RITA FILIPI: BURRA TË KEQTRAJTUAR NGA GRATË…

Nga: Rita Filipi

Duket si paradoksale, por është e vërtetë. Sa e sa herë ndodh që ne gratë përdorim të sharat pa kursim, provokimet për sherr, sa herë atë çka na kanë besuar në intimitet partnerët, ta kthejmë në municion kundër tyre.

Kur këto sjellje bëhen mënyrë jetese, jeta jonë shkon shumë larg asaj për të qenë e lumtur. Mendoni çfarë situate krijohet në familje kur gruaja (liderja e familjes) është përherë me nerva e pa pikë humori?!

Ka nga ne modele nënash që dhunojnë psikologjikisht, por dhe fizikisht djemtë, duke i quajtur prona të tyre, madje, dhe kur rriten e bëhen çift, ato ndikojnë për shkatërrimin e dashurisë mes tyre dhe të të dashurave, duke shfaqur hapur kompleksin e Edipit.

Dhe kur ndodh divorci, ato kanë të drejtë mbi fëmijët, burri jo; ato vuajnë, burrat s’kanë ndjenja. Ka nga ne modele grash që nuk i hapin derën vajzës dhe as e mësojnë se si të reagojë me qetësi e mençuri e jo t’i hedhë benzinë zjarrit, duke rrezikuar jetën e vet nga partnerët e rrezikshëm.

Ka nga ne modele grash që e bëjnë leshko burrin para fëmijëve dhe para gjithë të tjerëve, për hir të dashnorit sekret, dhe e mbajnë prapë për burrë, se u duhet për hir të moralit dhe asaj që familja është e shenjtë.

Ka nga ne modele grash shumë luftarake në një moment të caktuar, por, kur shohin se hasin në kundërshtime burrash apo dhe opinioni më të gjerë, menjëherë viktimizohen, duke thënë: “Po më sulmojnë se jam grua!”.

Pra, përdorim një standard të dyfishtë.
Një shoqëri emancipohet jo vetëm nga lufta e grave për të drejtat e tyre, por edhe nga përpjekjet e tyre për t’u zhveshur nga arroganca dhe feminizmi i tepruar, si dhe nga dobësitë femërore.

Nuk ka gjë më të bukur se dashuria dhe respekti për partnerin e, në të njëjtën kohë, të arrish të jesh e pavarur prej tij duke jetuar në harmoni. Unë ia arrita, njoh shumë gra që e kanë arritur… Bëje dhe ti, se asnjëherë nuk është vonë!

*(Një nga temat te emisioni “Goca dhe gra”.)

ObserverKult

Leave a Reply

Your email address will not be published.

13 + nine =