Patriarku Kirill:Arma fetare e Putinit, që ka një pasuri prej 4 miliardë dollarësh

Nga Francesco Antonio Grana

“Il Fatto Quotidano”

Është hera e parë që Komisioni Evropian propozon vendosjen e sanksioneve ndaj një autoriteti fetar. Hipoteza, e cila është pjesë e paketës së gjashtë të masave ndëshkuese të Brukselit ndaj Moskës në kundërpërgjigje të luftës në Ukrainë, lindi nga deklaratat e reja të Patriarkut Ortodoks të Moskës Kirill.

“Ne nuk duam të luftojmë askënd. Rusia nuk ka sulmuar askënd. Është e habitshme që një vend i madh dhe i fuqishëm nuk ka sulmuar kurrë askënd, por vetëm ka mbrojtur kufijtë e tij. Dhëntë Zoti që deri në fund të këtij shekulli, vendi ynë të jetë i tillë: i fortë, i fuqishëm dhe në të njëjtën kohë i dashur nga Zoti”- tha ai.

Kjo deklartë është në sintoni me bekimet e mëparshme të Kirill ndaj luftës së nisur nga presidenti rus Vladimir Putin në Ukrainë. Një qëndrim i përsëritur, që siç e theksoi Papa Françesku, prishi takimin ballë për ballë midis dy liderëve fetarë të mbajtur në Havanë në vitin 2016.

Bergoglio e shpjegoi qartë vendimin e tij për Corriere della Sera: “Kam biseduar me Kirill për 40 minuta përmes platformës Zoom. Njëzet minutat e para me një letër në dorë më lexoi të gjitha arsyetimet për luftën. E dëgjova dhe i thashë: Unë nuk kuptoj asgjë nga këto që thua. Vëlla, ne nuk jemi klerikë të shtetit, ne nuk mund të përdorim gjuhën e politikës, por atë të Jezusit, ne jemi barinj të të njëjtit popull të shenjtë të Zotit. Prandaj duhet të kërkojmë rrugën e paqes, t’i japim fund luftimeve.

Patriarku nuk mund të shndërrohet në shërbëtorin e Putinit. Unë kisha në plan të takohesha me të në Jerusalem më 14 qershor. Do të ishte takimi i dytë ballë për ballë, dhe nuk ka të bëjë me luftën. Por tani edhe ai është dakord: Për momentin le të mos takohemi, pasi mund të keq-interpretohet”.

E menjëhershme ishte përgjigja e Kishës Ortodokse Ruse ndaj Komisionit Evropian. “Kirill – tha zëdhënësi i Patriarkanës së Moskës, Vladimir Legoyda – vjen nga një familje, anëtarët e së cilës i janë nënshtruar shtypjes për dekada, për shkak të besimit dhe pozitës së tyre morale gjatë ditëve të ateizmit militant komunist, pa pasur frikë nga burgu dhe represioni. Vetëm ata që nuk e njohin historinë e Kishës sonë, mund të besojnë se mund ta frikësojnë klerin dhe besimtarët e saj duke i futur në disa lista”.

Tani për tani, askush në Vatikan nuk pranon të komentojë hipotezën e sanksioneve ndaj Patriarkuttë Moskës. Kreu i Kishës Ortodokse Ruse, që dikur ka qenë informator i KGB-së, ka një pasuri që i kalonin 4 miliardë dollarët. Akuzë që Patriarku e ka mohuar gjithmonë. Megjithatë, ka edhe nga ata që hipotezojnë se pasuria e tij mund të jetë gati dyfishi, 8 miliardë dollarë.

Këto miliarda janë grumbulluar falë përjashtimeve nga taksat shtetërore ruse. “Ai e krijoi këtë pasuri gjatë viteve 2000 – thotë gazetarja Anne-Sylvie Sprenger – kur ishte kreu i punëve të jashtme të Patriarkanës së Moskës dhe kur Iraku ishte nën embargon e SHBA-së. Në atë kohë, Rusia e mbështeti Irakun, duke i dërguar ilaçe dhe nevoja të tjera themelore.

Tregëtia e cigareve i ishte besuar Kishës Ruse, e cila merrte 1/10 e fitimeve. Në këtë mënyrë Patriarku Kirill e forcoi trashëgiminë e tij personale. Ai zotëron një shtëpi në Zvicër, në kantonin e Zyrihut, teksa që fëmijë ka qenë një skiator i apasionuar. Bashkë me vëllain e tij, që ka qenë prej kohësh përfaqësues i Patriarkanës së Moskës në Këshillin Ekumenik të Kishave, ata kanë krijuar lidhje të thella me Zvicrën. Aty duhet të ketë edhe llogari bankare”.

Ndërsa nga njëra anë Vatikani sigurisht që nuk mund t’i bekojë sanksionet kundër Kirillit, sidomos haptazi sepse kjo do të shkaktonte vërtet një luftë fetare. Nga ana tjetër është e qartë se të gjitha përpjekjet e bëra deri tani nga Papa për të negociuar me Patriarkun përfundimin e konfliktit në Ukrainë kanë dështuar.

Nga këtu buron edhe vullneti i Françeskut për të biseduar drejtpërdrejt me Putinin, duke qenë se të gjithë bashkëbiseduesit e tjerë më të afërt me të, nga ambasadori rus në Selinë e Shenjtë, tek Ministri i Jashtëm rus dhe deri tek Kirill, ata nuk kanë mundur të mbështesin arsyetimi e tij.

Është sigurisht një sinjal shumë shqetësues për Selinë e Shenjtë, që kreu i një Kishe të Krishterë, që ndan të njëjtin Ungjill me Katolicizmin, të ketë një mbështetje kaq të qartë dhe publike për luftën në Ukrainë, madje duke mbështetur motivimet e saj.

Është shumë domethënëse ajo që Papa i shpjegoi Patriarkut në bisedën e tyre online, në përpjekje për ta bindur atë të tërhiqej nga qasja e tij dhe të punonte me të për paqen: “Kisha nuk duhet të përdorë gjuhën e politikës, por gjuhën e Jezusit. Ne jemi pastorë të të njëjtit popull të shenjtë që beson tek Zoti, Trinia e Shenjtë, tek Shën Maria. Për këtë duhet të bashkohemi në përpjekje për të ndihmuar paqen, për të ndihmuar ata që vuajnë, për të kërkuar rrugën e paqes, për të ndalur luftimet”.

Për më tepër shtoi ai:“Ata që paguajnë faturën e luftës janë njerëzit, ushtarët rusë dhe njerëzit që bombardohen dhe vdesin. Si pastorë ne kemi për detyrë t’u gjendemi pranë dhe të ndihmojmë të gjithë njerëzit që vuajnë nga lufta. Dikur flitej edhe në kishat tona për luftë të shenjtë apo luftë të drejtë. Sot nuk mund të flasim kështu. Është zhvilluar vetëdija e krishterëpër rëndësinë që ka paqja”.

Por këto fjalë ranë sërish në vesh të shurdhër, duke e bindur Françeskun që ta shtynte takimin për të mos shkaktuar ndonjë incident diplomatik shumë të rrezikshëm:“Më vjen keq që Vatikani anuloi një takim të dytë me Patriarkun Kirill, të cilin e kishim planifikuar për qershor në Jeruzalem.

Por diplomacia jonë mendoi se një takim mes nesh në këtë kohë, mund të çonte në shumë keqkuptime. Unë e kam promovuar gjithmonë dialogun ndërfetar. Kur isha kryepeshkop në Buenos Aires, bëra bashkë të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët në një dialog të frytshëm. Ishte një nga nismat për të cilën jam shumë krenar. Të njëjtën politikë promovoj në Vatikan. Për mua marrëveshja është më superiore se konflikti”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

seventeen + nine =