Berisha si kryetar i çelësave të kashtës!

Nga Mero Baze

Sali Berisha, i cili tani po përpiqet t’i imponohet Partisë Demokratike se ka “drynin” e PD dhe nuk i pranon më aty kundërshtarët, provoi sot se i shkon më shumë shprehja popullore “ka çelësat e kashtës”.

Ai bëri kujdes të trembte deputetët që nuk i binden autoritetit të tij, duke i paralajmëruar përmes një deputeti të Elbasanit, se nuk do të lejohet të mblidhen në selinë e PD, ata që duan të bashkëpunojnë me Edi Ramën.

Sulmet verbale vazhduan me zëdhënësen e tij, e cila me sigurinë që ka pas lexuar parashikimin e motit, lexoi dhe parashikimin e Berishës, se ata nuk mund të mblidhen kundër vullnetit të tij.

Në fakt nuk ndodhi asgjë e jashtëzakonshme. Deputetët u mblodhën dhe diskutuan hapur rreth opsioneve se si Partia Demokratike, duhet të përdorë të drejtën dhe detyrimin kushtetues për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit konsensual.

Kërcënimet verbale të Sali Berishës dështuan. Askush nuk u kompleksua prej tyre. Përpjekja e tij reale nuk ka të bëjë me bllokimin e kontributit të Partisë Demokratike për zgjedhjen presidentit, por bllokimin e një autoriteti paralel me të në PD.

Problemi që ka Sali Berisha është se ai nuk e kupton dot, se si jeta vazhdon edhe pa atë. Ai është mësuar të jetojë me idenë se nëse ai është “person non grata”, gjithë PD duhet të flijohet as tij.

Dhe në rastin konkret, kur qeveria e ka përjashtuar atë si person nga negociatat, ai mendon se askush tjetër nuk duhet të negociojë në emër të opozitës, pasi kjo krijon një institucion tjetër përfaqësimi në opozitë, krahas atij. Dhe ky është shqetësimi kryesor që ka Berisha.

Ai nuk është shumë i shqetësuar kush do zgjidhet president. Edhe sikur Sali Berishën të zgjedhë president Edi Rama, prapë Sali Berisha nuk e pranon dot që kjo gjë të bëhet pa e pyetur atë vetë. Ideja se dikush tjetër po flet në emër të PD pa e pyetur atë, e ka destabilizuar politikisht dhe psiqikisht.

Ideja që Alibeaj mbledh më shumë deputetë në sallë se ai dhe akoma më keq, që i mbledh në selinë e SHQUP, çelësat e së cilës i ka rrëmbyer Sali Berisha, e tërbon dhe më keq, pasi ai e ndjen veten jo vetëm të pafuqishëm politikisht, por dhe fizikisht.

Në selinë ku ai ka hyrë me dhunë dhe e quan shtëpi të tij, tani hyjnë e dalin lirshëm dhe armiqtë e tij dhe mblidhen pa e pyetur atë. Kjo do të shkaktojë në ditët që vijojnë pa diskutim përleshje mes ndonjë skuadrilje tropojanësh që janë “roje” në oborr dhe deputetëve rebelë ndaj tij.

Nga ana tjetër, këmbëngulja e tij e papritur për bojkot zgjon kujtime të këqija në PD, kur vet Berisha sapo ka mbaruar një fushatë denigruese ndaj Lulzim Bashës, duke e akuzuar se ka shkatërruar PD përmes bojkotimit të zgjedhjeve apo institucioneve të tjera.

Ai tani po dëshmon se është partizan i bojkotimit në një proces ku ai ka marrë vet pjesë rregullisht prej vitit 2002. Dhe më ketë vendosmëri që kërkon bojkot, të gjithë janë të qartë kush i ka kërkuar bojkotet e PD më parë.

Por sot Sali Berishën nuk e vret aq shumë as ideja se kush do zgjidhet president, as se si do të zgjidhet. Atë e shkatërron ideja që po tregohet i pafuqishëm në opinion publik, për të ndalur dhe deputetët e PD të mos marrin pjesë në këtë proces.

Pafuqia e tij për të ndalur negociatat, që shfaqet si pafuqi e tij për të imponuar bojkotin, e bën atë sot, nga kryetar i drynit, në kryetar të çelësave të kashtës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

ten − 4 =