Video/ Policia ndjek si në filma shoferin që aksidentoi çiftin dhe fëmijën e tyre. 39-vjeçari shkelës sistematik i rregullave të qarkullimit

Policia ka publikuar pamjet e ndjekjes së 39-vjeçarit Ajas Sulejmani, i cili mesditën e sotme aksidentoi çiftin e bashkëshortëve dhe fëmijën e tyre. Ngjarja ndodhi në rrugën e Kavajës, kur drejtuesi i mjetit “G-Class” hyri me semafor të kuq në vijat e bardha duke përplasur tre personat.

Sulejmani u arrestua në një spital privat disa orë pas arratisjes nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia në një njoftim bën të ditur se shoferi ka qenë shkelës sistematik i rregullave të qarkullimit rrugor.

Sipas bluve të kryeqytetit, Sulejmani është ndëshkuar tetë herë, shumicën e rasteve për shkelje të sinjalizimit rrugor, shkelje semafori dhe mospërdorim të rripit të sigurimit.

“Drejtuesi i automjetit me targa të huaja, shtetasi me iniciale A. S., 39 vjeç, i dyshuar si autori që shkaktoi aksidentin me këmbësorët, në Rrugën e Kavajës, është ndëshkuar 8 herë nga efektivet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nga të cilat disa herë për shkelje të sinjalizimit rrugor, shkelje semafori dhe mospërdorim të rripit të sigurimit.

Gjithashtu, ky shtetas është ndëshkuar disa herë, me bllokues gomash, për shkak të parkimeve në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në rrugët e kryeqytetit.

Po ky shtetas  është shoqërur tre javë më parë në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, po me këtë automjet, për verifikim nga strukturat e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe pasi është verifikuar, është proceduar për shkeljen e dispozitave të Kodit Rrugor”, thotë policia.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

11 + thirteen =