17% e familjeve shqiptare, në borxh,13% borxh në banka, 70%, pa detyrime!

Një raport i publikuar së fundmi nga Banka e Shqipërisë tregon se 17% e familjeve shqiptare parapëlqejnë të marrin borxh te të njohurit. Raporti mban titullin “Vrojtimi i Pasurisë së Familjeve shqiptare” (AHWS) dhe ka për qëllim mbledhjen e të dhënave nga bilancet individuale të familjeve shqiptare, duke na mundësuar njohjen e aspekteve të ndryshme të sjelljes së tyre në lidhje me aktivet dhe detyrimet e familjes, kursimet, investimet dhe konsumin. Ky vrojtim i referohet vitit 2019 dhe 2018.

“Scan Intelligence Unit” ka analizuar shifrat për të kuptuar se ku preferojnë të marrin borxh shqiptarët dhe si ndikon kjo në buxhetet e familjeve. Të dhënat e detyrimeve të familjeve tregojnë se 30% e numrit total familjeve të vrojtuara në Shqipëri kanë të paktën një borxh. Ndër familjet që kanë të paktën një detyrim, 45% i drejtohen sistemit financiar si huamarrës (bankave dhe institucioneve financiare jo-banka) dhe 55% i drejtohen burimeve të tjera jashtë sistemit financiar (të afërm, të njohur apo fajdexhinj).

Pra, thënë më thjeshtë, 16.5% e familjeve shqiptare kanë marrë një borxh në burime jashtë sistemit financiar, pra jo në sistemin financiar, bankar ose jo, ndërsa 13.5% prej tyre i janë drejtuar bankave ose një insitucioni financiar. Pra, përafërsisht 17% e familjeve shqiptare nuk i`u drejtohen institucioneve financiare për të marrë borxh, por alternativave të tjera siç janë të afërmit, të njohurit, apo më keq akoma, fajdexhinjve.

Në një kohë që sistemi bankar në Shqipëri ka shënuar zhvillime pozitive të rëndësishme në drejtim të parametrave kryesorë si: shtimit të konsiderueshëm të numrit të bankave dhe degëve të tyre, rritjes së numrit dhe cilësisë së shërbimeve bankare, ofrimit të mundësive të përdorimit të mjeteve bashkëkohore të pagesave, uljes së kostos së veprimeve bankare etj., duke ofruar në këtë mënyrë mundësitë reale për zbutjen e veprimeve me lekë në dorë, ekonomia shqiptare, vazhdon të vuajë problemin shqetësues të qarkullimit të “cash”-it ose të parasë në dorë apo jashtë bankave në vlera dhe në përqindje të konsiderueshme, krahasuar me ekonomitë e zhvilluara dhe me ato të rajonit. Nga ana tjetër, fenomeni lidhet edhe me informalitetin e lartë në ekonomi. Diçka e tillë bën që shumë familje ta kenë të kufizuar aksesin në sistemin financiar, për arsye se të ardhurat e tyre nuk rezultojnë kurrkund. Gjithashtu, i njëjti vrojtim tregon se, pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare, më saktë rreth 60% e tyre jetojnë mesatarisht me vetëm 327 euro në muaj. Pra, edhe ata që janë të formalizuar, në pjesën dërrmuese nuk kanë mjaftueshëm burime financiare për t`iu drejtuar sistemit financiar bankar ose jo.

Shifrat tregojnë gjithashtu se, ndër familjet shqiptare që kanë marrë borxh pranë një banke ose një institucioni financiar, 3% kanë zgjedhur kredinë hipotekore, 3% overdraftin, 5% kredinë konsumatore dhe 2% kartat e kreditit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

13 − 7 =