Teatri Shëtitës “Çajupi” me tre shfaqje të ndryshme, në tre qytete

Teatri Shëtitës “Çajupi” vjen për publikun me tre shfaqje teatrore. Shfaqjet do të jenë në të njëjtën ditë, në tre qytete të ndryshme dhe në orar të njëjtë. Premiera teatrore “Mes çarçafëve” do të jetë në datat 7 dhe 8 maj në teatrin “Petro Marko” në Vlorë, shfaqja “Duet për solo” do të jetë në të njëjtat ditë në sallën Black Box të Universitetit të Arteve, kurse “Kur ikën macja” do të jetë në sallën e Qendrës Kulturore për Fëmijë Lezhë. “Mes çarçafëve” e Teatrit Shëtitës, është një pjesë e re, që të mbërthen, e interpretuar me shumë mjeshtëri nga aktoret Yllka Mujo dhe Ermira Hysaj. Vepra është me regji nga Kiço Londo dhe përkthim Artur Lena. Pjesa e Xhordi Mand (Jordi Mand), e para e saj, është e vendosur në një klasë të vitit të tretë të një shkolle fillore private, krijuar nga skenografia simbolike e detajuar dhe që ndihmon shumë. Është fundi i një mbrëmjeje takimi me prindër. Tereza, mësuesja e re, është gati të mbledhë sendet personale e të niset për në shtëpi, kur shfaqet Marion, nëna e njërit prej nxënësve, që do të zhvillojë një bisedë në lidhje me djalin e saj Aleks. Kjo është diçka e beftë për Terezën, meqë Marion nuk ka kërkuar takim dhe gjithsesi, të gjitha bisedat e mëparshme mbi Aleksin, Tereza i ka pasur me babanë e tij Kurtis, bashkëshorti i Marion. Marion është krejt në dijeni të lidhjes së tyre dhe kjo gjë e ka indinjuar. Madje më tepër se kaq. Aleks është një fëmijë me nevoja të veçanta, nga ato, që duken si rast serioz i mungesës së aftësisë për t’u përqendruar dhe Marionës nuk i pëlqen të mbetet jashtë qarkut të tij.

Zbulimet në vijim.

Ajo padyshim që nuk e pëlqen deklaratën e Terezës, që si mësuesja e Aleksit, ajo shpenzon më tepër kohë me të se sa nëna e tij, e cila është një grua në karrierë, dhe prandaj e kupton më mirë atë. Por gjëja, që nuk i pëlqen fare është zbulimi që ka bërë kohët e fundit, i cili del në pah nga disa ndeshje verbale fillestare, nga ku mësojmë se bashkëshorti i saj dhe Tereza janë të dashuruar. Kjo, plus puna me emaile dhe letra të shkruara, shkon për llogari të kuptimit të titullit. Koha e zgjatjes është mbi një orë. Kur kanë kaluar 10 minuta, Marion hedh bombën dhe është masa e mjeshtërisë së autores, që Marion është shfaqur me zemërim shumë më të madh, se ç’mund të ketë rëndom një prind i pakënaqur, prapë ne tronditemi. E njëjta gjë vlen edhe për zbulimet e tjera në vazhdim, trashë dhe shpejt, nga ana e njërës grua apo tjetrës për gjithë pjesën e mbetur të veprës. Për natyrën e paqetë, që nuk gjen shpëtim të Kurtisit, që nuk e shohim. Për planet, që ai dhe Tereza duket se janë duke bërë. Për presionet ekonomike, që e mbajnë larg Marionën nga i biri, ndërkohë që siguron para për ta dërguar në shkollë. Për përkushtimin profesional të Terezës, për mospasjen e fëmijëve dhe për shëndetin e saj. Regjisori dhe dy aktoret e tij përdorin teknikën e njohur të ekspozicionit në retrospektivë dhe e mbrujnë me logjikë emocionale pa ndjenja keqardhjeje. Çdo zbulim është një hakmarrje.

Shfaqja “Duet për solo” në Tiranë.

“Duet për solo” , një shfaqje shumë e mirë me aktorë të mrekullueshëm dhe performancë fantastike. Nën një atmosferë të rrallë do të shihni një interpretim shumë të fortë nga aktorët Laura Nezha dhe Alert Çeloaliaj. Një tekst i vështirë, me shumë simbolika që janë përkthyer shumë mirë. Vepra shkruar nga Tom Kempinksi, përkthyer nga Artur Lena vjen në skenë me regjinë e Kiço Londos. Dy aktorët në role shkaktojnë  emocione të thella. Ata nuk dinë të zhgënjejnë dhe publiku në sallë ka për të kaluar mbrëmje të bukura. “Duet për solo” është një dramë me gjatësi të plotë nga Tom Kempinsk. Muzika ishte gjithçka për Stephanie Abrahams. Pasioni ishte trashëguar nga nëna e saj dhe kishte lulëzuar në një karrierë të suksesshme si violiniste e njohur koncertesh. Por tani, e goditur nga skleroza e shumëfishtë që kërkon tërheqjen e saj nga skena, ajo përballet me një jetë pa dashurinë e saj të parë dhe që kërcënon edhe martesën e saj. Ajo është bindur nga i shoqi që të vizitojë dr. Feldmann për ta ndihmuar, që të pajtohet me gjendjen e saj. Pyetjet hetuese të dr. Feldman e detyrojnë Stephanie të vërë në dyshim gjithçka që dikur besonte, nga hapat e saj të parë në botën e muzikës deri tek baza e martesës së saj. Gjatë një serie seancash gjithnjë e më dramatike midis Stephanie dhe psikiatrit të saj, ajo detyrohet të përballet me frikën e saj më të thellë përpara se të përballet më në fund me të ardhmen e saj.

Komedia “Kur ikën macja” në Lezhë.

Për komedinë brilante të seksit “Kur ikën macja”, regjisori Kiço Londo ka zgjedhur një kast fantastik aktorësh. Në veprën e autorëve britanikë Johnnie Mortimer dhe Brian Cooke, në role janë Vin Bejleri, Andia Xhunga, Romir Zalla, Albana Koçaj, Ina Kollçaku dhe Rexhina Ibro. “Kur ikën macja” u shfaq premierë në 1977 në The Pier Theatre në Bournemouth- Angli, dhe ka pasur sukses të jashtëzakonshëm në gjithë botën. Komploti i komedisë është i thjeshtë, por i rrezikshëm dhe rrjedh si breshëri e pandërprerë automatiku. Dy motra vendosin të shkojnë me pushime në Paris, ndërkohë që dy baxhanakët ftojnë në shtëpi dy kotele  simpatike seksi. Pikërisht atëherë gjërat fillojnë të ndërlikohen. Në një material rreth komedisë, thuhet se shanset janë që ajo të shfaqet ku dhe kur nuk e prisni. “Gjithashtu rrjedha e ngjarjeve komike në këtë super komedi britanike, mund të marrë ritëm marramendës dhe argëtimi i audiencës të dalë jashtë kontrollit. I vetmi parashikim do të jenë të qeshurat breshëri, ndërsa shpalosen ngjarjet e komedisë marramendëse”, tregohet për shfaqjen. Vepra është përkthyer nga Artur Lena. Komedia “Kur ikën macja” ishte premiera e parë e Teatrit Shëtitës “Çajupi” për vitin 2022.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

sixteen − 8 =