CIKLI I PLOTË: RADOVAN ZOGOVIQ “ARDHËSIT-KËNGËT E ALI BINAKUT”

Ju ftojmë të lexoni veprën kulmore të poetit,përkthyesit, publicistit, veprimtarit politik dhe akademikut malazes Radovan Zogoviq, “Ardhësit-Këngët e Ali Binakut”.

Fati tragjik i shqiptarëve të Kosovës, por edhe qëndresa e tyre përballë dhunës, jepet me ndjenjë e frymëzim nëpërmjet të figurës së Ali Binakut, që personifikon fshatarin tipik shqiptar të Kosovës.

Vetë autori e ka karakterizuar këtë vepër si një “dokument lirik të vuajtjeve të popullsisë shqiptare në ish Jugosllavi” dhe si një “protestë ezopiane kundër politikës serbomadhe”.

Ky cikël poetik u botua brenda veprës “Pëllumbat e flaktë” (1937), dhe shkaku i tematikës, u ndalua dhe u konfiskua nga policia.

———–

“Ardhësit – Këngët e Ali Binakut”, si cikël prej njëmbëdhjetë këngësh, u botuan për herë të parë shqip më 1949 në tre numra fillestarë të revistës “Jeta e Re”, në përkthimin e E. Mekulit dhe N. Begollit; përndryshe – ciklin, asht si ka qenë në botimin e parë, e pati përkthyer më 1938 Mikel Marku, punëtor nga Peja, por dorëshkrimi humbi. Përkthimi i tashëm (i vitit 1968) u bë sipas botimit të vitit 1958, shkruante Esad Mekuli.

KËNGA E PARË

Unë Ali Binaku heq tespihet e mij të shurdhër
dhe me çdo kokërr të rëndoj mbi qafë vargun e gurëvet
unë Ali Binaku të mallkoj gjithë ç’ke deri në farën e gjinisë sate!

Pse, pse në pullaz ma vrave të shenjtin shpend, lejlekun?
Në oxhakun tim i falej allahut,
në oxhakun tim puthte sqepat e bardhë
që si bima prej bucës shpojnë lëvozhgën e vesë,
prej oxhakut tim shtrinte në votrën time rrembat e bardhë,
dhe kurrë me krah s’ma rrëzoi mollën prej rrembi,
dhe kurrë me sqep s’ma shpoi syrin e kuq të qershisë
(që të kullojë ninëza e kuqe!) –
shpend i shenjtë
kur pushka e parë krisi në të –
me habi shikoi syhapur shpend shenjti;
kur pushka e dytë krisi në të –
vetëm qafën përkuli si lulja e bardhë në erë;
kur pushka e tretë krisi në të –
ra prej oxhakut tim, i përgjakur,
në pullazin tim…

KËNGA E DYTË

I rrëzuen gardhiqet e mija si të lashtat,
i shkelën gardhiqet e mija si të lashtat e ndeme;
i shkelën livadhet e mija të blerueme
si rrushin.
Livadhi pranveror është si uji i kthejlltë i blertë-
sa dielli mos me turbullue me gishtat e vet;
livadhi bardhë-lulue si bora e parë-
sa zogu gjurmën mos me lanë mbi të;
era mos m’u valvitë mbi barin e vesuem-
mos me gafrrue!
I rrëzuen gardhiqet e mija si të lashtat,
i shkelën livadhet e mija si rrushin.

Këmba ime kurrë nuk shkeli mbi gardhin e tij,
këmba ime kurrë nuk la gjurmë në livadhin e tij
(as kur ka borë mbi të deri në gju),
as dhuja ime kurrë
nuk hypi në gardhin e tij pipat e murrizit m’i ndukë.
Në livadhin tim qinda rre si mbi borën e vjeme.
Dhe shih, kalon ai si dje nën degët e rëndatë qershive
të mija,
ndalet dhe degën shqyen,
e asaj, si gjerdanit të këputun,
iu dridhën dhe iu derdhën inxhinjtë e kuq të qershive.
Dhe plaga ku dega u shqye
u mbush me gjak.

KËNGA E TRETË

O natë,
mos po kalojnë ushtritë mbi ura,
apo era thyen degët e pemishtes sime,
apo trerët bora po i rrëzon në pullaz?

Jo, nuk po kalojnë ushtritë mbi ura,
nuk po i thyen era degët e pemishtes sime,
nuk po i rrëzon bora trerët në pullaz.
Po kali i tij bën lëmë në misrin tim
tanë natën, tanë natën…

Po e ndiej- qerret e topave po kalojnë nëpër misër:
thyhen kërcejtë e njomë të kallijve,
thyen brijët e njoma të fletëve.
Po e ndiej- dushmani dalldiset në qilarin e bijës sime,
shkel me gjunjë shtratin e saj vajzëror,
junguron si qeni nën fytin vajzëror.
Këtu është- me thundër më shkel në brijë!
Shkon ai arës- zekosat nën të kalohen.
Ai me buzët e lagta tramakët i prek,
me dhëmbë këput majën e skuqun të gjinit,
dhe kafshon-
prej dhëmbëve tambëli i shkumon.
Ndërmjet mbrëmjes e meje shtrihet viti i rëndë,
dhe ai është gjithë natën mbi mue-
m’i shkel brijët me thundra.

KËNGA E KATËRT

As shirat nuk po e kujtojnë tokën, as gjumi shpirtin.
Dhe gjethet gjithë natën pëshpërisin për zhurmën vesore
të shiut,
dhe buzët e thara që ëndrra si rrebesh të ushtojë.
Ushto, i duhishmi, në degën e arrës , ushto,
laje ndryshkun e mollave, njomi sqetullat e kallijve,
freskoji pullazet, vaditi livadhet e shkeluna,
mbushi shtambat e gurrave dhe përmbysi.
Ushto, i buti! Dhe unë po flej, e ti ushtomë,
dhe luhatma deri në agim degën nën dritare,
si djepin përkunde.
Po pse të ushtosh, pse degën të ma luhatish?
A thua nesër do të shoh zallin e shpërndarë në rrugë,
dhe turmat e pazarit, si dyndje gazmore?
A sdo të shoh qetë brij-lagur,
dhe qerren mbas tyre, mbushë fasule të bardhë,
dhe fasulen në rrugë- sedefe në dru?
A thua do të shoh kuaj të bardhë shale,
kur guaskat e thundrave shpërndajnë nëper zalle,
dhe xingojnë me takam, e këmbësorët i ngacmojë me buzë,
e pasqyrat e vockrra të fyejve të Gjakovës
hedhin flutura të bardha
në degët e arrës,
në dritaret e vashava?
Si të flej? I zgjuar çka të shikoj?
A pemishtet tona, ku as qengjat lëshue nuk janë,
e tash i ndyejnë thitë dhe bagëtitë e ardhësve?
A shartimet e merakut, që as puhia s’i përkuli,
e tash thyejnë dhitë damtore të ardhacakëve?
A rrugët e pazarit, ku qetë e zbathur shqepojnë,
dhe qerret ciasin, e rrotat luhaten?
A kalorësit e rrallë dhe kuajt e shalës
prej të cilavet këmbësorët e zbathur fshehin këmbët
në hendek?
Apo burrat – të armatosur dhe kostarë,
me duqet rreth qafe,
me vargje specash në krah?
Pse t’ushtojsh, pse të ma lëkundish degën?…

KËNGA E PESTË

Druaj prej odës së shurdhër në muzg,
frikohem prej kumbonave të shkreta të ogiçëve varur në tavan
që lehtas në erë gjëmojnë.
Dhe iki nën bli, i kryqëzoj këmbët në lendinë
dhe pres, pres-
që dhentë e lopët, prej kullose, të mbushin rrugicat e katundit,
që të sjellin hare në katund,
që të sjellin prej fushe lule midis thundrave,
që të sjellin tambël në gjij.
Druaj prej odës së shurdhër në muzg,
frikohem prej kumbonave të shkreta që lehtas në erë
gjëmojnë-
dhe iki nën bli, dhe kryqëzoi këmbët në lëndinë,
dhe pres, pres…
Prej prone të tëhuajur, shtratit të rrugëve të dhiareve,
muzgu i shkretë kërcëllin me thundrat e vetarëve.
Maja e qinarit fluturon e bie si zogu në pe,
muret dhe gardhiqet hitha kundërmojnë.
Shkreti… Vërshima e territ i mbyt gërmadhat
e shtëpijave. –
Tufat s’kanë me sjellë në vedrat e gjijve tambël n’katund,
dhentë s’kanë me pru lule midis thundrave.
Tufat tona, të bardha, si dhëmbët e rralluem,
torishtat e kullosat tona u lavruen.
A din ti në muzg si lehin qent ndër dhenë,
a din ti të lehmet e tyne si flakërojnë
(flakërojnë!)
si zjarret gazmore rreth torishtës?
A din ti
si duket sisa e plotë në gojën e qengjit?
Hej, bari po rritet mbi rrugët tona!
Udhët tona të gjana janë lavrue.
Baj be-
në vorre rritet kompiri!

KËNGA E GJASHTË

Tufat tona te bardha si dhëmbët e rralluem,
rrugët e bjeshkëve u mbuluen me bar.
Dhe ditët e verës, shtegtare të etshme, vijnë e shkojnë,
e re s’ka prej deti as në det.
Është mesditë. Digjet Çellopeku. Varen rrembat e molisur,
gurët ashpër erësojnë, në squfur.
Tri dhen, të ndame tufet, ecin në rrugën që përvlon
si të verbëra dhe njërapastjtrës si të lidhura.
Dhe kudo që jam, kudo që ulem: ulurojnë qentë e barinjve,
dhe çelin gropa, dhe kujisin nën dhe-
kujisin prej zhegut, prej mallit për bjeshkën.
Dhe ditët e etshsme vijnë e shkojnë,
e re s’ka as prej deti as në det.
Është mesditë. Digjet Çellopeku. Në bjeshkë përrojet gufojnë
dhe njomin barin, dhe njomin brejt deri në gju.
Krojet rrahin lugjet ujëvarëse,
pashiten në erë, stërpikin lugoren.
E pishat ushtojnë si shpellat dhe murlani,
me zërin e vetmisë
së lashtë,
stërlashtë në bjeshkë.
Në cilën bjeshkë zani nuk po ndihet? Në bjeshkën Shtedim
zani nuk po ndihet.
As qen më s’ndien, as kmesa t’bërlykun,
as këngë, as sqepari, as tareq mejdanxhinj.
Aty lëpushët ngrihen, mbulojnë stanet e shkretnueme,
dhe toka i bren hujt e torishtave mbi nye,
dhe bari del nëper dërrasa e trina.
Tufat tona të bardha si dhëmbët e rralluem,
Në bar mbueluen udhët dhe kryporet.
Në barin e bjeshkëve tona, në barin e madh vesor
ulkojat lajnë gjijtë dhe këlyshët ushqejnë,
dhe këlyshët ushqejnë
në kullosat e shkreta të bjeshkëve tona!

KËNGA E SHTATË

Mos qaj, moj Zizë Nimonja e Nimon Alisë,
në gjumë mos qaj, mos nem çobaninë tënde,
bjeshkët mos i ëndërro, as kullosat vesore deri në gju,
as mrizet mos i ëndërro, as krojet e akullta.
Flij, çobanesha ime herake!
Dhe herët zgjohu, dhe lopën gurishtës teposhtë lëshoje,
teposhtë Bistricës, lumit shterak.
Aty do të gjejë fletë të idhta në rremb,
dhe vesë do të gjejë-
vesë mbi gur.
Mos lëngo në gjumë, suta ime e rrëmbyeshme,
mos i nem sytë, as nëntër vjetët e tua mos i mallko,
mos ëndrro hurdhat e zez në rrah,
ku bari thahet, ku bari prej gjaku s’rritet.
Flij, çobanesha ime gjumëlehtë!
Po vijnë shirat vjeshtore- shirat kanë me la tokën,
kanë me la, me farë kanë me mbjellë.
Bari do të gufojë, dhe bari gjithçka do të mbulojë,
i blerti bar
harrestar.
Mos lëngo, plep, mos u dridh prej ethesh të blerta,
flokët e imtë mos i shkull, mos i thyej duart e vogla
gishtëholla,
prej lajthishtes mos u tremb, mos ëndërro të dekë-vramin,
që vra e kanë te kroi, fëtyrën me lëpushë mbulue.
Flij, çobanesha ime ëndërrkeqe!
Po vijnë shirat vjeshtore- shirat kanë m’i rrafshue gropat,
kanë me i rrafshue, me farë kanë me i mbjellë.
Bari do të gufojë, dhe bari gjithçka do të mbulojë.
i blerti bar
harrestar.
Flij, çobanesha ime herake!
Që të çohesh heret, që lopën në kullotë ta lëshosh.
Që ushqim të gjejë- së paku një fletë të idhët në rremb,
dhe vesë të gjejë, së paku mbi gur!

KËNGA E TETË

Na ranë, tinëz na ranë,
në prehje të mëngjesit nën bli na ranë.
Dhe na rrëzuen, na zbërthyen, na shkelën
si dushmanët duajt e dushmanëve.
Na ranë nën blirin hijetar
që me degë mbulon nyjzën gjashtë rrembësh
e me maje ia kalon tymit të oxhaqeve.
Na ranë, nën bli na ranë
ku gjyshat na rrijshin në mëngjese dhe mbrëmaneve verore,
dhe pyetshin për shëndet, pyetshin për zekosat,
shkrepshin urorin, retë i shikojshin,
dhe kosat mprehshin, dhe kuajt endshin.
Dhe na rrëzuan, nas zbërthyen në bar, na shkelën,
aty ku, në mëngjese heret, në muzgjet hijerënda verore,
rrijshim edhe na, ngushtue travajesh,
me shata të topitur, me kosëza të ngranme,-
dhe çekiçat e kosave, dhe kujdeset, dhe duhanin ndajshim,
dhe fjalë uzdaje prej goje në gojë nedshim
si prushin e mbuluem të nadjes
prej votrës në votër.
Tash bliri- qyqe vetëm. Dhe unë plaku e kujtoj
Porsa hija e tij rrugën përgjysmë vërshen e shkim,
kojshitë i pëves për shëndet, ata më nuk janë.
Dhe rrij, rrij. Me degët kuvendoj
në gjuhën e gjetheve. Dhe zogjtë i kuptoj.
Edhe zogjtë thonë: nuk fryejnë erëra ndër degë
që të shitojnë zogjtë, që zogjtë t’i rrëzojnë prej degëve,
po qe degët-
po që degët zogjtë t’i mbrojnë.

KËNGA E NËNTË

Mos qaj, Ibish, nxënës-peng te ardhësi,
mos copëto shpirtin, mos i mundo sytë dhe mos qaj.
Po, me strajcën e nxënësit me shkronja të huaja ti je për mue
kallam misri shtalb me lungë të plumbët.
Kur i mëshon shuplakë librit, ti me shuplakë godet
në gozha të germave, të mprehta si gozhda
në të dy anët të mprehta.- Por mos qaj,
mos qaj Ibish!

Vuajtje e pikëllim- pse i imi më je më shumë se dielli im
në qafë,
dhe mbi vorrin tim, prej dheut të gjelbtë brenge e urrejtje
bari nuk do të mbijë- i gjelbërti bar harrestra.
Por ti mos qaj. Kur e zeza bie mbi njeriun,-
he burrë, mos qaj. Ibish, he burrë, Ibish Nimoni,
mos qaj, shtrëngoi dhëmbët dhe mos qaj;
he burrë, Ibish,
mbaje mend se kush je dhe i kujt je!
Mbi mua të vetmin, në kohën fishire në mua,
që qytetet tona dhe katundet i çojshin si gotata
dhe i cokrojshin mbi tryeza e kufij
dhe i hidhshin copë-copë, prej mllefit ose qejfit,
dhe kuajt i ushqejshin me bukë, dhe shpatat me mish,-
tre mbretër, që vijshin për mos me shkue,
dhe shkuen,
si vegshat u thyen.
Mbi ne në mua, sa kap kosa e një jete,
kanë qenë tre krala, që vijshin për mos me shkue,
që ngrehshin topat në shtatë rrugë dhe kufij
dhe na goditshin me zjarrë, dhe na qëllonin me fjalë
të mëdha me na ngri,
dhe na shkundshin si pemët, dhe na qethnin si delen,
dhe na thurshin në lese, hujtë e të cilave zblidhen në nyje,-
tre krala, që vijshin për mos me shkue,
dhe shkuen,
si vegshat u thyen.
Hullive të këtyne arave, rrudhave të këtij balli
kanë kalue pashë Shemsi-pashët, Savë-Pataret, Teodor-bashet,
sejmenët, krillashët, gjindarmët, qyskitarëtdajakxhinjtë,
fajdexhinjtë dhe ryshfetçitë, kalemxhinjtë-tupanxhinjtë…
Dhe kanë kalue, prinjësit dhe ushtri. Aq më pakthim,
sa lavdoheshin si të amshuem. Aq më papritmas,
sa më të fortë që dukeshin. Quhen ishin, dhe do të quhen,
do të quhen
ajo që është!
Do të quhen ishin. E na- na të parët e të mbramët,
na të mëkëmbur, na rranjë të rranjosur që ecë,
na të premë, na që mbrohemi dhe përtrihemi
në dhjetë filiza, mungullojnë në tri thika,-
këtu jemi, dhe do të jemi- që mëhallat të rriten në
katunde,
katunishtet në katunde, që bimët të gufojnë prej
rruzgjerës,
që dielli të mbëltojë fidanët e tij në ujërat e vërshueme
mbi gryka,
që kuajt tanë të shalës të shkelin vanat e përrojet
dhe të qëndrojnë mbi yje, dhe yjet të fluturojnë copë e grimë,
që me këngë të dijmë çka bëjmë, që ti të mugullojsh,
të rritesh,
që të thuash se kush je dhe i kujt je!
E ti mos qaj. Kur e zeza bie mbi njeriun,-
he burrë, mos qaj! Ibih, he burrë, me zemër ti kaloje
edhe librin e dhunës- kur është edhe libri fuqi,
duro dhe mëso- kur është më fuqi dhe libri!
Dhe në të, madje në te të gjindarmueme, të zotnijueme,
do të gjejsh se nganjëherë është më burrërore dhe më e urtë
rrugët me i lavrue, se arat e Metohisë.
Nga ajo dikah ka ardhë se për ate
që ligjin e ka në topuz, gjurmët i qelbën me panjerëzi.
Diku në te ka shkrue Mark Milani në Medun
që të dihet se kush jemi dhe të kujt jemi.
Pra, mos qaj. Të zezës kaloja me trimni.
Dhe prej atij libri, dhe të atyre mbas këtij dhe mbas tyre,
mëso që të mundesh- ku libri kresë nuk i ndihmon,
e kryet dorës, mos qofshin as krena as shkronja,-
mëso qe të krijosh, kërko që të dallosh
kur, me kë dhe qysh-
që knjiga të quhet l i b ë r, glava të quhet k r y e,
sloboda- të quhet- l i r i.
Dhe atëherë, Ibish, urithi im rreth belit,
atëherë
lapsi në gishtat tu, që i puthi të dhjetët në majtha,
nuk do të jetë kunj mundues, i rrasun midis gishtave,
jo!- ai do të jetë edhe më i butë edhe më i njomë
se fletët e barit mongjesor me të cilin fshin kosën,
se griha, e butë dhe e lagët, në dorë heret në agim,
në dorën që dashunoj të kositësit që dua,
do të jetë- mbaje mend se kush jemi dhe të kujt jemi!


KËNGA E DHJETË

Ranë malet tona
si ushtritë e kosituna.
Tokën si thitë e rrëmojnë
rrënjë drunjësh duke kërkuar.
Burimet tona dhe përrojet i danë prej nesh,
të lashtat tona i thith dheu dhe i ushqen.
Ujin për bahçe e për ara-
me pare e blejmë.
E qe- prej kullosave dhe maleve tona
dhe në arat tona kaluen shtizat majemprehta,
në arat tona kaluan veglat këmbëmprehta.
Dhe me këmbë të verdha, si zogjtë grabitqarë,
çapojnë prej brazës në brazë
dhe masin me sy të zez…


KËNGA E NJËMBËDHJETË

Erdhën tokë-ngrënësit me jugun e parë
kur toka e bardhë u qëndis në lara
me viza për brazë, me germa për farë.
Erdhën tokë-ngrënësit, arat i matën, vijat i shënuan,
e vizë mbi vizë, megje mbi megje paluan,-
tokën tonë
si fjalën tonë
me shtatë dylla e mbyllën.
Dhe ditët shkojnë. Metohija gufon tambël.
Le të shkojnë. Le të gufojë. Gurrat le t’i luajnë gurët,
buburrecat e murrmë le të brejnë lëndinat si sharra,
sythat, duke çelur, rrembat le t’i fillojnë.
Ti, i Ali Binakut Nimon Alija,-
duart e tepërta paloji në prehër.

Dhe ditët shkojnë, si kalorës vëllezër të një fisi
që njëritjetrit në ndihmë i vrapon dhe asnjëri nuk kthen.
Po vjen pranvera! Lëreni, le të vijë,
djemt e Ali Binakut, të Binak Rrustemit,
speca le të mbjellin, ata që arat lavrojshin
dhe njëzet brazë me një të sjellme mbillshin;
pulat le t’i ruajnë, ata që ruajshin dhent
dhe tufave u prijshin, dhe këngë trimërie këndojshin,
dhe pushkë qitnin në shenjë nëpër bjeshkë.
Nipat e Binak Rrustemit le të bëhen hyzmeqarë,
mbesat-
hyzmeqare!
Duart lavërtare t’i palojsh në prehër!
Fusha ka thithur borën si pogaça tablin.
Dhe- burra, mbi bukë betohen!-
në arat tona ardhësit plugje kanë pru,
nën themel po na lavrojnë.
Burra ndër ardhësa, burra nëpër ara,
ndalni plugjet nëpër braza,
mbani farën në grushte,-
ndëgjoni!
Ai plug, që u ngul në arat tona,
nuk është- plug,
s’është plug, as umi s’është um!
Ata kanë ngulur thikën midis nesh
në mishin tonë të tokës!

Përktheu: Esad Mekuli

________________

Biografia

*Radova Zogoviq u lind më 19 gusht të vitit 1907, në fshatin Mashnicë dhe u shkollua në Pejë, ku ishte vendosur familja e tij gjatë fushatës së kolonizimit të Kosovës me banorë sllavë. Më tej ndoqi studimet në Beograd, ku hyri në Lëvizjen komuniste dhe bashkëpunoi me revistat përparimtare të kohës. Mori pjesë në Luftën ANÇ, duke u bërë njëri nga udhëheqësit e lartë të saj në Jugosllavi.
Në vitin 1948 u gjykua si “informbyroist”, u përjashtua nga radhët e Partisë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ) si dhe iu hoq e drejta e botimit.
Krijimtarinë letrare e pati filluar në vitet `30. Përmbledhja e parë me poezi “Grushti” u botua në vitin 1936, e cila u pasua më veprën “Pëllumbat e flaktë” (1937), e që u ndalua dhe u konfiskua nga policia për shkak të ciklit prej 11 vjershash me titull “Ardhësit. Këngët e Ali Binakut”, që përfshihej në të.

Vdiq më 4 janar të vitit 1986, në Beograd, ndërsa u varros, sipas amanetit që pati lënë, në një fshat pranë Deçanit.

ObserverKult

Leave a Reply

Your email address will not be published.

11 + 15 =