Rënia e lirë e medias së “lirë”

Nga Lutfi Dervishi

Lajmi që Shqipëria renditet e fundit në rajon për indeksin e lirisë së medias dhe 20 vende më poshtë se vitin e kaluar mund të jetë tronditës për dikë, por jo për këdo.
Si është e mundur që fqinji ynë lindor Maqedonia renditet në vendin e 57 dhe Shqipëria në vendin e 107?!
Një koleg nga Shkupi që njeh po aq mirë edhe problemet e medias në Shqipëri më thotë: “këtu nëse bëhet një gabim nga qeveria ndaj medias, kërkohet ndjesë e merren masa dhe… këtu mediat e mëdha nuk janë borizanë të qeverisë”
Çfarë ndodhi që jemi 20 vende më poshtë?
Nëse prej vitesh (2018) qeveria vërtit një projektligj që u kritikua edhe nga komisioni Venecias dhe asnjëherë nuk e bën të qartë nëse ka hequr dorë përfundimisht apo e ka ende në sirtar, atëherë ky nuk është një fakt që nuk flet mirë për lirinë e medias.
Nëse ka incidente ndaj gazetarëve dhe asnjëherë nuk merret masë, le më të kërkohet ndjesë, kjo sjellje nuk çon në përmirësimin e renditjes. (Më kujtohet ndërkohë një skenë e pa harrueshme nga 8 janari ku një kameraman mbi makinë e TV po xhironte protestën në selinë e PD-së dhe uji me presion nga ana e policisë drejtohej ndaj tij a thua se ishte shënjestra për t’u argëtuar)
Nëse vepron me shpejtësi rrufe për të zëvëndësuar bordin e transmetuesit publik, me kandidatë në thyerje të kritereve ligjore e le më të balancës politike, kjo sigurisht reflektohet dhe mbahet shënim.
Nëse institucionet që duhet të jenë në shërbim të publikut dhe industrisë së medias kthehen në servis të qeverisë, mos prit të të duartrokasin për këtë arritje madhore!
Nëse gjatë vitit vihet re se stacionet televizive kryesore bien një pas një në dorë të klientelës së qeverisë, kjo natyrshëm që nuk ka lidhje me lirinë e shtypit.
Nëse në Shqipëri gjen televezioni të mëdha pro qeverisë, por e ke të vështirë të gjesh media të madhe pro opozitës, kjo flet për lirinë e zgjedhjes që kanë pronarët e medias, por jo për lirinë e gazetarëve.
Nëse ke një ligj shumë të mirë për informimin e publikut me dokumenta zyrtare, por zbatimi i tij vjen duke u përkeqësuar, në teori do të marrësh note maksimale, ndërsa në praktikë notë jo kaluese.
Nëse gazetari kritike/hulumtuese në Shqipëri bëhet vetëm nga media që financohen nga donatorët, nuk ka se si kjo të llogaritet në favor të mjedisit të shëndetshëm të të bërit gazetari cilësore!
Nëse investigimet e gazetarëve nuk merren parasysh nga politika dhe sistemi i drejtësisë, por gazetarët bullizohen apo etiketohen si kazan atëherë gjasat janë që renditja të vijë duke u përkeqësuar.
Nëse tendenca është për të shmangur median, për t’u bërë vetë media, për të bërë propagandë nga mëngjesi në mëngjes dhe për të kontrolluar mesazhin duke centralizuar në maksimum informacionin mund të marrësh mijëra e qindra mijëra like dhe komente pozitive në facebook, por kjo nuk ka lidhje me lirinë e medias.
Nëse zgjedhjet, kurdo bëhen ato, raportohen nga partitë dhe jo nga media, kjo do të thotë se media nuk është e lirë.
Nuk mund të kesh media të lirë në kushtet e frikës, pasigurisë dhe korrupsionit. Një media e lirë do të thotë që gazetari dhe redaktori i marrin vendimet vetëm bazuar mbi ndërgjegjen e tyre profesionale dhe jo nga celulari.
Nëse në media nuk gjen kritikë dhe hulumtime, por vetëm propagandë e miksuar me “kacafytje” “debati” të formatit dy-tre këtej dhe dy-tre andej, do të thotë se ke garantuar spektaklin, por jo domosdoshmërisht shëndetin e pushtetit të katërt.
Pushteti i katërt është është qeni roje, dhe jo zagari (qeni gjuetisë) apo qeni zbavitës i shtëpisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

16 − ten =