Çfarë përfshin pasuria e sekuestruar e deputetit Mahmutaj

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka dalë me një vendim ku njofton se ka konfiskuar pasuritë e deputetit demokrat Kasëm Mahmutaj.

Ky vendim ka ardhur për shkak se pasuritë e tij dhe të pjesëtarëve të familjes së tij janë të pajustifikuara, fakt që sipas Gjykatës ka dalë pas një hetimi pasuror të kryer nga SPAK mbi pasuritë e vëllait të tij, Gazmend Mahmutaj. Ky i fundit u gjet fajtor dhe u dënua gjatë vitit 1993 për akuzën shfrytëzimit të prostitucionit në Itali. Në vendimin e shpallur nga gjyqtarja Etleva Deda, numërohen 22 pasuri të konfiskuara ndaj tre vëllezërve Mahmutaj, mes të cilave ndodhen edhe pronat e deputetit. Burimet saktësuan se nga deputeti Kasëm Mahmutaj me urdhër të gjykatës kaluan në favor të shtetit dy apartamente, dy sipërfaqe trualli dhe një automjet.

Ndonëse familjarët, përfshirë edhe deputetin, i deklaruan pasuritë si të ardhura nga emigracioni, Gjykata vlerësoi se pasuritë e Behar, Kasëm dhe Gazmend Mahmutaj nuk justifikohen dhe se ka dyshime që burojnë nga krimi sa kohë ky i fundit rezulton i dënuar. Vëllai i deputetit, Gazmend Mahmutaj me emrin e ndryshuar në Eduart Toska rezulton të jetë shpallur fajtor nga Gjykata e Veronës në nëntor 1993. Ky vendim për akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit është konvertuar në Shqipëri me 8 vjet burg në të njëjtin vit. Ndërkohë që në vitin 2020 pasuritë e të dënuarit dhe familjarëve të tij u vendosen nën kontrollet e OFL (Operacionit Forca e Ligjit) e më pas të kërkimeve të SPAK që shkoi në Gjykatë me kërkesë bllokimi të të gjitha pasurive që sipas prokurorëve të çështjes nuk justifikoheshin. Deputetit dhe dy vëllezërve të tij iu është lënë pa konfiskuar vetëm nga një banesë që u toleruan nga Gjykata për motive sociale dhe strehimi.

VENDIMI I GJYKATËS

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë prej gjyqtares Etleva Deda, në seancën e fundit që daton 22 shkurtin e këtij viti, ka kërkuar konfiskimin e pasurisë së deputetit të Partisë Demokratike dhe të disa familjarëve të tij për shkak të lidhjeve me Gazmend Mahmutajn, një emër i njohur sipas gjykatës që në vitin 1993. Sipas të dhënave të shquara nga vendimi i Gjykatës saktësohet se çështja në ngarkim të familjes Mahmutaj është regjistruar që në fillim e dhjetorit të dy viteve më parë dhe vendimi për konfiskimin ka ardhur pas disa seancash, thotë gjykata. Hetimi fillimisht ka nisur nga Operacioni Forca e Ligjit për pasuritë e Gazmend Mahmutaj, pasi vëllai i deputetit, rezultonte i dënuar për akuzën shfrytëzimit të prostitucioni në Itali. Çështja u gjykua fillimisht nga gjyqtari Bib Ndreca, por pas largimit të tij nga sistemi, me short dosja u mor nga gjyqtarja Etleva Deda, e cila në përfundim ka vendosur konfiskimin për 22 pasuri të tre vëllezërve Mahmutaj, mes të cilave edhe disa prona të deputetit Kasëm Mahmutaj, i cili ka qenë dy herë kandidat për kryetar Bashkie në Urën Vajgurore dhe në Berat si dhe anëtar i Këshillit Bashkiak në tri Legjislatura. Gjykata ka urdhëruar kalimin në favor të shtetit për dy apartamente, dy sipërfaqe trualli dhe are dhe një automjet, të cilat janë gjetur në emër të Kasëm Mahmutajt, ndërkohë që në total numri i aseteve të konfiskuara në emër të familjarëve të deputetit është 25. Deputeti rezulton bashkëpronar edhe në disa pasuri të tjera, të cilat janë konfiskuar, duke i lënë atij vetëm një apartament dhe një makinë për përdorim. Por ky vendim nuk është i formës së prerë e për pasojë mësohet se deputeti do të apelojë për të rimarrë pasuritë e veta.

PJESË NGA VENDIMI I GJKKO-SË

“Nga aktet rezulton se: I.3. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka regjistruar aktet me nr.118 Prot., datë 01.09.2020, të dërguara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit me shkresën nr.114/ Prot. datë 31.08.2020, që bëjnë fjalë për pasuritë në zotërim të shtetasit Gazmend Mahmutaj dhe familjarëve te tij.

Me vendimin e datës 30.11.1993, me nr.14 Regj. Them., të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, është vendosur njohja e vendimit penal të Gjykatës për Hetime Paraprake pranë Gjykatës së Veronës, datë 30.11.1993 (i cili ka marrë formë të prerë në datë 29.12.1993) për të dënuarin Eduarto Toska (alias Gazmend Mahmutaj), si dhe njohja e vendimit penal të Gjykatës së Veronës, datë 10.01.1997 (i cili ka marrë formë të prerë në datë 20.10.1997), për të dënuarin Eduarto Toska (alias Gazmend Mahmutaj), duke u vendosur konvertimi i dënimit për veprën penale Shfrytëzim prostitucioni” me 8 (tetë) vjet burgim, në bazë të neneve 114 e 25 të Kodit Penal.

Sa më sipër, rezulton se shtetasi Gazmend Mahmutaj (alias Eduarto Toska), i biri i Bajramit dhe i Sanijes, i datëlindjes 30.06.1969, lindur në Berat dhe banues në Berat, lagjja ‘Çlirimi’, nr.1, rruga e Teqesë, me numër personal G90630050L, është dënuar në shtetin italian për kryerjen e veprës penale ‘Shfrytëzim prostitucioni’, e parashikuar nga nenet 114 e 25 të Kodit Penal, e për pasojë, në referim të nenit 5 të aktit normativ nr.1/2020 është subjekt i tij I.4. Mbështetur në nenin 18 të aktit normativ nr.1 datë 31.01.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit të sigurisë publike’, fillimisht në datë 15.09.2020, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesë ku kërkonte sekuestrimin e pasurive të subjektit të aktit normativ Gazmend Mahmutaj (alias Eduarto Toska) dhe familjarëve të tij”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Pasuria e sekuestruar:

Pasuria nr.13/355, vol. 16, fq. 182, e llojit “Truall”, me sipërfaqe totale 147.00 m2, ZK 8501, Bashkia Berat, me dosje nr.1745 datë 06.11.2006, në emër të shtetasve Kasëm Mahmutaj dhe Behar Mahmutaj.

Pasuria nr.13/356, vol. 16, fq. 183, e llojit “Pallat”, me sipërfaqe totale 88.00 m2, ZK 8501, Bashkia Berat, me dosje nr.1745 datë 06.11.2006, në emër të shtetasve Kasëm Mahmutaj dhe Behar Mahmutaj.

Pasuria nr.13/241+1-5, vol. 2, fq. 114, e llojit “Apartament”, me sipërfaqe totale 41.40 m2, ZK 8501, Bashkia Berat, rruga: “Dëshmorët e Kombit”, me dosje nr.720 datë 29.12.2016, në bashkëpronësi të shtetasve Liri Mahmutaj dhe Kasëm Mahmutaj.

Pasuria nr.13/356+1-2, vol. 16, fq. 185, e llojit “Apartament”, me sipërfaqe totale 106 m2, ZK 8501, Bashkia Berat, në pronësi të shtetasit Kasëm Mahmutaj.

Pasuria nr.27/209, vol. 14, fq.132, e llojit “Truall”, me sipërfaqe totale 129.70 m2, ZK 8502, Bashkia Berat, në pronësi të Kasëm Mahmutaj.

Pasuria nr.44/ e llojit “Arë”, me sipërfaqe totale 1.000 m2, ZK 2848, Bashkia Olltak, Berat, në pronësi të shtetasit Kasëm Mahmutaj.

Pasuria e shtetasit Behar Bajram Mahmutaj, në proces legalizimi me regjistër i deklaratave nr.Prot.721, datë 29.12.2016, Berat.

Pasuria e shtetasit Kasëm Bajram Mahmutaj, në proces legalizimi me formular para vitit 1993, nr.Prot.197, Berat.

Pasuri e shtetasit Kasëm Mahmutaj në qytetin e Tiranës, e përfituar me kontratën e porosisë të datës 25.06.2016, ku shtetasi Kasëm Mahmutaj, me aktin noterial nr.2332 Rep., nr.1021 Kol. Albana Mahmutaj ka bërë porosinë e një apartamenti me sip.124,9 (njëqind e njëzet e katër presje 9) m2, sipërfaqe e përbashkët 17.2 (shtatëmbëdhjetë presje dy) m2, me një çmimin të përcaktuar midis palëve 54.000 (pesëdhjetë e katër mijë) euro, te Shoqëria Ndërtuese Investuese “TEXNOKAT” sh.p.k., përfaqësuar nga administratori Luan Bogdani, Tiranë.

Automjet me targë AA389BK, i markës “SSANGYONG”, viti i prodhimit 1956, tip kamionçinë, me nr. shasie KPTC0B1KS7P028674, në pronësi të shtetasit Kasëm Bajram Mahmutaj.

Automjeti i llojit autoveturë, me targë AA390BK, i markës “Kia”, me nr. shasie KNEBA24338T624708, në pronësi të shtetasit Kasëm Mahmutaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

six − 3 =