Shkencëtarët pretendojnë se kanë mësuar sekretin e flirtit

Shkencëtarët që studiojnë flirtin pretendojnë se kanë mësuar se çfarë duan burrat dhe gratë.

Derisa disa njerëz kanë sukses në flirtim, të tjerë dështojnë kur bëhet fjalë për të biseduar me dikë.

Por, një studim nga një ekip në Norvegji ka gjetur se gratë duan burra bujarë dhe të përkushtuar, derisa humori është arma më e fortë e flirtimit për të gjithë.

Meshkujt me sa duket preferojnë një grua që duket e disponueshme seksualisht dhe qesh me shakatë e tyre.

“Ajo që është më efektive varet nga gjinia juaj dhe nëse qëllimi i flirtit është një marrëdhënie afatgjatë apo afatshkurtër,” tha Leif Edëard Ottesen Kennair, profesor në Departamentin e Psikologjisë të Universitetit Norvegjez të Shkencës dhe Teknologjisë.

Ai tha se flirtimi përfshin sinjale të ndryshme që njerëzit i dërgojnë njëri-tjetrit, shkruan Independent.

“Burrat dhe gratë flirtojnë të dy për të tërhequr vëmendjen e një partneri të dëshiruar dhe ndoshta për të arritur një rezultat seksual ose romantik prej saj”, u shpreh ai.

Sipas studimit, gratë që thjesht duan një marrëdhënie jetëshkurtër duhet t’ia sinjalizojnë këtë qartë partnerit të mundshëm, ndërkaq kontakti miqësor si përqafimi ose një puthje në faqe nuk funksionon në këtë kontekst.

“Njerëzit i konsiderojnë sinjalet se jeni në dispozicion seksualisht si më efektive për gratë që kërkojnë një marrëdhënie afatshkurtër”, tha Kennair.

Sidoqoftë, një taktikë krejtësisht e ndryshme funksionon në një kontekst tjetër.

Studiuesit thanë se meshkujt që duan partnere për një periudhë më të gjatë kohore, ndoshta për gjithë jetën, nuk duhet të duken si dorështrënguar apo si dikush që preferon të ndryshojë partnere shpesh.

“Njerëzit mendojnë se humori, ose aftësia për të bërë një person tjetër të qeshë, është më i efektshmi për meshkujt që kërkojnë një lidhje afatgjatë. Është më pak e efektshme për gratë që kërkojnë një qëndrim për një natë por të qeshësh me shakatë e tjetrit është një taktikë efektive flirtimi për të dy gjinitë. Nuk është vetëm efektive të jesh qesharak, por për gratë është shumë e rëndësishme që t’i tregosh partnerit tënd të mundshëm se mendon se ka humor të mirë”, u shpreh tutje profesori.

Studiuesit sugjeruan se humori ishte diçka që të gjithë duhet ta vendosnin në paketën e veglave të flirtimit, por ndoshta nuk duhet të fillonin me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

17 + three =