Banka Botërore: Ekonomia e Shqipërisë po ngadalësohet nga lufta në Ukrainë

Banka Botërore bëri sot të ditur se lufta në Ukrainë po ndikon në paqëndrueshmërinë e çmimeve dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë, ndërsa parashikimet afatshkurtra janë përkeqësuar.

Në raportin e rregullt për Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore pohoi se rritja ekonomike e Shqipërisë prej 8.5 për qind gjatë vitit 2021 tejkaloi plotësisht recesionin që shkaktoi nga Pandemia Covid, por kjo rritje pritet të ngadalësohet në 3.2 për qind gjatë këtij viti, nëse piku i krizës do të zbutet në tremujorin e dytë dhe nëse efektet e sanksioneve do të vazhdojnë gjatë.

Raporti thekson se zgjatja e krizës në Ukrainë mund të ndikojë ekonominë shqiptare përmes çmimeve të larta kryesisht të drithërave dhe karburanteve.

Shkëmbimet ekonomike të Shqipërisë me Rusinë dhe Ukrainën janë të pakta, më pak se 3 për qind e totalit, por shtrenjtimi i energjisë dhe i grurit mund të rritin më tej çmimet e shportës së konsumit dhe të dobësojnë fuqinë blerëse të familjeve si dhe parashikimet e rritjes ekonomike.

Ekspertët e Bankës Botërore vlerësojnë se borxhi publik i Shqipërisë pritet të bëhet i qëndrueshëm këtë vit në 73.9 për qind të GDP-së, por hapësira fiskale mund të përkeqësohet edhe më shumë, nëse lufta zgjat dhe ngadalëson rritjen ekonomike të BE-së, e si rrjedhim edhe eksportet shqiptare me vendet anëtare të tij. Nëse kjo ndodh, qeverisë shqiptare do t’i duhet të shkurtojë shpenzimet kapitale, që të mos thellohet raporti midis borxhit publik dhe GDP-së.

Banka Botërore thekson se Shqipëria po mbështetet gjithnjë e më shumë në burimet e jashtme të financimit, ndaj mbeten të larta rreziqet e kursit të këmbimit, normës së interesit dhe rifinancimit.

“Investimet private mund të mbështesin më tej rritjen ekonomike të Shqipërisë, nëse përmirësohet klima e biznesit përmes reformave” – thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Rritja e çmimeve të mallrave, energjisë dhe importeve prej luftës në Ukrainë rriti dhe do të rritë më tej inflacionin dhe dobësoi monedhën vendase, ndërsa Banka Qendrore e Shqipërisë rriti normën bazë të interesit.

Gjatë vitit të kaluar u regjistruan rritje të eksporteve, investimeve të huaja direkte dhe të kreditimit për sektorin privat.

Ekspertët e saj pohojnë se rimëkëmbja e shpejtë ekonomike gjatë vitit të kaluar erdhi prej politikave nxitëse, si dhe rigjallërimit të turizmit, ndërtimit, prodhimi i energjisë hidrike dhe nxjerrjes së mineraleve.

Megjithatë, rritja ekonomike nuk e ktheu punësimin në nivelin e parakrizës; numri i të punësuarve është në rënie prej 3 vjetësh në pothuaj të gjithë sektorët, madje edhe forca e punës ka pësuar rënie për të dytin vit radhas në të gjithë grupmoshat, ndërsa shkalla e papunësisë mbeti në 11.5 për qind.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

15 − 4 =