Si Berisha po përdhunon dhe “Foltoren”

Nga Mero BAze

Të gjithë ata që në fillim besuan “Foltorja” po rizgjonte Partinë Demokratike nga gjumi, po hapte partinë me figura të reja, po sillte një frymë të re në shoqëri, po demokratizonte partinë dhe mbi të gjitha po forconte opozitën, sapo kanë rezultatin e parë.
Pas një aksioni politik 9 mujor kundër SHBA maskuar pas luftës kundër Lulzim Bashës, pas qindra takimeve dhe miliona metra kub baltë ndaj njëri-tjetrit, pas dhunës mbi seli dhe shkatërrimit të imazhit të PD në emër të ringritjes së saj, Partia e Sali Berishës më në fund ka dhënë produktin e parë të fushatës së “Foltores”; ka zgjedhur Edi Palokën Kryetar të Këshillit Kombëtar.
Tani të gjithë ata që kishin ndonjë iluzion për hapjen e PD, për ndryshimin e imazhit të saj, për sjelljen e vlerave dhe sidomos ata që kishin ndonjë iluzion për respektimin e votës në PD, tani kanë për kryetar një njeri që deklaratën e fundit që ka bërë, është se si kanë vjedhur vota në PD.
Për vlerat e tjera nuk kam ndonjë koment, se me thënë të drejtën, se në atë llum që i ka mbetur rrotull Berishës, Edi Paloka nuk është se nuk meriton t’i përfaqësojë.
Problemi është se gjithë trazirën politike që ngriti Berisha, e realizoi përmes “Foltores” në emër të një partie ë të hapur, më demokratike, më përfaqësuese bazuar mbi votën e lirë dhe përfundoi tek një grup njerëzish që në fakt i ka pasur badigardë të tij në çdo kohë. Tani po pres dhe zgjedhjen e Flamur Nokës Sekretar i Përgjithshëm i partisë, për ta kompletuar tërësisht përdhunimin e “Foltores” si institucion politik dhe talljen e Sali Berishës me demokratët.
Për fat të mirë, dita ditës deputetët e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike po e kuptojnë këtë dhe po qëndrojnë larg tij. Çdo ditë numri i atyre që i largohen Sali Berishës po rritet dhe kjo është e vetmja shenjë që pjesa më legjitime e Partisë Demokratike nuk po e pranon përdhunimin e Sali Berishës dhe as përpjekjen tij për të rrëmbyer një cope të PD, që ta ketë si trupë mbrojtëse për vete të vet.
Si badigard nuk i ka gjetur keq. Të dy janë besnikë të tij, dhe bashkë me Topallin dhe Hajdarin, ata janë katër emrat e vetëm që prodhuan lajm në fund të “Foltores”, dy si besnikë që nuk e kanë tradhtuar kurrë dhe dy të tjerat që kanë tradhtuar vetëm një herë, por janë penduar thellë. Dhe për për të qenë më i sigurt, i ka të katërt mbi Lumin Drin nga ana gjeografike, që ta bëjë të qartë e kujt është ajo parti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

five + nine =