Tetë persona të vdekur pas shpërthimit në një hotel në Havana

Të paktën tetë persona kanë vdekur dhe më shumë se 30 janë plagosur, si pasojë e një shpërthimi masiv që ka goditur një prej hoteleve më ekskluzive të Havanës në Kubë.

Shpërthimi në Hotelin Saratoga, të premten, 6 maj, duket se është shkaktuar nga një rrjedhje gazi, kanë thënë autoritetet lokale.

Ndërtesa historike pesëkatëshe ishte duke u përgatitur për rihapje pas periudhës së pandemisë së koronavirusit.

Aktualisht janë duke u kryer operacionet e kërkim-shpëtimit nën rrënoja.

Të plagosurit janë duke u trajtuar në spitalet e afërta.

Yazira de la Caridad, e cila jeton afër hotelit, ka thënë për CBS News se ka menduar që “shpërthimi ka qenë tërmet”.

Dëshmitarët kanë thënë se kanë parë tymin e zi duke dalë nga ndërtesa, pak pas shpërthimit.

Një shkollë, e cila gjendet mbrapa hotelit, nuk është dëmtuar dhe autoritetet lokale kanë konfirmuar se të gjithë fëmijët janë evakuuar.

Presidenti i Kubës, Miguel Diaz-Canel, e ka vizituar zonën rreth hotelit.

“Nuk ka qenë bombë apo sulm, ka qenë aksident fatkeq”.

Incidenti ka ndodhur teksa sektori i turizmit ka nisur të funksionojë sërish, pas periudhës dyvjeçare me pandeminë e koronavirusit.

Këtë hotel të shekullit 19 e kanë vizituar personalitete të famshme kur kanë vizituar Kubën, përfshirë artistët si Madonna, Beyonce dhe Mick Jagger./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published.

14 + 1 =