i bën thirrje hoteleve të ofrojnë shërbimet për tifozerinë me çmim të arsyeshëm dhe të mos anulojnë rezervimet e hershme me qëllim rishitjen e tyre më çmime më të larta.

Autoriteti i Konkurrencës ka paralajmëruar gjoba për ato subjekte që nuk i përmbahen detyrimit dhe kërkesës.

Një natë qëndrimi në hotelet e kryeqytet në një dhomë, do t’i kushtojë tifozit nga 600 deri në 9 mijë €. Rritja erdhi fill pas shpalljes së dy skuadrave që do të përballen në “Air Albania”, Roma dhe Feynoord.

Ndërkohë, disa ditë më parë gazetat italiane raportuan një problem tjetër. Tifozëve të Romës iu ishin anuluar fluturimet dhe rezervimet në hotele dhe më vonë iu ishin ofruar po të njëjtat rezervime, por me çmime më të larta,

Reagimi i autoritetit:

Nisur nga disa informacione shqetësuese në media në lidhje me rritjen e menjëhershme të çmimeve nga ana e ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e hotelerisë apo akomodime të tjera të ngjashme  në qytetin e Tiranës, në kuadër të ndeshjes finale të Ligës së Konferencës midis skuadrave Roma-Feyenoord, e cila do të zhvillohet në Tiranë në datën 25 maj 2022, Autoriteti i Konkurrencës vendosi monitorimin e këtij tregu.
Nga monitorimi i platformave online që ofrojnë rezervime ambientesh fjetje si dhe nga monitorime në terren u identifikuan çmime tepër të larta për datat 23-25 maj 2022, krahasuar me periudha të tjera të vitit.
Autoriteti i Konkurrencës  iu kërkon ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e  fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme  në qytetin e Tiranës:
–          të ofrojnë shërbime me çmime të arsyeshme, të orientuara drejt kostos;
–          të mos anulojnë rezervimet e hershme me qëllim rishitjen në minutën e fundit me çmime disa herë më të larta.
Autoriteti i Konkurrencës iu bën me dije ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e  fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme  në qytetin e Tiranës që, nëse në përfundim të hetimit rezulton se rritja në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar e çmimit të shërbimit të fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme do të gjendet në kundërshtim me dispozitat e ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, shkelësit e ligjit do të ndëshkohen me gjoba deri ne 10% të xhiros së vitit financiar paraardhës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

20 − 11 =