Shqipëria jep 1 mln euro ndihmë për Ukrainë, por nuk kufizon hyrjen e rusëve

Polonia dhe Suedia në partneritet me Këshillin dhe Komisionin Evropian, thirrën dje në Varshavë Konferencën e Donatorëve për Ukrainën. Shqipëria do të kontribuojë me 1 milionë euro ndihmë.

“Shqipëria po kontribuon me 1 milion euro edhe pse e dimë që kjo nuk do të ndryshojë fatin e luftes por ne jemi shumë të nderuar që jemi këtu. Ne do bëjmë më të mirën tonë për popullin ukrainas. Shpresa jonë është ajo që duan të gjithë: fundi i luftës e të shohim paqen të vije sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Rama në konferencë.

Pavarësisht kontributit dhe angazhimit për të ndihmuar Ukrainën e cila po përballet me luftën e agresionin rus, kryeministri Edi Rama që u zotua të bëjë gjithçka në mbrojtje të sovranitetit të Ukrainës, nuk iu përgjigj thirrjes së presidentit Volodymyr Zelensky, referuar DW.

Teksa iu drejtua Parlamentit shqiptar me një video-mesazh të martën, Zelensky kërkoi nga kryeministri të kufizohet ardhja e turistëve rus në Shqipëri dhe të mbyllet portet shqiptare për anijet ruse, duke ndërprerë kështu marrëdhëniet tregtare me Moskën.

“Sado e vështirë të jetë, duhet të kufizohet qëllimisht lidhja me Rusinë sepse në mos sot, atëherë nesër Rusia do përdorë lidhjet tregtare për të goditur tregun tuaj kur të dojë, kur të dëshirojë nga ju koncensione ose lidhje politike. Ju duhet t’ia hiqni këtë mundësi Rusisë në kohën e duhur. Ju kërkoj të mbyllni portat për anijet ruse, ju duhet të kufizoni ardhjen e turistëve rusë, sepse nuk mund ta dini se kush erdhi tek ju, ndoshta vrasës apo ndoshta xhelatët e Mariopulit ose ndoshta ndonjë nga ata që po punon sot për të minuar vendin tuaj. Duhet të kufizoni ardhjen e turistëve rusë pasi ju nuk e dini se cilët do të vijnë, ndonjëri nga ata mund të jetë autor i masakrës në Bucha”, tha ai.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama tha të mërkurën pas përfundimit të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, se Shqipëria do të ecë në parim me Bashkimin Evropian dhe për sa kohë nuk ka një vendim nga ana e unionit lidhur me ndalimin e turistëve rus, as vendi ynë nuk do të ketë.

“Nuk ka një vendim të Bashkimit Evropian për ndalimin e anijeve dhe kufizimin e turistëve rusë prandaj do të vazhdohet si vitet e shkuara. Vendimet tona janë gjithmonë në linjë me ato të BE-së. Në rast se do të ketë një vendim të linjëzuar, ne do të linjëzohemi menjëherë me BE-në. Kjo është shumë e thjeshtë, nuk është një çështje e ngatërruar”, deklaroi Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

twelve − 5 =