Të parat e Anadollit ‘Objekti i parë’ më i madh i kultit në Anadoll: Shën-Sofia

ℂ̧farë do të dëshironit të shikonit në një vend që vizitoni për herë të parë? Vallë janë hapësirat publike dhe sheshet prioriteti juaj, apo muzetë dhe objektet historike? Përgjigja e kësaj pyetjeje, natyrisht, varet nga preferencat vetjake. Megjithatë, nëse bëjmë një vlerësim në kuadër të turizmit kulturor, objektet e kultit renditen në krye të vendeve më të vizituara. Këto ndërtesa, shumica e të cilave janë të integruara me qytetin – madje ndonjëherë e lënë edhe atë në hijen e tyre, shndërrohen në një vend të pavarur nga feja duke u tërhequr vëmendjen njerëzve me arkitekturën dhe dizajnin e tyre të brendshëm. Një prej arsyeve kryesore pse një ndërtesë fetare vizitohet edhe nga njerëz të besimeve të ndryshme ose jobesimtarë është madhështia e objektit. Sepse këto struktura janë ndërtuar me idenë për të qenë mbresëlënëse dhe unike. Kjo është arsyeja pse tempujt, kishat dhe xhamitë dynden nga vizitorët sot.

Mesjeta në qytetet evropiane dëshmoi ndërtimin e shumë katedraleve me arkitekturë gotike dhe me përmasa kolosale për të theksuar madhështinë e Zotit, paprekshmërinë e kishës dhe pafuqinë e njeriut. Mirëpo shekuj para tyre, një vepër arkitekturore madhështore ishte ndërtuar tashmë në këto troje: Shën-Sofia!

Shën-Sofia është ndër pasuritë kulturore me vlera të pakrahasueshme dhe më të vizituara në botë. Ajo është ndërtuar në zemër të Stambollit, qytet që ka qenë në qendër të zhvillimeve politike, fetare dhe shoqërore në të gjitha periudhat e historisë. E mrekullueshmja Shën-Sofi i ka shërbyer njerëzimit si kishë për më shumë se 900 vjet, si xhami për gati 5 shekuj dhe si muze për 86 vjet; kurse në vitin 2020 ajo u transformua sërish në xhami.

Ajo është kisha më e madhe e ndërtuar ndonjëherë nga Roma Lindore apo Perandoria Bizantine… Në periudhën e ndërtimit të saj, Shën-Sofia ishte struktura më e madhe pas piramidave (në Egjipt) dhe këtë veçori e ruajti për 1.000 vjet, derisa përfundoi Katedralja e Seviljes në vitin 1575, pavarësisht se u ndërtua plot tri herë në të njëjtin vend. Objekti origjinal, ndërtuar nga Kostandini i Madh, njihej si Kisha e Madhe (gr. Μεγάλη Εκκλησία, Megáli Ekklēsía) duke u nisur nga përmasat e saj mjaft më të mëdha në krahasim me kishat e tjera të qytetit. Kisha e dytë u ndërtua nga Teodosi II (i Riu) dhe u përurua më 10 tetor 415. Pasi kisha e dytë u dogj nga zjarri i 13-14 janarit 532, bizantinët filluan ndërtimin e kishës së tretë (struktura aktuale) disa javë më vonë, më 23 shkurt 532, me urdhër të Perandorit Justinian I. Që pas rindërtimit të dytë, ajo filloi të njihet si Shën-Sofia (gr. ‘Aγία Σοφία; romanizuar Hagía Sophía, lat. Sancta Sophia), që do të thotë “Urtësia e Shenjtë”.

Kjo ndërtesë është kaq madhështore dhe e bukur, saqë Pal Silentiari, një prej oborrtarëve të Justinianit I dhe ndër poetët më të mëdhenj të kohës, ka shkruar një poemë epike prej më shumë se njëmijë vargjesh për ta lavdëruar atë, ku ai përshkruan në çdo detaj arkitekturën, mozaikët dhe materialet e përdorura në ndërtimin e Shën-Sofisë. Poema e shkruar nga Pali në shekullin VI, u bë menjëherë zëri i një strukture pa gjuhë dhe vite më vonë një burim referimi për studiuesit.

Shën-Sofia është mahnitëse në çdo komponent, por është kupola e saj me përmasa unike ajo që i ka dhuruar asaj titullin e strukturës së dytë më të madhe në botë. Sepse kupola e saj e lartë dhe e gjerë krijon një efekt të mrekullueshëm nga jashtë dhe siguron një vëllim me dimension të pazakontë nga brenda. Kupola unike dhe kolosale e vendosur mbi një plan katror është projektuar për të përfaqësuar pushtetin dhe madhështinë e Perandorisë Bizantine. Ajo është kaq pompoze, saqë në kohën e ndërtimit të saj konsiderohej “mrekullia e tetë” e botës.

Materialet për ndërtimin e Shën-Sofisë janë sjellë nga pothuajse të gjitha rajonet nën sundimin e Bizantit. Gjithashtu janë përdorur fragmente nga rrënojat e qyteteve antike të Anadollit dhe Sirisë. Ato më të spikaturat janë kolonat e Tempullit të Artemisës së Efesit. Mermerët e bardhë, jeshilë, rozë dhe të verdhë të përdorur në Shën-Sofi kanë ardhur nga ishulli i Marmarasë në Turqinë e sotme, Greqia dhe Siria, asokohe territore bizantine. Interieri i saj, përfshi këtu të gjitha muret e brendshme dhe dyshemenë, janë tërësisht të veshura me mermer. Çdo mermer i përdorur këtu është prerë përgjysmë në blloqe të mëdha dhe është vendosur në mënyrë simetrike.

Shën-Sofia ka qenë përherë në qendër të vëmendjes qysh prej ditës që filloi të ndërtohej, duke u bërë dëshmitare e kulturave dhe besimeve të ndryshme. Rrallëherë mund të gjesh struktura kaq të çmuara dhe të rëndësishme në botë si nga pikëpamja artistiko-arkitekturore ashtu edhe fetare. Ajo bart gjurmë pagane, të krishtera dhe islame. Prandaj konsiderohet si një prej monumenteve kryesore të botës qoftë në aspektin strukturor, qoftë në atë simbolik.

Emri i Shën-Sofisë përmendet në tekstet historike e politike që nga dita e ndërtimit të saj e deri në ditët e sotme. Por edhe në legjenda… Ajo është kaq e përsosur dhe magjepsëse, saqë thuhet se plani i saj nuk është bërë nga njerëzit, por nga dikush prej një bote të panjohur, i dërguar nga Zoti. Ky është një mit i përhapur goja-gojës për të theksuar se mendja e njeriut është e pamjaftueshme për të projektuar dhe ndërtuar një strukturë të tillë. Megjithatë emrat e arkitektëve të Shën-Sofisë diheshin që prej fillimit të ndërtimit të saj.

Shën-Sofia mbeti objekti më i madh i kultit në Perandorinë Bizantine për më shumë se 900 vjet. Ceremonia e kurorëzimit të perandorëve bizantinë zhvillohej këtu që prej inaugurimit të saj. Pas ngadhënjimit mbi Stambollin nga Sulltan Mehmeti II në vitin 1453, ajo përqafoi një identitet tjetër. Mehmet Ngadhënjimtari dëshironte që ky objekt, i cili kishte një rëndësi të madhe për botën e krishterë, të shndërrohej në xhami dhe Shën-Sofisë t’i shtoheshin elementë islamë si minarja, minberi dhe mihrabi.

Ajo iu nënshtrua një prej restaurimeve më të rëndësishme të periudhës osmane gjatë sundimit të Sulltan Abdylmexhitit I. Vëllezërit (Gaspare dhe Giuseppe) Fossati, arkitektë zviceranë me origjinë italiane, ritrajtuan jo vetëm elementët kryesorë të strukturës – siç janë kupola, qemerët dhe kolonat – por edhe dekorimin e brendshëm e të jashtëm të saj. Gjatë këtij restaurimi, një prej mjeshtërve italianë bëri tugrën e Sulltan Abdylmexhitit në mozaikët që duken sikur derdhen nga muret. Kjo është e vetmja tugër sulltani osman e bërë me gurë mozaiku.

Pas themelimit të Republikës së Turqisë në vitin 1923, Shën-Sofia e ndryshoi edhe një herë identitetin e saj duke hapur dyert për vizitorët si muze. Në kuadrin e “Parkut Arkeologjik”, i cili përfshin Shën-Sofinë, Hipodromin, Shën-Irenën, Xhamia e Shën-Sofisë së Vogël dhe Pallatin Topkapi, ajo u bë pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Kjo trashëgimi e përbashkët e njerëzimit u transformua sërish në xhami në vitin 2020, me emrin Xhamia e Madhe e Shën-Sofisë.

Shën-Sofia është vepra më monumentale e artit, arkitekturës dhe historisë së dy perandorive më të mëdha të këtyre trojeve. Ajo është një strukturë e përjetshme me elementët e saj të përdorur për herë të parë në historinë e arkitekturës, mozaikët dhe “takëmet e kaligrafisë së xhamisë” më të madhe në botë. Edhe pse ka një vëllim gjigant, ajo e përshëndet njerëzimin me madhështinë e bukurisë së thjeshtë.

Autore: Neslihan Degirmencioglu – Producente, TRT, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two + thirteen =