Koncert homazh për ikonën e artit shqiptar Gulielm Radoja

Një koncert recital homazh për aktorin Gulielm Radoja do të luhet në piano nga i biri Red Radoja. Koncerti zhvillohet nesër në mbrëmje në odeonin “Nikolin Xhoja”, në qendrën kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Në programin muzikor janë vepra nga autorët Jospeh De Boismortier, Jean-Francois Tapray, Theodore Gouvy, Louis Thirion, Florent Schmit dhe Red Radoja. Gulielm Radoja (2 korrik 1945 – 5 maj 2021) ishte një aktor i njohur i filmit dhe teatrit shqiptar. Pas përfundimeve të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve) për Dramaturgji në vitin 1972, fillon punën si aktor profesionist në teatrin e Librazhdit. Më pas largohet nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas si aktor në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet e tij në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” nga Heinrich Boll, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit, etj. Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i tij i parë ishte ai i inxhinierit të pyjeve në filmin me titull “Gjurma”, në vitin 1970. Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim të verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj. Për meritat e tij artistike Gulielm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”. Aktori i njohur ndërroi jetë një vit më parë më 5 maj, pasi prej javësh ishte prekur nga Covidi-19. Teatri “Aleksandër Moisiu” Durrës e cilësoi atë kohë një humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme për kinematografinë shqiptare, teatrin, familjen e tij të dashur dhe të gjithë ata që u rritën me rolet e aktorit Gulielm Radoja.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

four × 4 =