Gjermania thirrje Serbisë dhe Kosovës: Të kthehen në tryezën e bisedimeve!

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka bërë thirrje që Serbia dhe Kosova të kthehen në tryezën e bisedimeve.

Scholz, i cili u takua me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti të mërkurën, tha se paqja dhe stabiliteti ishin një parakusht për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Kosova, një ish provincë e Serbisë, shpalli pavarësinë nga Beogradi në vitin 2008. Serbia nuk e njeh këtë dhe vazhdon ta trajtojë Kosovën sikur të ishte nën sovranitetin e saj, pavarësisht një dekade bisedimesh të ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet dy palëve.

“Kam biseduar me Vuçiç për rëndësinë e progresit në dialog që duhet të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të gjitha detyrimet e dakorduara duhet të respektohen, lëvizjet e njëanshme nuk janë të dobishme”, tha Scholz pas takimit.

“Dëshiroj të kontribuoj që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtarë të BE-së dhe parakusht për paqen dhe stabilitetin në rajon është marrëveshja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Ne duam përparim dhe prandaj me kënaqësi të ndihmojmë për të mbajtur takime të tilla. Kam përshtypjen se ekziston një dëshirë e madhe për të ecur përpara tani.”

Vuçiç u përgjigj me një premtim se do të bëjë më të mirën për të ringjallur dialogun e ngecur.

“Ai dialog me Prishtinën nuk është i lehtë për ne, por ne do të bëjmë çmos që të arrijmë një kompromis, por ato zgjidhje nuk mund të jenë vetëm dëshirat tona. Fjala kompromis vlen edhe për ne dhe për palën tjetër”, shtoi presidenti i Serbisë.

Presidenti serb u tha gazetarëve se i kishte premtuar Scholz se vendi i tij nuk do të ishte “burimi për asnjë lloj problemi” në Bosnje-Hercegovinë.

Bosnja ka kaluar krizën e saj më të keqe politike që nga fundi i luftërave ballkanike të viteve 1990, me serbët e Bosnjës që sfidojnë institucionet shtetërore si pjesë e përpjekjes së tyre të gjatë për t’u shkëputur dhe përfundimisht për t’iu bashkuar Serbisë fqinje. AP

Edel Strazimiri / SCAN

Leave a Reply

Your email address will not be published.

nine − five =