Banda e grabitësve të pallatit

Nga Enver Robelli
Pallati i presidentit turk Rexhep Taip Erdoan i ka 1150 dhoma. Ka kushtuar, supozohet, 400 milionë euro. Pallati ka edhe një xhami. Kjo xhami ka një magazinë. Në magazinë ruhen mijëra lodra për fëmijë, të cilat presidenti ua dhuron fëmijëve kur shkon për vizitë në qytete të ndryshme të Turqisë. Turqia është vend i madh!
Nga magazina e xhamisë së pallatit disa punëtorë të administratës së zyrës presidenciale dyshohet se kanë vjedhur plot e përplot lodra, të cilat ua kanë shitur me çmime të volitshme dyqaneve në Turqi. Për këtë ka raportuar portali T24. Hetimet kanë filluar. Dëmi llogaritet të kap shumën prej 60 mijë euro. Për të fshehur gjurmët, shitësit e kanë investuar fitimin në kripto-valuta. Hajdutë të mençur! Tetë zyrtarë dyshohen për vjedhje, njëri e ka pranuar deliktin.
Në pallatin presidencial ka gjithçka: një bibliotekë, zyra të administratës, një qendër kongresesh, bunkerë të sigurt ndaj armëve bërthamore, kabinete, dhoma të sigurta nga përgjimet, garazhe të mëdha (dhe të vogla dhe të mesme), salla për bankete dhe ballo, parqe, ahure për kuaj, kinema.
Ak-Saraj, pallati i bardhë, kështu quhet selia e presidentit turk që synon të lë nën hije Hofburgun e Vjenës, Pallatin Buckingham, Pallatin Élysée, Shtëpinë e Bardhë të Washingtonit po se po. Krejt madhështia e pallatit në Ankara tash zvetënohet nga disa grabitës të veturave të vogla për fëmijë. Një komedi “alla turca”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

eleven − eight =