Inflacioni i të varfërve në Shqipëri, 0.8 pikë % më i lartë se i të pasurve

Kur çmimet rriten ata që paguajnë më shtrenjtë janë pjesa më e varfër e popullsisë, pasi shpenzimet e tyre janë të përqendruara në artikujt kryesore të shportës së mallrave, e cila shërben për matjen e inflacionit.

Sipas përllogaritjeve të Bankës Botërore në raportin e rregullt ekonomik për rajonin e Ballkanit të varfrit në Shqipëri kishin inflacion së paku 0.8% më të lartë se të pasurit.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit (CPI) nuk pasqyron domosdoshmërisht inflacionin e më të varfërve, pasi përbërja e shpenzimeve të tyre ndryshon nga ajo e familjeve mesatare.

Në shkurt të vitit 2022 rritja e çmimeve për më të varfrit ishte ne Shqipëri 4.5% dhe për më të pasurit 3.7% përllogariti Banka Botërore.

Inflacioni mesatar i familjeve është nën, por afër IÇK-së në Bosnjë, Kosovë, Mali i Zi dhe Serbi, por mbi IÇK në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Familjet e decilit më të varfër përjetojnë sistematikisht inflacion më të lartë se mesatarja dhe familjet më të pasura. Për më tepër, në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, IÇK-ja pasqyron më shumë përbërjen e konsumit të familjeve më të pasura sesa mesatares se familjeve, analizoi Banka.

Inflacioni më i lartë me të cilin përballen të varfrit reflekton pjesërisht peshën e lartë të shpenzimeve në ushqimet e shportës. Për një familje mesatare në Ballkanin Perëndimor, ushqimi është kategoria më e madhe e shpenzimeve, që varion ndërmjet 28 për qind të shpenzimeve totale në Serbi, dhe 42% në Shqipëri dhe deri në 52 për qind në Kosovë.

Pesha e ushqimeve është më e lartë në familjet e varfra, të cilat çojnë ndërmjet 34 për qind (Bosnjë dhe Hercegovinë) dhe 78 për qind (Maqedonia e Veriut) të totalit të shpenzimeve të konsumit të tyre për ushqim.

Sipas IÇK zyrtare, në të gjithë rajonin, në vitin 2021 çmimet e ushqimeve u rritën më shpejt se totali i shportës së mallrave, përveç Maqedonisë së Veriut. Pjesa e popullsisë me të ardhura më të ulëta përballet me rritje më të theksuara të çmimeve dhe kostos së jetesës sesa ajo që kapet nga inflacionit zyrtar.

Pikëpamjet e konsumatorëve priren të krijohen nga ndryshimet e çmimeve të artikujve që shohin dhe blejnë më shpesh. Blerja e artikujve të përditshëm si ushqimi dhe karburantet, të cilat janë shpenzime të konsiderueshme për të varfrit, ka të ngjarë të kenë ndikim të fortë në perceptimin e inflacionit.

Individët me të ardhura të ulta, të cilët shpesh janë të punësuar në tregun informal janë më të ekspozuar nga rritja e kostos së jetesës.

Inflacioni është në rritje nga kombinimi i disa faktorëve. Rritja ekonomisë globale që nga mesi i vitit 2020 ka vënë presion çmimet e mallrave dhe kostot e transportit, përmes inflacionit të importuar në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Konflikti ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës i dha shtysë të mëtejshme tendencave në rritje inflacioniste, sidomos në çmimet e energjisë, karburanteve dhe ushqimeve./Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published.

seven + 20 =