Konferenca e Donatorëve për Ukrainën/ Rama udhëton drejt Varshavës

Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar sot drejt Polonisë, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Donatorëve për Ukrainën, e cila do të zhvillohet në Varshavë.

Konferenca është organizuar nga kryeministri i Polonisë Mateusz Moraëiecki dhe ajo e Suedisë Magdalena Andersson, në partneritet me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe atë të Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

Konferenca, me pjesëmarrje të nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe qeverive i dedikohet qëllimit të përbashkët për të mbështetur reagimin humanitar të OKB-së në Ukrainë.

Gjithashtu do të diskutohet për hapat e mëtejshëm drejt mbështetjes së përpjekjeve të Ukrainës për të trajtuar sfidat ekonomike të krijuara nga lufta.

OKB vlerëson se miliona njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare, duke përfshirë ushqim, furnizime mjekësore dhe strehim.

Kryeministri Edi Rama do të kontribuojë, sikurse ka thënë ai me një ndihmë modeste. Por ai ende nuk i ka dhënë një përgjigje pozitive kërkesës së presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Ky i fundit kërkoi që Shqipëria të mbyllë dyert për rusët, në mesazhin që dha në Kuvendin e Shqipërisë dy ditë më parë, ndërsa Rama u shpreh se kjo do të ndodhë nëse e vendos BE-ja.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

thirteen + 12 =