Diamanti i bardhë mund të shitet në ankand për 30 milion dollarë

Një diamant i bardhë 228-karatësh, i quajtur “Shkëmbi” dhe që është më i madhi në historinë e ankandeve, mund të arrijë vlerën e 30 milionë dollarëve gjatë shitjes që do të bëhet më 11 maj në Gjenevë të Zvicrës.

Guri i çmuar është gjetur në një minierë të Afrikës së Jugut më shumë se dy dekada më parë dhe i është nënshtruar pastrimit dhe prerjes.

Krahas tij, një tjetër diamant, me ngjyrë, do të shitet gjithashtu më 11 maj nga e njëjta shtëpi ankandesh, “Christie’s”.

Diamanti në fjalë, i quajtur “Kryqi i Kuq”, e merr ngjyrën e verdhë nga atomet e nitrogjenit. Ai pritet të arrijë vlerën e 10 milionë dollarëve dhe fitimet nga shitja do t’i shkojnë organizatës së Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.

“Ky është një moment historik për “Christie’s” që nxjerr njëkohësisht në shitje dy diamantë mbi 200-karatësh. Por fakti që diamanti “Kryqi i Kuq” po shitet sërish pas 104 vjetësh dhe që të ardhurat e tij do të shkojnë për një kauzë të rëndësishme na emocionon”, tha Max Fawcett, nga shtëpia e ankandeve “Christie’s”.

Përfaqësuesi i shtëpisë së ankandeve ka shtuar se tregu i diamantëve aktualisht është i fortë si kurrë më parë dhe se lufta në Ukrainë ka ndikuar në rritjen e çmimit të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

12 − ten =