Topalli: Nuk e kam menduar asnjëherë të bëhem kryetare e PD

Pasi u rikthye zyrtarisht në PD, Jozefina Topalli, ka treguar se asnjëherë nuk e ka menduar të bëhet kryetare e Partisë Demokratike.

Në një intervistë për Klan News, Topalli tha se është përpjekur gjithmonë të thotë të vërtetën për PD-në si forcë politike, për historinë dhe trashëgiminë që ajo mbart.

“Jo nuk e kam menduar asnjëherë në jetën time për t’u bërë kryetare e partisë. Unë kam menduar gjithmonë që të them të vërtetat të një realiteti që kjo forcë politike ka kaluar gjatë këtyre tre dekadave. Ka një histori dhe një trashëgimi shumë të veçantë për të cilën nuk ka pse mos të jemi krenarë, ashtu sikurse ka kaluar 10 vitet e fundit, vite që nuk e nderojnë atë”, u shpreh Topalli.

Topalli shtoi gjithashtu se përveç faktit që kurrë s’ka pasur ambicie për të qenë kryetare e PD, nuk ka menduar as të ketë ndonjë post tjetër në parti.

“Jo, jo! Nuk e kam menduar një gjë të tillë. E kam thënë dhe e përsëris prapë. Qoftë nga historia personale kam mësuar se nuk është nevoja për të qenë në poste drejtuese apo për të qenë në parlament për të bërë beteja apo për të thënë disa të vërteta për të cilat shumë gjatë dhe shumë njerëz kanë heshtur. Unë kam thënë do vijoj të jem vetja ime, dhe do vazhdoj të jem vetja ime, sigurisht një mbështetëse e patundur e besimeve të atyre parimeve që i kam thënë prej kohësh”, tha Topalli.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

three × 2 =