Shqipëria ka ende 17 mijë të punësuar më pak se sa para COVID-19

NgaGjergj Erebara

Ekonomia shqiptare vlerësohet se e ka kapërcyer nivelin e parakrizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit të ri në terma të prodhimit, por vendet e punës të mbyllura nga pandemia nuk janë rekuperuar ende, thotë një raport i Bankës Botërore.

Shqipëria numëron ende rreth 17 mijë të punësuar më pak se sa në vitin 2019, ndërsa rritja e kostos së punës përmes rritjes së pagës minimale nga qeveria ka gjasa të pengojë më tej rimëkëmbjen në tregun e punës, bëri të ditur Banka Botërore në raportin e saj të ri mbi gjendjen e ekonomisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Rritja ekonomike nuk e ka sjellë punësimin në nivelin e parakrizës. Kishte 16,800 të punësuar më pak më 2021 se sa më 2019. Të gjtihë sektorët me përjashtim të Teknologjisë së Informacionit, ndërtimit, transportit, shitjeve me pakicë dhe shumicë dhe shërbimet utilitare [ujësjellësa etj.], kanë reduktuar forcën e punës në krahasim me vitin 2019,” thuhet në raport.

Rritja ekonomike prej 8.5% gjatë vitit 2021 ishte e mjaftueshme për të rekuperuar rënien e pësuar gjatë krizës së pandemisë, ndërsa çmimet e larta të mallrave të importuara rritën të ardhurat e qeverisë dhe mbajtën në nivele më të arsyeshme deficitin buxhetor dhe borxhin publik të vendit, vëren raporti. Por në të njëjtën kohë, rritja e përgjithshme e kostove të biznesit duket se i ka detyruar këta të fundit të kufizojnë punësimet me qëllim të të mbulojnë kostot e tjera të shtuara. Për më shumë, vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale ka gjasa që do të shtyjë bizneset të mos hapin vende të reja të punës ose të ngadalësojnë ritmin e zgjerimit të punës.

“Pagat më të larta minimale krijuan presione për paga, të cilat mund të shtyjnë për më vonë rënien e papunësisë,” shkruhet në raport.

Paga minimale në Shqipëri u rrit nga 26 mijë në 30 mijë lekë në janar 2021, ndërsa u rrit së fundmi nga 30 mijë në 32 mijë lekë në prill 2022. Qeveria parapëlqen të rrisë pagën minimale sepse një pjesë e madhe e popullsisë paguan sigurime shoqërore dhe shëndetësore mbi këtë pagë, dhe rritja e saj sjell rritje proporcionale të të ardhurave buxhetore nga sigurimet. Por rritja e pagës minimale jo domosdoshmërisht sjell rritje të mirëqenies së të punësuarve. Në shumë fabrika apo shërbime ku punësohen punëtorët me paga minimale, punëdhënësit janë në gjendje të mbajnë kostot të ulëta duke mos i paguar punëmarrësit me pagë minimale apo duke i detyruar të punojnë më gjatë se sa java 40 orëshe e punës.

“Kjo rritje e fortë e pagave ka gjasa ka zhvendosur pagat drejt të ardhurave më të ulëta për shkak se firmat janë përpjekur të kufizojnë kostot e punës,” vëren raporti i BB.

Rritje ekonomike që nuk prodhon punësim

Qeveria shqiptare ka fryrë administratën publike dhe ndërmarrjet e sektorit shtetëror para zgjedhjeve të vitit të kaluar, gjë që sugjeron se situata me rekuperimin e vendeve të punës është më e keqe nga sa sugjerohet nga shifra prej 16,800 vendeve të punës të identifikuara nga BB si mangët në krahasim me vitin 2019.

Kjo mungesë në vendet e punës të krijuara pas pandemisë vjen në një kohë kur borxhi publik është rritur për të paguar ndërtimin, rindërtimin dhe punësimet paraelektorale. Rritja ekonomike është shkaktuar kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të mineraleve dhe rritjes së prodhimit në hidrocentrale si pasojë e rreshjeve të bollshme, sektorë që kanë pak impakt në tregun e punës.

Shqipëria nuk është e prekur më mënyrë direkte nga lufta në Ukrainë, por zgjatja e luftës mund të shkaktojë presione më afatgjata inflacioniste në çmimet e lëndëve të para si naftë dhe drithëra. Inflacioni në Shqipëri vlerësohet të arrijë në 5.5% deri në fund të këtij viti dhe të mbetet i lartë në vitin e ardhshëm para se të kthehet në objektiv në vitin 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

three × three =