Zbardhet letra nga burgu e Kadri Hazbiut për Enverin

AFRIM IMAJ/ 

“Hetuesi më poshtëron e më shan nga nëna”. Njëherazi me ankesat për sjelljen brutale në qelitë e burgut 313, Kadri Hazbiu mundohet t’i argumentojë kreut të regjimit se kryqëzimi i tij është katërçipërisht i padrejtë.

Publikimi i pjesës në vijim të letrës së pazbuluar deri më tani, që anëtari i përjashtuar i Byrosë Politike dhe ish-ministri historik i Sigurimit të Shtetit i dërgonte shefit të tij partiak në 1 nëntor të vitit 1982.

Në numrin e kaluar botuam pjesën e parë të këtij dokumenti, ku Hazbiu, tashmë i përjashtuar nga funksionet partiake e shtetërore, në pritje të vendimit fatal, i shkruante Enver Hoxhës për gjendjen e tij shpirtërore pas hapave të ndërmarrë nga Byroja Politike dhe Komiteti Qendror, duke e cilësuar veten të “pushkatuar politikisht”.

“Më tmerron akuza “për tradhti të lartë” dhe ajo si bashkorganizator në komplot me poliagjentin Mehmet Shehu”, nënvizon në refleksionet e tij nga burgu ish-ministri i prangosur, duke pohuar se gjithë jetën ia ka kushtuar çështjes së Partisë dhe diktaturës së proletariatit, pa përjashtuar sakaq “faje dhe gabime”, që në asnjë rast nuk kanë ardhur, sipas tij, nga pozita antagoniste me vijën e Partisë.

Nuk është e rastit që Hazbiu, në krye të letrës, i kujton Hoxhës shqetësimin për familjen, e cila, siç shkruan ai, është duke u shpartalluar, vetëm e vetëm për shkak të tij.

“Pllakatina e zezë e tradhtisë që po më vihet mua, shprehet trishtueshëm banori VIP i qelisë së 313-të, do t’u rëndojë gjithë jetën jo vetëm fëmijëve, por mbarë fisit, që tradicionalisht nuk ka nxjerrë tradhtar”… Në pjesën e dytë të letrës që mban datën 1 nëntor 1982, Hazbiu vijon me arsyetimin e sforcuar për të bindur Hoxhën se është viktimë e lojës agjenturore të Mehmet Shehut dhe një rrethi të ngushtë partiakësh të lartë, me të cilët ka pasur përplasje të herëpashershme, madje edhe për çështje parimore.

Në listën e këtyre të fundit përmend për herë të parë emrat e Pali Miskës, Prokop Murrës, Llambi Gegpriftit, Xhelil Gjonit, duke veçuar ndër ta Hekuran Isain dhe lidhjen misterioze të tyre me Haxhi Lleshin dhe Myslim Pezën.

“Kam bindjen se midis tyre ekziston një shoqëri jo thjesht për pije e tallava, abstragon Hazbiu, në këtë rast me intuitën e ish-kryekonspiratorit, po për diçka të fshehtë në dëm të interesave të Partisë. Sidoqoftë, sinjali me qasjet për një grup tjetër të pazbuluar në krye të Partisë, priten më shpërfillje nga Hoxha, i cili tashmë ka krijuar bindjen e patjetërsueshme se pas Kadri Hazbiut qëndron një komplotist i rrezikshëm, agjent i shumë agjenturave të huaja…

DOKUMENTI/ PJESA E DYTË E LETRËS

Veçanërisht ky proces kërkon një kujdes të veçantë. Më falni në qoftë se po duket sikur po ju jap mend, por e them se po i vuaj pasojat në lëkurën time. Në hetimin tim shoh sesi ai bëhet i njëanshëm, qëmtohet e hidhen (në përforcim të akuzës) medoemos gjëra negative, por ndaj tyre nuk lejohen arsyetime.

Kështu hetimi nuk mund të dalë objektiv. Gjithashtu, në hetim kërkohen shpjegime të hollësishme për një kohë dhjetëravjeçare që janë të pamundura, pse janë jashtë mundësive të kujtesës dhe kur përgjigjesh me përafërsi ose heziton, vepra nuk mbahet mend, këto konsiderohen me ashpërsi si vazhdim në rrugën armiqësore.

Përveç këtyre, ndaj meje në hetim ka ofendime, poshtërime e brutalitet. Unë i kam duruar, megjithëse i nervozuar në ndonjë rast kam mbajtur qëndrim ndoshta jo brenda rregullit të korrektësisë në marrëdhëniet hetues i pandehur. Në rrethana të tilla, spiuni që nuk ka as ideale, as karakter e dinjitet, nuk e ka për gjë që të kënaqë orekset e të japë gjëra që pastaj hajde e vërtetoi. Me sa shoh unë, mbi hetuesit nuk ka kontroll në punë dhe në marrëdhëniet me të arrestuarin. Këtë ligja e bën të detyruar.

Pasi kërkova disa herë nga hetuesi të mos ofendohem e poshtërohem, por pa rezultat dhe kur ai më cenoi nderin duke sharë me nënë, i bëra kërkesë Ministrisë së Brendshme e prokurorit të Përgjithshëm të përjashtohet ky hetues nga hetimi im.

Përgjigjja m’u dha po nga hetuesi në emër të drejtuesit të hetimit (?) se kërkesa nuk pranohet. Kështu nuk është e drejtë, përgjigjen duhet ta japin përfaqësuesit e atyre, të cilëve u drejton kërkesën, e jo hetuesi që akuzohet vetë. E ngre çështjen jo për ankim, por sepse mungesa e kontrollit që është prezent në këtë hetim, lë shteg për shkelje e devijime që mund të kenë pasoja jo të mira.

Nuk di a bëhet me të tjerë të arrestuar, por në dy raste kam dëgjuar se në qelitë afër ka pasur të bërtitura, përplasje dhe rënkime. Ç’ndodhi? Nuk di gjë. Së fundi, kam bindjen se në këtë proces ka devijim edhe sepse ka një predispozicion euforik për t’i marrë gjërat shpejt e pa i gjykuar mirë e kështu serviren më lart në piramidën e hetimit.

Sigurisht, ky entuziazëm, po nuk qe i matur, dëmton, por më e keqja është kur ky predispozicion shoqërohet me tendenciozitet, siç ndodh në rastin tim. Tani për mua është fare e qartë se në këtë fund timin ka një lidhje të padiskutueshme midis këtij procesi dhe parullave që janë hapur për mua prej kohësh. Aty nga mesi i qershorit u fol se “unë nuk do ta kisha të gjatë” dhe se kjo “ish fare e sigurt”. Këto fjalë u hapën nga njerëz të afërm me fëmijët ose familjarët e Pali Miskës e Prokop Murrës.

U ndoq e si u ndoq dhe u mbyll e si u mbyll çështja, unë nuk di, por di që ai që denoncoi pas ca kohësh, u pezullua nga detyra- dhe për çudi ndenji në dispozicion deri sa përfundoi çështja ime. Mendoj se po të verifikohet mirë çështja, do të dalin gjëra deri në shkeljen e procedurave të caktuara nga Partia. Fill pas kësaj u fol se unë isha shkarkuar në vend si ministër dhe se isha arrestuar.

Këto zëra u përhapën nga Ministria e Punëve të Brendshme, kurse mua më thanë se i përhapin legatat e huaja. Më vonë, gati për dy muaj, u mbush Tirana me parulla, të cilat pastaj u shpërndanë në gjithë vendin dhe jashtë, ku viheshin në diskutim uniteti në udhëheqje-kurse unë ofendohesha në mënyrat më poshtëruese (si tradhtar). Por, asnjë kundërvënie aktive dhe e organizuar, derisa në fund ndërhyri sekretari i KQ (R.Alia).

Pse kjo “mefshtësi” nga drejtuesit e Partisë në Tiranë (Prokopi-Xhelili e Menzenxhiu si dhe nga M.P Brendshme), të cilët nuk njihen si të tillë? A është kjo mefshtësi? Unë gjykoj, jo. Në këtë kontekst, unë nuk e quaj aspak rastësi dhe “gabim shprehjen” e Prokopit në Pezë.

Mundet ta kem gabim, por e them se kuzhinierja që më ushqeu për 10-15 vjet dhe e kishim si njeri të shtëpisë, iku pa na lajmëruar e pa u takuar as me mua, as me fëmijët. Pse? A mos ajo u përdor me ndonjë detyrë kundër meje e familjes dhe nuk kish forcë të na dilte në sy? Ky është thjesht supozim, por e ngre për të evidentuar se ministri i Punëve të Brendshme mundet dhe të bëjë gjëra të tilla pa leje.

Unë kam vënë re dhe ia kam thënë, se në disa raste ai nuk përfillte as kërkesat e platformës, as ato të ligjës për marrje sanksioni ose heqje imuniteti. Kjo është e keqe dhe me rreziqe. Kam bindjen se midis P.Miskës, H.Isait, P.Murrës dhe Ll. Gegpriftit ekziston një shoqëri që diçka fsheh në të vërtetë. A është kjo një shoqëri për pije e tallava apo ka diçka më tutje? Nuk them dot gjë. Koha do ta tregojë. Në hetuesi po pyetem për disa gjëra që duken se serviren nga rrethe dibranësh, duke përfshirë këtu dhe Haxhi Lleshin e M.Pezën.

A mos H.Isai e ka grurë me këtë rreth dhe ndikohet prej tyre dhe në trajtimin e çështjes sime? Ndoshta vlen që edhe kjo të kihet në kujdes. Për sa shoh e gjykoj, marr guximin t’ju them hapur se me çdo kusht e pa humbur kohë duhen vënë në duar të drejtuesve më të sigurt e më të partishëm Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes. Unë u gabova që ju propozova si ministër të Punëve të Brendshme H.Isain.

M’u duk i thjeshtë, m’u duk i çiltër, por është turjelë. Ju e shikoni vetë këtë vendim. Në përfundim të gjithë sa ju shkruaj, shpreh mendimet dhe bindjet e mia që m’u krijuan këtu.

U mata shumë para se sa t’jua paraqes se si mund të merren dhe për konsekuencat që mund të kem, por vendosa t’ju shkruaj siç i ndjej dhe sepse kam bindje se gjendja është serioze e me rrjedhime të rrezikshme, po të lihet kështu. Dhe para kësaj bindjeje që kam, do të bëja poshtërsi po të mos jua parashtroja atë Juve dhe Partisë. Kërkoj ndjesë për qëndrimet në Byro e në Plenum, kërkoj ndjesë nëse u zgjata si dhe për shprehjet jo të qarta.

Me respekt, i arrestuari Kadri Hazbiu

P.S. Këtu (tani) po e marr vesh se për t’ju shkruar letër Juve, si udhëheqës i Partisë e shtetit, duhet marrë miratimi nga ministri i Punëve të Brendshme. Ky kufizim nuk është i ligjshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

5 − one =