Si dështoi kanabisi mjekësor në Maqedoninë e Veriut si model zhvillimi

Në vitin 2016, në Maqedoninë e Veriut hyri në fuqi ligji për kontrollin e drogave narkotike, ku lejohej kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore, por ndërkohë ligji lejoi vetëm eksportin e vajit të kanabisit.

Nga 67 kompani që u licencuan për të bërë përpunimin e ekstraktit (vajit) të kanabisit, një pjesë e madhe e të cilave ishin nga Shqipëria, vetëm 5 prej tyre mbijetuan, dhe vetëm njëra nga to eksporton ekstraktin.

Eksperti i ekonomisë nga Maqedonia e Veriut, Abil Baush, tha se, “nga një sektor që do sillte 100 milionë euro të ardhura në buxhet me qindra të punësuar, përfunduam me 2 milionë euro shitje të vajit kanabis në vit dhe me shumë pak të punësuar në këtë sektor”.

Kompanitë që mbollën, i kanë depot të mbushura me lulet e kanabisit, pasi me ligj, ato duhen të eksportojnë vetëm vaj. Investimet për laboratorin e vajit kërkojnë më shumë se 5 milionë euro dhe vetëm një nga 60 kompanitë që e morën licencën arriti të prodhojë vaj sipas kërkesave të ligjit”.

Burime të tjera nga Maqedonia e Veriut, pohuan se shumë prej kompanive që prodhuan kanabis në mënyrë të ligjshme e shitën në tregun e zi, në mënyrë që të mbulonin shpenzimet e kultivimit. Shembulli më i afërt tregon se, kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore në vende ku lulëzon tregu i zi e ka të vështirë mbijetesën. Në të njëjtën situatë janë edhe bizneset e licencuara në vende të tjera.

Një analizë e Cato Institute në SHBA gjeti se numri i përdoruesve të kanabisit në moshat e reja ishte rritur me 22% pas legalizimit, ndërkohë që çmimet në pikat e shitjes nuk ishin ulur në mënyrë të dukshme. Ndërkohë që shumë shtete nuk morën të ardhurat e pritshme nga taksat, pasi ende në shumë prej tyre nuk lejohet shitja me pakicë në mënyrë që të vilet akciza.

Vendet që kanë lejuar kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore po përballen me problematika të paparashikuara. Në Kaliforni, për shembull, në vitin, Departamenti i Kontrollit të Kanabisit vërejti se kishte rritje të kriminalitetit që kishte lidhje me njësitë e ligjshme.

Abil Baush: Kanabisi mjekësor nuk e rriti vlerën në ekonominë e Maqedonisë së Veriut

Nisma për kultivimin e kanabisit mjekësor në Maqedoninë e Veriut në vitin 2016, me qëllim përmirësimin e punësimit dhe të ardhurave buxhetore, nuk rezultoi efikase.

Eksperti i ekonomisë nga Maqedonia e Veriut, Abil Baush, shpjegoi në një intervistë për Monitor arsyet se pse nisma për legalizimin e kanabisit mjekësor për përfitim ekonomik “dështoi”

Zoti Baush, prej vitesh, qeveria e Maqedonisë së Veriut ka legalizuar kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, si një alternativë për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë. A ia ka arritur qëllimit kjo nismë në aspektin e përfitimit ekonomik?

Ligji për kontrollin e drogave narkotike dhe substancave psikotropike në Republikën e Maqedonisë së Veriut hyri në fuqi në vitin 2016, nga atëherë VMRO si parti në pushtet.

Pastaj u soll për modifikim në procedurë parlamentare në vitin 2019 nga LSDM, por nuk u miratua, sepse Parlamenti u shpërbë dhe u zhvilluan zgjedhje parlamentare. Këtu te ne, biznesi me ekstraktin e kanabisit u perceptua më shumë si premtim parazgjedhor se sa në fakt kishte ndonjë ndikim në ekonominë e vendit.

Nga 67 kompani që u licencuan për të bërë përpunimin e ekstraktit (vajit) të kanabisit, mbijetuan vetëm 5 prej tyre, dhe vetëm njëra nga to eksporton ekstraktin. Nga një sektor që do të sjellë 100 milionë euro të ardhura buxhetore dhe me qindra të punësuar përfunduam me 2 milionë euro shitje të vajit kanabis në vit dhe me shumë pak të punësuar në këtë sektor.

Vlen të theksohet se tani, këto kompani i kanë të mbushura depot me lulet e kanabisit, që paraqesin shpenzime për kompanitë, sepse ato e kanë të ndaluar me ligj të shiten ose eksportohen.

A ka ndikuar kjo politikë në thithjen e investimeve të huaja, në rritjen e punësimit dhe të ardhurave shtesë në ekonomi?

Në fillim, kjo nismë u paraqit si tërheqëse e IHD-ve (investimeve të huaja direkte), gjë që nuk ndodhi. Kompania e parë që nisi të përpunojë vajin e kanabisit filloi me investitorë nga SHBA, por ky investitor nuk e paraqiti asnjëherë identitetin e tij, gjë që la dyshime të shumta në biznesin me këto lëndë narkotike.

Kompanitë farmaceutike serioze vendase asnjëherë nuk paraqitën interes për të investuar në këtë sektor të ri, gjë që ishte tregues i qartë se diçka nuk është në rregull. Vlen të përmendet se edhe procedurat ligjore dhe hapja e këtyre kompanive janë aq shumë të paqarta sa që shumë FDI nuk do kishin pranuar të investojnë.

A i ka shfrytëzuar Maqedonia e Veriut të gjitha avantazhet e saj të zhvillimit të ekonomisë deri sa arriti te shfrytëzimi i kanabisit si mundësi?

Për fat të keq, Maqedonia e Veriut, edhe ato avantazhe që i ka pasur ndonjëherë, i ka humbur. Në sektorin e përpunimit të metaleve, në sektorin e bujqësisë, sektorin tregtar dhe tani në IT i kemi humbur të gjithë avantazhet në dallim prej shteteve përreth.

Me luftën në Ukrainë-Rusi, tregu i përpunimit të metaleve dhe eksportin në vendet që i përmenda dhe me shtrenjtimin e çmimit të energjisë e humbim dhe tregun europian që ka qenë një ndër sektorët kryesorë që mban balancën tregtare në vendin tonë. Produktet bujqësore që i eksportonim në Rusi dhe Ukrainë tani më i kemi të ndaluara.

Kështu që për të përdorur infrastrukturën aktuale do duhet të fillojmë të investojmë në tregje të reja dhe të modernizojmë bujqësinë me pajisje të sofistikuara dhe moderne. Për 30 vite, aq sa ekziston si shtet Maqedonia e Veriut, në asnjë moment nuk ka shpenzuar në investime kapitale më shumë se 40% nga ajo që është e planifikuar nga buxheti vjetor i shtetit.

Kështu që korridori 8 dhe 10, lidhja hekurudhore me Republikën e Bulgarisë dhe Shqipërisë është një ndër prioritetet kryesore që të mundësojë lëvizje më të shpejtë të mallrave dhe njerëzve.

Në këtë drejtim, Maqedonia e Veriut, prej gropës së zezë të Ballkanit mund të transformohet në udhëkryq serioz për thithjen edhe të IHD-ve (investimeve të huaja) edhe vend atraktiv për produktet që i prodhon.

Sa kosto ka investimi në fermat e kanabisit në krahasim me kulturat e tjera bujqësore?

Për të ndërtuar një laborator për prodhimin e vajit të kanabisit, minimalisht do duhet një investim prej 1 deri në 5 milionë euro dhe sipërfaqe tokë bujqësore prej 18.000 m², ky është investimi bazë që mund ta bëjë një kompani.

Në krahasim me kulturat bujqësore, është më e shtrenjtë, sepse në këta laboratorë së pari përdoret forcë punëtore e kualifikuar e pastaj mënyra e kultivimit të kësaj peme është në kushte laboratorike. Nëse investohet, të themi, vetëm në produkte si vishnje ose mjedra, mundësia është më e madhe për përfitim.

Së pari nuk ka barriera ligjore dhe së dyti, kërkesa për këto dy produkte është shumë më e madhe në tregjet europiane se sa vaji i ekstraktit të kanabisit.

A keni dijeni se çfarë profili kanë kompanitë që kanë investuar (disa nga Shqipëria) dhe a ishte një biznes fitimprurës për ta?

Në Maqedoninë e Veriut, janë të regjistruara gjithsej 67 kompani me licencë për kultivimin e kanabisit, por vetëm 34 janë aktive. Nga këto që janë aktive, vetëm 5 prej tyre përpunojnë vajin e kanabisit dhe vetëm 1 kompani eksporton.

Tani nga kjo e dhënë mund të vërehet sa fitimprurëse ka qenë për to investimi në sektorin e përpunimit të kanabisit. Unë personalisht nuk kam dijeni për investitorë nga Shqipëria, por e di se ka të interesuar të marrin licenca për të filluar me këtë biznes e që nga ana tjetër, me depot me lule kanabisi, që i kanë të mbushura, është tregues për rentabilitetin e kompanive, më duket si një situatë paradoksale./Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published.

one × 2 =