U shkarkua nga KPK, Ndoj në një festë në fshatin e origjinës

Arjan Ndoj është shfaqur në një festë lokale në fshatin e tij të origjinës në Luf të Pukës, 24 orë pas shkarkimit si prokuror nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Ai deklaroi se vazhdon të jetë sërish magjistrat dhe të marrë rrogën si prokuror, pasi shtoi se ai dhe familja e tij nuk janë mësuar të marrin lekë pa punuar.

“Unë vazhdoj të jem magjistrat prapë sot. Për bashkëkombasit e mi, e dinë që familja ime nuk është mësuar me fituar lekë pa punuar. Vazhdoj të marr prapë rrogën. Jam prapë prokuror. E rëndësishme është që jam prej këtij vendi dhe jam krenar që jam prej këtij vendi.

Na ka rënë barra përsipër që edhe të presim miq por edhe të luftojmë. Historia për brezat e rinj duhet njohur për tre arsye. E para nëse është e mirë mos e me e prishur. Po nuk munde të bësh gjë tjetër ta lësh ashtu si është, dhe më e mira e mundshme është që duke e njohur atë kush është i zoti ta çojë përpara”, deklaroi ai.

Prokurori Ndoj u shkarkua me unanimitet të plotë nga trupa pjesëmarrëse në veting, e cila përbëhej nga gjyqtarët Olsi Komici, Xhensila Pine dhe Firdes Shuli.

Magjistrat që prej vitit 2002, emri i prokurorit Ndoj doli për herë të parë në skenë në nëntor të vitit 2019, moment kur ai mbeti i plagosur gjatë një atentati me armë të ndodhur në autostradën Durrës-Tiranë, në vendin e quajtur “Mbikalimi i Shkozetit”, ndërsa po udhëtonte sipas policisë në shoqërinë e një personi me precedentë penalë.

Pas atentatit, KLP kërkoi hetim disiplinor ndaj Ndojës për sjellje që bien në kundërshtim me statusin e magjistratit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

four × three =