Protest, tërhiqet ARRSH: Rruga e Rinasit rikthehet me dy sense

Autoriteti Rrugor Shqiptar është tërhequr dhe ka vendosur që rruga drejt Rinasit të rikthehet me dy sense lëvizjeje. Vendimi është marrë teksa banorët kishin dalë në protestë, në ditën e katërt radhazi.

Së bashku me fëmijët e tyre, të cilët nuk kishin shkuar në shkollë prej dy ditësh, ata bllokuan rrugën mëngjesin e sotëm dhe deklaruan se nuk do të tërhiqen deri në zgjidhjen e situatës.

ARRSH bën apel që “të gjithë drejtuesit e mjeteve që vijnë nga veriu të përdorin akset alternative për të mos rënduar trafikun në rrugën që të çon drejt aeroportit të Rinasit. Udhëtarë/turistët që marrin fluturimet të marrin në konsideratë fluksin e lartë të mjeteve në këtë aks duke përllogaritur orarin e nisjes”.

Sot, protestuesit u mblodhën në afërsi të shkollës 9-vjeçare ‘Rexhë Deliu’. Banorët ishin kundër devijimit të lëvizjes, pasi duhet të përshkonin kilometra të tëra për të çuar fëmijët në shkollë dhe për të kryer nevojat e tyre të përditshme.

“Dua shkollë, shkolla rrugë nuk ka”, ishin thirrjet e fëmijëve në protestë. Pati dhe nga ata banorë që u shprehën se janë kërcënuat me largim nga puna, nëse dilnin në protestë.

“Ka disa banore te fshatit qe punojne ne aeroport. Tre vetë janë hequr nga puna, ne nuk jemi drejtore, ne jemi sanitarë më të shumtët. Të gjithëve u ka bërë presion nëse del një në kamera i kane thene je i pushuar nga puna. Këtu rroga 300-400 mijë lekë është, po dhe rrogën nuk mund ta lë, ky ta jep rrogen ky ta merr”, tha një prej banorëve.

Në mbështetje të protestuesve sot kishin shkuar deputetet demokratë, Oerd Bylykbashi, Dhurata Çupi dhe Xhelal Mziu.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

5 × four =