Nënkuptoi Bashën? Salianji: Dikush po keqpërdor grupin

Deputetja Orjola Pampuri doli pak më parë me një njoftim, ku komunikonte dy vendimet e marra sot në mbledhjen e Kryesisë së PD, sipas së cilave “kryesia mblidhet çdo të premte të çdo jave në orën 09:15, dhe të hënën në po të njëjtën orë”.

Deputeti Ervin Salianji, në një deklaratë për mediet jashtë Kuvendit, ka dhënë detaje nga mbledhja e thirrur nga Enkelejd Alibeaj. Salianji e cilësoi njoftimin e Pampurit të turpshëm, teksa tregoi se deputeti Luçiano Boçi ka kërkuar shtyrjen e mbledhjes.

Kërkesës së Boçit, sipas Salianjit, Enkelejd Alibeaj nuk i është përgjigjur. Teksa e quajti të pakumptimtë shpejtimin për të mbledhur Kryesinë, Salianji nënvizoi se ka një përpjekje për ta ndarë PD-në, e për të krijuar perceptimin se janë dy palë.

Teksa foli për mediet, Salianji deklaroi se dikush po tenton të keqpërdorë grupin parlamentar, duke hedhur dyshime se ‘dikushi’ që “është dorëhequr po nuk ka hequr dorë”, është Lulzim Basha.

“Ka një keqpërdorim nga dikush të grupit parlamentar dhe një tentativë për të përdorur deputetët e PD. Janë njerëz që dorëhiqen dhe nuk heqin dorë”, u shpreh Salianji.

Ndër të tjera, deputeti u shpreh se kjo mbledhje e nxituar e Kryesisë vjen në kushtet kur kishte tre muaj që nuk zhvillonte takim, çka sipas tij, nënkupton se dikush po e keqpërdor.

“Sot përmes numrit dy të PS u tha qartë se nuk duan as përfaqësi apo negociim ndërkombëtar. Është kurth që të keqpërdoret çdo deputet i PD të për të krijuar konceptin e ndarjes në PD. Boçi ka kërkuar që mbledhja e kryesisë së grupit të shtyhet.

Nuk ka pasur përgjigje nga Alibeaj. Është bërë një njoftim i turpshëm ku thuhet se ka pasur mbledhje kryesie dhe janë marrë vendime. Kryesia e grupit përbëhet nga kryesia e vogël, kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve dhe nënkryetari i parlamentit. Ka një shpejtësi për ta ndarë PD dhe për të krijuar perceptimin që një palë është këtej dhe andej. Ka pothuajse tre muaj që nuk funksionon grupi parlamentar. Çdo gjë merret për interes personal.

Mbahen qëndrime edhe ndaj palës tjetër. Kjo pjesa tjetër kërkon që të vendosë damkën që deputetët qenkan mbështetës të një personi që ne kërkuam të ikte. Kryesia e grupit mblidhet në mënyrë të përjavshme. Kryesia e grupit parlamentar, fakti po them që kam komunikuar me zotin Alibeaj nuk besoj se ka ndonjë diskutim nëse ai njihet apo jo. Kryetari i grupit parlamentar edhe në momente kur nuk ka konflikte sipas rregullores që është në fuqi miratohet nga grupi parlamentar. Nuk e shpjegoj dot nxitimin për këtë mbledhje.  Kryesia e grupit ka tre muaj që nuk mblidhet. Është e qartë që ka një keqpërdorim nga dikush. Si ka mundësi që grupi parlamentar i PD të marrin atributet e kryesisë. Mbledhjet caktohen në mënyrë të përbashkët. Nuk ka asnjë tagër zëdhënësi i grupit. Nuk ka mbledhje kur nuk ka kuorum”, deklaroi Salianji.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

4 × three =