“Europa” po i ndan shqiptarët (!)

Bashkimi Evropian apo Europian?
NGA ARISTOTEL SPIRO

Që kur kështjella e pamposhtur komuniste u shemb e u shpërbë si një ngrehinë prej rëre, morën krahë ëndrrat e shqiptarëve për t’iu bashkuar botës së lirë. Por meqë përfytyrimi ynë për botën e lirë formësohej kryesisht nga filmat amerikanë të dubluar italisht dhe nga festivali i Sanremos, kjo s’kishte se si të mos ndikonte edhe në përfytyrimin gjuhësor për gjeografinë e lirisë.

Kështu, në mjedise publike krahas formës së shkruar «Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa», shpërtheu dhe forma «rebele» *«Europë»: https://web.facebook.com/watch/?v=3660761297351868. Por nuk ishin vetëm «çunakët» e këngës që emrin e kontinentit të vjetër e njihnin përmes RAI-t, por edhe politikanët e dalë nga lëvizja studentore.

Dhe megjithëse do të pritej, pra, që ajo shenjë me dy gishtat ngritur lart në formë V-je të ndikonte sadopak në ruajtjen e ruajtjen e bashkëtingëllores V tek emri «Evropë», po ndodhte në disa raste e kundërta. Emri i kontinentit të vjetër shfaqej jo me V por me U: «Europa»: http://ata.gov.al/2020/12/08/8-dhjetori-90-shehu-per-atsh-e-duam-shqiperine-si-gjithe-europa-aktuale-ne-shqiperi-duhet-perseritur/.
Kështu, Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, përveç brengave të zakonshme që po kalonte në përpjekjet për ngulitjen e normës gjuhësore, iu shtua dhe një «brengë» e re: krijimi i një dysori leksikor, që shfaqej si luftë midis formës së shkruar «Evropë», të vendosur nga Kongresi i Drejtshkrimit dhe formës së pashkruar *«Europë» të nyjëtuar nga protagonistët e rinj të shesheve dhe foltoreve. Kjo formë e re dilte jo vetëm në rasën emërore, por merrte ndonjëherë edhe forma interesante në rasat e zhdrejta: *Europën, *Europs. Por në emër të lirisë çdo gjë justifikohej.

«Yjet» e reja të politikës dhe muzikës së lehtë, edhe pse bënin zgjedhje gjuhësore pa i ditur hallet e gjuhës dhe drejtshkrimit, u bënë papritmas frymëzuesit e një semiologjie të re.
U bë modë të thoshe *«Europë», me atë mënyrë që flet «udhëheqësi i madh», ashtu siç këndon «ylli» i këngës. E «Drejtshkrimi» trishtohej tek shihte këto. E, bashkë me të, edhe dhe gjithë ata miliona përdorues që i besojnë një norme drejtshkrimore të sprovuar.

U ngritën gjer edhe shkolla, universitete, spitale e klinika me përbërësin «*Europa»/«*europian». Paraja që «hedh ujin përpjetë», mund të ndryshojë edhe drejtshkrimin.
Për rregullat e «Drejtshkrimit» u kujdesën vetëm përdoruesit e zakonshëm, ata që janë bartësit dhe ruajtësit e ndjenjës gjuhësore të shqipes. Ata që i besojnë një kodi të njësuar komunikimi.
Por, si për ironi të fatit, megjithë flijimin normativ në altarin e fonetikës latine, ajo dëshirë e zjarrtë për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa jo vetëm që nuk u plotësua, por po kthehet në një makth pa mbarim.

Prandaj ndonjëherë më zë veshi ca thashetheme se nuk është më faji i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, por i Evropës, që ka hallet e veta dhe nuk ka nge të merret me zgjerimin, duke na akuzuar pa të drejtë.
Prit, them, me vete. Mos vallë paskan të drejtë?
Ky dyshim më vë më shumë në mendime. Hap visin internetik të Bashkimit Evropian dhe shoh trajtën «Evropë».
Hap visin internetik të Qeverisë Shqiptare dhe shoh trajtën «Europë»!

“Europa” po i ndan shqiptarët (!)

Nuk mund t’u besoj syve.
Atje në Bruksel paska një rregull për të zbatuar të gjitha rregullat. Dhe këtu hyn edhe «Drejtshkrimi i gjuhës shqipe», i cili përbën në të vërtetë ligj për shtetin shqiptar dhe për këdo që shkruan shqip, të paktën në formën zyrtare.

Mirëpo, nëpër shkresat e Qeverisë Shqiptare nuk zbatohet ligji drejtshkrimor i shtetit të vet! Unë nuk e di se cili këshilltar gjuhësor jep këshilla për të shkelur rregullat drejtshkrimore. Ndoshta dikush atje lart ka preferencat e veta ligjërimore dhe mund të vendosë në bazë të tyre. Vetëm se kjo duhet bërë me një ligj, i cili ende nuk ekziston. Për fat të mirë, emri i Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë është «Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme».
Ndoshta ka edhe gjuhëtarë – dhe pa dyshim që ka! – të cilët mendojnë se «*Europë»/«*europian» është më sistematike sesa «Evropë»/«evropian», pa e ditur se argumenti i sistematicitetit në pikëpamje gramatologjike nuk është i mjaftueshëm. Ose është po aq i mjaftueshëm sikur të thosha se [ev] është zhvillim i diftongut [eu], dhe shkrimi me [eu] përfaqëson një kthim prapa në kohë, pa le të tingëllojë ky argument si një ushtrim sofizmi.

Shteti është ai entitet konservues, që sidomos në çështje të ruajtjes së kodit gjuhësor nuk mund të tregohet inovativ. Sepse çdo prekje e këtij kodi ka menjëherë pasoja negative në ndërgjegjen gjuhësore të folësve dhe shkruesve të gjuhës.
Vlerat e vërteta që do të na çojnë drejt Evropës janë respektimi i ligjeve dhe puna për të krijuar dhe ruajtur vlerat ekonomike, kulturore, kombëtare, shoqërore. Dhe këtu bën pjesë edhe sjellja jonë gjuhësore.
«Europa» po i ndan shqiptarët!
Por ajo nuk është një ndarje që vjen nga Evropa, por nga vetë shqiptarët, më saktë nga një pjesë e tyre, që rendin drejt një ndryshimi formal sipërfaqësor, i cili gjithsesi nuk mund të mbulojë thelbin kompleks problematik që ka mbërthyer jetën publike shqiptare.

***

Profesor Aristotel Spiro është një nga bashkëpunëtorët e Vox News. Artikulli botohet me lejen e autorit për Voxnews.al dhe Veritas et virtus

Leave a Reply

Your email address will not be published.

five × 5 =