Deputetët e PD kërkojnë ngritjen e Komisionit për Investimet Strategjike

Partia Demokratike ka ndërmarrë një iniciativë për verifikimin e procedurave për dhënien e statusit të investitorit strategjik, duke marrë shkak nga rastet fundit të denoncuara si afera.

Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Dashnor Sula, Lefter Gështenja, Arbi Agalliu dhe Ferdinand Xhaferraj i kanë drejtuar Kuvendit një kërkesë për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për Investimet Strategjike në mënyrë që të verifikojë dhëniën e statutit.

Deputetët kanë marrë shembull tre raste: resorti turistik i aktorit të humorit Gazmend Paja, rasti i bashkëshortit të ministres Olta Xhaçka, Artan Gaci dhe Portin e Durrësit. Sipas deputetëve mbi këto projekte ka pasur hije dyshimi për korrupsion, favorizim, paligjshmëri, klientelizëm dhe arbitraritet.

“1. për rastin e Portit të Durrësit;

2. rastin e anëtarit të Këshillit Bashkiak Tiranë (PS), z. Gazmend Paja, i cili ka përfituar 133 mijë m2 në Dhërmi; dhe
3. rastin e bashkëshortit të ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe deputetes së PS-së, znj. Olta Xhacka, ish-deputeti socialist z. Artan Gaci, i cili ka përfituar të drejtën e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë.
“Me qëllim shqyrtimin e të gjitha praktikave të deritanishme të ndjekura nga Komiteti i Investimeve Strategjike, vlerësimin e mundësisë për hartimin e ndryshimeve ligjore në ligjin nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë” me qëllim parandalimin e të gjitha praktikave të paligjshme, abuzive apo korruptive, duke pasur parasysh edhe rëndësinë thelbësore që ka për ekonominë tonë rritja e përthithjes së investimeve vendase dhe të huaja, nëpërmjet procedurave të ligjshme, transparente dhe meritokratike, çmojmë të nevojshme ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për Investimet Strategjike”, -thuhet në kërkesën e 7 deputetëve të PD.

Komisioni propozohet të ketë për objekt të veprimtarisë së tij: (i) shqyrtimin e të gjitha praktikave të deritanishme të ndjekura nga Komiteti i Investimeve Strategjike;
(ii) hartimin e ndryshimeve ligjore në ligjin nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë”; dhe
(iii) shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për Investimet””, thuhet në shkresën drejtuar Kuvendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

three × one =