1923: Nobel Prize winning Irish poet William Butler Yeats (1865 - 1939) with his wife Georgie Hyde Lees. (Photo by Keystone/Getty Images)

Tri dramat e fatit, tri teori kundër religjionit…

“Hidhi një vështrim të ftohtë jetës, vdekjes. Kalorës, vazhdo udhëtimin tënd”. Epitafi që poeti i madh irlandez donte t’i gdhendej në varr, përmbledh në mënyrë të përsosur karakterin dhe interesat e William Butler Yeats (1865-1939), shkrimtar dhe dramaturg, i vlerësuar me çmimin “Nobel” për letërsinë në 1923 dhe Senator i Shtetit të Lirë të Irlandës nga viti 1922 deri në vitin 1928.

I fundit nga poetët romantikë, një nga themeluesit kryesorë të Rilindjes kelte, Yeats u bë gjithashtu, falë miqësisë së gjatë dhe të ngushtë me Ezra Pound, një nga autorët më përfaqësues të fillimshekullit XX. Ndikimi që pati në modernizëm dhe vdekja e tij, që e gjeti atëherë kur duhej, pak para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, nuk lejoi që emri i tij të përgojohej, së bashku me atë të Poundit, një mik dhe bashkëpunëtor me të cilin, ndante shumë ide politikisht të keqkuptuara dhe një botëkuptim të përgjithshëm aristokrat e tradicional.

“Kalvari”, “Ringjallja” dhe “Purgatori” janë tri drama të shkurtra, që fokusohen në problemin të madh që e ka përndjekur përgjatë gjithë jetës Yeats: Ç’marrëdhënie ekziston midis jetës dhe fatit dhe, mbi të gjitha, çfarë na pret pas vdekjes?

E kemi fjalën për dramat e dhomës, sepse, si tekstet e tjera të poetit irlandez, të frymëzuara nga tradita japoneze e Teatrit N, e njohur falë Pound, spektakle që duhej të paraqiteshin në ambiente të mbyllura, para një publiku të kufizuar. I pasionuar pas folklorit dhe studiues i ezoterizmit, Yeats ka një vizion dialektik të historisë, çfarë përjashton fushëpamjen lineare dhe shpëtimtare të ofruar nga krishterimi.

Në ëndrrën e imagjinuar të Krishtit, të rindërtuar në “Kalvari”, Jezusi takon, përgjatë ngjitjes në Golgotë, dy personazhe që kundërshtojnë misionin e tij shpengues: Llazarin, i cili e qorton se pse e kishte shpëtuar nga fati i tij, duke e ringjallur dhe Judën, i cili i rrëfen se e kishte tradhtuar, për t’i treguar se shpëtimi i ofruar nga Kryqi, nuk ishte i vlefshëm për të gjithë njerëzimin; me tradhtinë, Iskarioti e kishte përmbushur planin hyjnor, duke e dorëzuar kështu veten në dënimin e përjetshëm. Figura e Jezusit rikthehet në dramën e dytë “Ringjallja”, ku një hebre, një grek dhe një sirian, komentojnë vdekjen dhe ringjalljen e supozuar të Krishtit në Jeruzalem. Nga kënga që hap përfaqësimin, rikthehet tema e kontrastit midis paganizmit dhe krishterimit, midis konceptimit të historisë ciklike dhe konceptimit të krishterë koherent, me një mbivendosje të guximshme, por të besueshme të figurës së perëndisë Dionis me atë të Jezu Krishtit, i cili, me sakrificën e vet shpall fillimin e një epoke të re./Konica.al

Hebreu dhe greku diskutojnë, sesi vdekja në kryq konfirmoi besimet e tyre përkatëse: për të parin, pasi vdiq, Nazareati nuk mund të ishte Mesia, ndërsa greku reflekton mbi indiferencën e hyjnive klasike ndaj fatit njerëzor, që duhet të mbetet gjithmonë në duart e çdo individi. Diskutimin e tyre e ndërpret siriani, për të shpallur varrin bosh, që pasohet nga shfaqja e Jezusit, i cili shihet si një fantazmë, që “e ka bërë të padobishme tolerancën platonike dhe disiplinën dorike”.

Drama e tretë “Purgatori”, një histori e zymtë fantazmash dhe hakmarrjeje, e ndërtuar mbi një atëvrasje dhe një fëmijëvrasje, e frymëzuar nga një përrallë folklorike që Yeats e ka ripunuar sipas teorive të tij filozofike dhe dramatike, nuk ka asnjë lidhje me Krishtin. Mëkatet e kryera nuk shlyhen në jetën e përtejme, por fajtorët, edhe nëse janë fantazma, i tërheqin para përgjegjësive të tyre dhe që do të mbeten të tilla, derisa të shuhen të gjitha pasojat e veprimeve të tyre të liga.

I prerë, minimal në skenën e tij dhe thellësisht statik në zhvillimin e tij, ndër të tjera “Purgatori” zgjoi interesin dhe admirimin e Eliotit dhe, megjithëse me disa rezerva, edhe të Harold Bloomit. Fati, apo vullneti i lirë, detyrat stërgjyshore dhe hyjnitë ekzotike, jeta e përtejme, apo vdekja trupore janë temat e ekspozuara dhe të debatuara nga Yeats në veprat e tij, me një aftësi të padiskutueshme stilistike dhe një mundësi të madhe për rinovim të përhershëm, duke treguar një indiferencë të përgjithshme ndaj gjithçkaje që, në vend të kësaj, sot duket se është e rëndësishme për një artist.

Besnik ndaj asaj që shkruante në ditar dhe që, së bashku me epitafin e tij na jep figurën e personazhit, Yeats besonte në faktin se: “Kushdo që bën diçka për botën është i pakëndshëm, ndërsa njerëz të këndshëm janë ata për të cilët, bota arrin të bëjë diçka për ta”./Konica.al

Leave a Reply

Your email address will not be published.

five − 1 =