Alibeaj thërret mbledhje grupi, Boçi: Është nul për dy arsye

Deputeti Enkelejd Alibeaj ka thirrur sot në orën 17.00 mbledhjen e grupit parlamentar demokrat për të diskutuar mbi çështjen e Presidentit të ri.

Ndërkohë deputeti Luçiano Boçi thotë se mbledhja është nul. Ai thekson faktin se Alibeaj nuk ka tagët për ta mbledhur grupin, pasi është shkarkuar në Kuvendin e 30 prillit nga funksioni i kryetarit të grupit demokrat.

Boçi nënvizon se një deputet nuk mund të thërrasë mbledhje grupi. Gjithashtu shton se “Alibeaj ka tagrin e Ramës dhe të Ballës, por nuk ka tagrin e demokratëve”.

“Së pari, zoti Alibeaj ka tagrin e Ramës dhe të Ballës, por nuk ka tagrin e demokratëve te cilët e kanë shkarkuar atë në Kuvendin e datës 30 Prill.

Së dyti mbledhjen e grupit e thërret Kryesia e Grupit dhe jo një deputet, qoftë ai i njohur nga Rama si përfaqësues grupi.

Grupi parlamentar i PD nuk mund të mblidhet sa herë e kërkon e kur e kërkon Rama-Balla. Ne nuk mund të shkojmë pas qerres së Ramës çfarëdolloj pamje të ketë ajo”, shkruan deputeti në rrjetet sociale.

Ai kërkon që të mblidhet Kryesia e Grupit për të caktuar mbledhjet. Boçi thotë se qëndrimi i PD për çështjen e presidentit, duhet të vendoset nga Këshilli Kombëtar, si organi më i lartë vendimarrës politik pas Kuvendit.

“Qëndrimin politik në raport me çështjen e zgjedhjes së Presidentit e vendos Këshilli Kombëtar, si organi më i lartë vendimarrës politik pas Kuvendit dhe e pasqyron në qëndrim Grupi Parlamentar. Kjo është rruga statutore e funksionimit të Partisë Demokratike”, shton Boçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

2 × four =