Ish-zëdhënës i NATO-s: Vuçiçi duhet të zgjedhë mes BE-së dhe Rusisë, s’mund të ulet më në dy karrige

Ish-zëdhënës i NATO-s, Jamie Shea ka thënë se Bashkimi Evropian më në fund e ka kuptuar që vendet e Ballkanit duhet të pranohen urgjentisht në BE pas agresionit rus në Ukrainë, derisa ka shtuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duhet të zgjedhë mes BE-së dhe Rusisë, “nuk do të jetë më e mundur të ulesh në dy karrige”.

“Politika e kaluar ishte e keqe, e vuri të gjithë përgjegjësinë për anëtarësim në kurrizin e vendeve të rajonit, BE-ja duhej të ndihmonte më shumë dhe të ishte më aktive në ndihmën e transformimit”, tha Shea në një intervistë për mediumin kroat Index.rh.

Sipas tij, tani kemi sërish shumë aktivitete, “shohim se kancelari gjerman Olaf Scholz organizoi një takim mes presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock pati një turne të madh në rajon. I dërguari i SHBA-së Gabriel Escobar është gjithashtu aktiv. Perëndimi tregon se Ballkani është sërish i rëndësishëm për të”.Shea theksoi se Bashkimi Evropian duhet të zhvillojë një qasje më fleksibël dhe t’u sigurojë disa vendeve kandidate disa përfitime nga anëtarësimi, veçanërisht në aspektin ekonomik.

“Pra, procesi i anëtarësimit do të ishte gradual, për të shkuar në atë rrugë drejt integrimit. Disa në Bruksel mendojnë se është e nevojshme të ndryshohen traktatet bazë të BE-së, gjë që nuk është asnjëherë e lehtë, por çështja është se po kërkohet një zgjidhje”.

“Vendimi i takon Vuçiç-it”

Ai mendon që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duhet të zgjedhë ose të rreshtohet krahë Perëndimet ose Rusisë, pasi Beogradi ende nuk i ka vendosur sanksione Rusisë.

“Vuçiç duhet të kuptojë se Perëndimi dhe Rusia do të largohen gjithnjë e më shumë për shkak të luftës në Ukrainë dhe se nuk do të jetë më e mundur të ulesh në dy karrige. Ai do të duhet të zgjedhë. Vuçiç thuhet se tha se do ta bënte këtë në gjashtë javët e ardhshme. I takon atij të vendosë”.

“Besoj se Serbia duhet të vendosë për BE-në, e cila i ofron një të ardhme më të mirë ekonomike dhe zhvillim demokratik”.

Kërcënimet nga presidenti kroat Zoran Milanoviç

Ndërsa Finlanda dhe Suedia kanë njoftuar se duan të bashkohen me NATO-n, por presidenti kroat Zoran Milanoviç ka kërcënuar që do t’i bllokojë me qëllim ndryshimin e ligjit zgjedhor të BeH.

Megjithëkëtë, Shea konsideron që hyrja e Finlandës dhe Suedisë në NATO do t’i jepte një thellësi të re strategjike dhe do të lehtësonte ndjeshëm mbrojtjen e shteteve baltike.

“Jam i bindur se NATO do të ketë një qëndrim të unifikuar për këtë çështje. Suedia dhe Finlanda janë demokraci të forta liberale me një traditë të gjatë demokratike. Në një kohë kur regjimi autoritar i Vladimir Putin po kërcënon Ukrainën, është mirë që demokracitë liberale po lidhen”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

20 − fifteen =