Zgjerohet terreni i arrogancave dhe politikave të gabuara

Nga Aleksandër ÇIPA-

Tensioni aktual gjeopolitik në Botë ka shkaktuar lëkundje të fuqishme politike në gjithë sistemin ndërkombëtar. Dy fuqitë më të mëdha globale, përkatësisht SHBA dhe Kina kanë hyrë në një fazë kritike në marrëdhënien mes tyre dhe në përcaktueshmërinë e gjendjes së sistemit apo rendit aktual ndërkombëtar. Perspektiva e këtij të fundit, pra rendit global, është bërë edhe më e paqartë. Ndërkohë që asimetritë e projektuara dhe në zhvillim, mes këtyre fuqive dhe partneriteteve ndërkombëtare, kanë shumëfishuar tejet shqetësueshëm risqet, veçanërisht rajonale dhe mes etnive në krejt arealin ndërkombëtar.

Dy fuqitë e mëdha, SHBA-Kinë, në varësi të pozicionimeve që kanë ndarë dhe ndajnë, përthellueshëm vijojnë diversifikimin e modelit vetiak dhe atë të influencimit. Në kontekst me konfliktin më të madh aktual, atë mes Rusisë dhe Ukrainës dhe brenda aktualitetit të sotëm të shtytimeve dhe qëndrimeve reale diplomatike e ushtarake, subjekti i këtij relacioni të dy fuqive strategjike është bërë më kompleks.

VCG

VCG

Përplasjet verbale dhe ato zyrtare mes Pekinit dhe Uashingtonit vijojnë të shtojnë shqetësimin ndërkombëtar. Marrëdhënia e tyre me Moskën është e ndryshme dhe në pozita pa përkime. Për këtë arsye axhendës së papajtueshmërisë së tyre u është shtuar edhe qëndrimi i përkundërt që ndajnë për përfshirjen apo mosangazhimin në situatën e konfliktit në Ukrainë. Departamenti Amerikan i Shtetit ka kritikuar dhe ende e kritikon “neutralitetin e Kinës të prirur ndaj Moskës” si dhe ka ripërsëritur paralajmërimet se Uashingtoni do të ndërmerrte veprime kundër Kinës nëse vendos të mbështesë përfundimisht Rusinë. Zëdhënësi i Departamentit Price madje theksoi javën e shkuar se:”…kemi dëgjuar disa nga zyrtarët më të lartë të Kinës të përsërisin disa nga propagandat më të rrezikshme që kanë dalë nga Kremlini”.

I shpejtë dhe kundërthënës ishte reagimi zyrtar i Kinës se, shtetërisht ndan një pozicion të “ paanshëm, objektiv dhe i paqortueshëm” dhe se “dezinformimi” i Shteteve të Bashkuara për Pekinin nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit ukrainas”.

Replikat diplomatike mes dy fuqive për pozicionim të përkundërt në raport me luftën dramatike në Ukrainë, janë pjesë kockore e akuzave reciproke propagandistike.

Pekini zyrtar përmes zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme, deklaroi se është forcuar mbështetja retorike për Rusinë dhe duke shtuar se Kina dhe Rusia “angazhohen për zhvillimin e një modeli të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare”. Në konceptin e përbashkët të këtij modeli përfshihet mos-shkaktimi i konfrontimeve apo kërcënimeve të kombeve të tjera.

Koncepti kinez në këtë aspekt atakon Perëndimin dhe sidomos “mentalitetin e Luftës së Ftohtë” të shfaqur në disa vende në bashkëpunimin e SHBA-ve me blloqe si NATO, duke e konsideruar me konsistencë zgjerimin e saj si shkak që coi në sulmin e Rusisë mbi Ukrainën.

Më herët Presidenti amerikan Biden e paralajmëroi Presidentin Xi Jinping për “implikime dhe pasoja” në rast të mbështetjes kineze ndaj pushtimit moskovit të Kievit.

Zhang Jun

Zhang Jun

Zyrtarisht Kina rikonfirmon vijueshëm qëndrimin e prerë kundër luftës dhe mosndihmesën për kapërcim sanksionesh, por konsiston në miqësinë “pa kufij”. Në këtë kuadër apeli kinez ndaj SHBA-së mishërohet përmes ftesës për bashkëpunim për arritjen e paqes në Ukrainë. Madje në këtë ftesë, qasja lidhet edhe me statusin e të dy fuqive si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. “Përparësia tani është shtimi i përpjekjeve për të nxitur armëpushimin dhe ndërprerjen e armiqësive,” tha përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB Zhang Jun në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për problemin e Ukrainës.

Beteja propagandistike mes dy fuqive përgjatë katër muajve të fundit ka vijuar përgjatë një trajektoreje në ngritje. Akuza të ndërsjella dhe publikime të ndryshme faktesh dhe statistikash.Pekini zyrtar i kujtoi Uashingtonit së fundi, se SHBA-të kanë zhvilluar luftëra në Irak, Afganistan dhe Siri, duke vrarë 335 000 civilë, duke nënvizuar se:” Ky nuk është lajm i rremë”.

Nga ana e tyre mediat amerikane kanë shtuar akuzat ndaj Kinës e cila sipas tyre vazhdimisht ka refuzuar të kritikojë Rusinë për veprimet e saj në Ukrainë. Mes dy fuqive shkëmbehen prej kohësh akuza për raportime të rreme.

VCG

VCG

Mirëpo Uashingtoni këmbëngul me paralajmërimin për “implikime dhe pasoja”, duke nënkuptuar që Kina edhe pse pretendon pozicionin e paanshëm përballë konfliktit Rusi-Ukrainë, rishtazi është nga ana e Rusisë.. Përkundër këtij paralajmërimi amerikan Kina dhe Rusia, përmes dy ministrave të jashtëm të tyre në ditën e fundit të muajit mars të këtij viti,( në takimin e tyre në Kinë), shprehën gatishmërinë për t’i sjellë marrëdhëniet dypalëshe në një nivel më të lartë, në atë që e quajtën “epokën e re”. Madje ministri rus Lavrov deklaroi se të dyja vendet ishin të gatshme t’i japin fund hegjemonisë së SHBA dhe të krijojnë një rend të ri botëror “multipolar, të drejtë dhe demokratik”.

VCG

VCG

Situata në përshkallëzim në Ukrainë, pasojat e rënda njerëzore, efektet shumëplanëshe në tregjet globale të energjisë, shkëmbimit tregtar dhe prodhimeve bujqësore dhe industrial, kanë njëherazi edhe një situatë komplekse përsa i përket konfliktit propagandistik mes dy fuqive të mëdha. Në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sidomos në situata konfliktesh dhe provokimesh të mundshme për zgjerime vatrash, beteja e ndezur dhe zjarri që shtohet prej propagandës politike,( aq më tepër kur përfshin makinat e rënda të retorikës së fuqive), u shton terrenin arrogancave dhe politikave të gabuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

2 × 5 =