Presidenti i ri/ PS dakordësi me opozitën: Më 10 maj fillon procesi

Procesi për zgjedhjen e Presidentit të ri do të nisë më 10 maj. Data u arrit në dakordësi mes opozitës dhe maxhorancës, pasi deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj u shpreh kundër nisjes së raundit të parë të votimit më 10 maj.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ra dakord me Alibeajn dhe propozoi që në datën 10 maj të nisë procesi, ndërsa në datën 16 maj të zhvillohet raundi i parë i votimit. Balla theksoi se deri më 15 maj ora 16:00 është afati për dorëzimin e emrave kandidatë për President pranë Kuvendit.

Balla ka kërkuar se kandidatura nuk duhet të ketë më pak se 20 firma dhe asnjë deputet nuk duhet të firmosë më shumë se sa një emër.

“Bie dakord me propozimin e Alibeajt që fillimi i procesit të konsiderohet data 10 por duke bërë arsyetimin që sapo njoftova me publikun që mbledhja e konferencës së kryetarëve të jetë një mbledhje vijuese. Që data 16 të jetë raundi i parë. Besoj që me këtë propozim i kemi përmbushur pritshmëritë për një proces serioz. Në çdo rast mbledhja ndërpritet pa vendimmarrje. Deri në datë 15 në orën 16:00, në kuvendin e Shqipërisë të jenë dorëzuar emrat sipas procedurës të shoqëruar me firma. Jo më pak se 20 firma. Asnjë deputet nuk mund të firmosë më shumë se një emër. Me datë 16 Komisioni i Ligjeve të bëjë shqyrtimin dhe verifikimin përkatës. Dhe pastaj të shkojmë në seancën plenare pasdite për t’i lënë kohë komisionit të ligjeve. Mendoj që fakti që sot jemi të gjithë bashkë është një ogur i mirë. Duke e marrë të mirëqenë që gjetëm dakordësi për njërin propozim. Propozimin Mediut nuk jam i gatshëm ta pranoj. Besoj se kemi vënë baza të shëndetshme”, u shpreh Balla.

Më herët, edhe kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu kërkoi që në proces të përfshihen të gjithë deputetët e Kuvendit, duke theksuar se Presidenti i ri duhet të qëndrojë mbi palët.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

two + three =