Kush është e dashura e shumëpërfolur e Putin dhe roli i saj në ‘perandori’?

Në prill, media të ndryshme nisën të raportonin rreth mundësisë se SHBA do të vendoste sanksione edhe kundër gjimnastes së famshme ruse Alina Kabaeva.

Kabaeva lindi në vitin 1983 dhe hera e parë që u përfol për një lidhje të mundshme mes saj dhe Putin ishte më shumë se 10 vite më parë.

Kohët e fundit, ajo ka bërë disa deklarata publike në mbështetje të përpjekjeve ushtarake ruse në Ukrainë, duke i bërë thirrje qytetarëve rusë që të rreshtohen pas Putin në emër të luftës së Rusisë.

Vlen të përmendet se në vitin 2014, Putin u bë udhëheqësi i parë rus që prej Petrit të Madh që u divorcua nga gruaja e tij, Ludmilla, me të cilën ai ka 2 vajza – Marian dhe Ekaterinan – të dyja të sanksionuara së fundmi nga SHBA.

Kabaeva ka fituar disa medalje në Rusi por edhe në konkurse të ndryshme në Europë duke marrë dhe medaljen e artë në Lojërat Olimpike të vitit 2004.

Veç gjimnastikës ritmike, Kabaeva ka testuar ujërat edhe në politikë duke shërbyer si deputete në dhomën e ulët të Kuvendit të Federatës Ruse nga viti 2007-2014.

Në vitin 2014, ajo u emërua drejtuese e një rrjeti televizionesh ruse pro-qeveritare.

Ajo madje ka dalë edhe në faqen kryesore të revistës së mirënjohur Vogue.

Por mbi të gjitha ajo njihet si e dashura e pa-konfirmuar e presidentit rus Vladimir Putin.

Zyrtarët amerikanë e kanë akuzuar atë dhe familjen e saj, se kanë vënë pasuri në sajë të lidhjeve të tyre me Putin por të gjitha këto deklarata janë hedhur poshtë nga Kremlin duke u quajtur si propagandë anti-ruse.

Në të famshmen, The New York Post thuhet se Kabaeva ka 3 fëmijë me Putin, me të cilët ajo jeton në Zvicër, ku edhe vazhdon të jetojë në fshehtësi romancën e saj me presidentin rus.

Putin ka qenë gjithnjë shumë i rigoroz për sa i përket fshehjes së jetës së tij private.

Njësoj si Putin, edhe Kabaeva është munduar të jetë sa më sekrete për jetën e saj duke e mohuar vazhdimisht një lidhje të saj me Putin.

Në vitin 2020, ajo u “zhduk” për disa kohë përpara se të shfaqej sërish me 2 djem binjakë që thuhet të jenë të saj me Putin.

Por ajo që i shqetëson zyrtarët amerikanë nuk është me kë zgjedh Putin të kalojë jetën e tij apo momentet intime.

Ajo që ata i druhen, është fakti se Putin mund të jetë duke fshehur pasurinë e tij me familjarët apo njerëzit e tij më të afërt.

Sipas një raportimit të Reuters, Kabaeva është lidhur me pasurinë e Putin në të paktën 2 dokumente zyrtare të Qeverisë Amerikane.

Në vitin 2013, gjyshja e Kabaevës raportohet të jetë bërë pronare e disa objekteve në një nga lagjet më të pasura të Moskës.

Ndërsa sipas The Washington Post, një raport i klasifikuar i Inteligjencës Amerikane raportoi se Kabaeva ishte një trashëgimtare e Putin.

Pavarësisht se asnjë nga këto fakte nuk janë konfirmuar zyrtarisht, ka nga ata që mendojnë se fakti që Alina u “kursye” në moment të fundit nga sanksionet amerikane, mund të jetë një tjetër detaj që tregon se këto fakte janë të vërteta, pasi SHBA nuk do të tensionojë edhe më tej situatën duke goditur një njeri kaq të afërt të Putin – që ai mbi të gjitha e ka fshehur prej kohësh.

Mbetet për t’u parë nëse SHBA do të vendosë përfundimisht të sanksionojë Kabaevën apo jo.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

8 − seven =