Rruga Korçë-Ersekë, tenderi i dyshimtë që e fiton vëllai i ish-deputetit të PS

Kostot për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë janë rritur në mënyrë të dyshimtë. Projekti do të gllabërojë edhe 17,5 milionë euro të tjera nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Në total 35 kilometrat e rrugës të kategorisë C pritet të kushtojnë mbi 55 milionë euro.

Më 27 dhjetor të vitit që shkoi, Ministria e Infrastrukturës lajmëronte për inspektimin në terren nga Belinda Balluku, të punimeve për pjesën e parë lotit II të aksit Korçë-Ersekë.

“Puna po vijon me ritme të larta dhe realizimi fizik ka arritur në masën 91%”, shkruhet në faqen e “Facebook” të kësaj Ministrie.

“Duke qenë se loti i parë ka përfunduar dhe tashmë punohet në pjesën e parë të lotit të dytë, kemi arritur të shikojmë që ka një potencial shumë të madh dhe ky është një projekt që duhet të ecë dhe të përfundojë sa më shpejt”, shprehej Balluku.

“Progresi është i dukshëm. Është hapur e gjithë traseja prej 4.15 kilometrash. Po punohet për shtresat e fundit të stabilizantit. Për shkak të reshjeve do marrë një stabilizimin më të madh dhe pastaj në pranverë do vazhdojmë me shtresat asfaltike dhe do ta dorëzojmë gati për sezonin e ri”, deklaron Evis Berberi, drejtor i ARRSH-së.

FAKTI 

Në fakt kosto e lotit të dytë ka arritur në gati 36,5 milionë euro, pasi tenderit të parë prej 19 milionë eurosh, ARRSH-ja i ka shtuar një financim prej 17 milionë 552 mijë euro të tjera. Kështu, tre muaj pas inspektimit të Ballukut, në mars 2022, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një tjetër tender të majmë prej 2,165 miliardë lekësh ose 17 milionë e 557 mijë euro për ndërtimin e rrugës Korçë – Ersekë, loti II.

Dyshimet mbi një garë fiktive janë të mëdha, pasi fituese është e njëjta firmë, “A.N.K”, pronë e Agim Kolës, vëllai i ish-deputetit të PS-së, Ndue Kola, që ka kryer edhe punimet në pjesën e parë të lotin II, me një vlerë prej 19 milionë eurosh.

Ndërkohë që të gjithë pjesëmarrësit kanë dhënë oferta pranë kufirit të vendosur nga ARRSH-ja. Kompania fituese ka dhënë një ofertë vetëm 5 mijë dollarë më të ulët se fondi limit, ndërkohë që ka pasur dhe një ofertë me të lirë dhënë nga “Gener 2”, por që ka lëvizur me gati qindarka nga oferta e “A.N.K”.

Kjo kompani u bë e njohur për publikun për koncesionin tashmë të dështuar prej plot 256 milionë euro për vetëm 17 kilometra të autostradës Milot-Balldre.

Tenderi, rezultati i të cilit u shpall nga ARRSH-ja të enjten, dukshëm bie në kategorinë e tenderëve të dyshuar për marrëveshje të fshehtë mes palëve konkurruese, sipas metodologjisë së vrojtimit të tenderëve të dyshimtë të hartuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas kësaj metodologjie, rezultati i një tenderi duhet të ngrejë flamuj të kuq për autoritetet prokuruese në rast se “çmimet e ofruara nga konkurrentët jofitues janë të barabarta me çmimin maksimal të caktuar në dokumentet e tenderit ose fare pak më të ulët se sa çmimi maksimal”, si dhe në rast se “të gjitha ofertat janë shumë të afërta në çmimet e dhëna pasi kjo sugjeron se konkurrentët mund të jenë duke komunikuar me njëri-tjetrin dhe duke shkëmbyer informacion”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

1 × 1 =