BB: Inflacioni 5% në 2022, rritje e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë

Lufta në Ukrainë është tronditëse për Ballkanin Perëndimor, përmes çmimeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve, por edhe përmes ndërprerjes së flukseve tregtare dhe investimeve, duke vënë në rrezik rimëkëmbjen e rajonit.

Kështu konstaton Banka Botërore, ndërsa bën një analizë të situatës ekonomike në Shqipëri. Sipas BB, Pasiguria në lidhje me luftën po ndikon në stabilitetin e çmimeve dhe rritjen ekonomike, ritmi i së cilës pritet të ngadalësohet në 3.2 për qind në vitin 2022.

Banka thekson se inflacioni i çmimeve të konsumit arriti në 3.7 për qind në janar 2022. Çmimet e ushqimeve u rritën me 6.8 për qind në muajin dhjetor të vitit 2021, afërsisht sa dyfishi i rritjes së shportës së përgjithshme.

Kjo do të prekë pjesën më të madhe të familjeve në vend pasi shpenzimet për ushqim përbëjnë më shumë se gjysmën e totalit për konsum për një familje të mesme, sipas BB.

Detyrimet e kushtëzuara të ndërmarrjeve shtetërore përbëjnë burim rreziku për buxhetin e shtetit, thotë Banka. Gjithashtu shton se kriza në Ukrainë, në rast se zgjat, mund të ndikojë në ekonominë shqiptare.

Çmimet e larta të mallrave, veçanërisht të naftës dhe drithërave, pritet të jenë në shënjestër të goditjes. Në përgjithësi, lidhjet e drejtpërdrejta të tregtisë, remitancave me Rusinë dhe Ukrainën janë të vogla, dhe përbëjnë më pak se 3 për qind të totalit.

Çmimet e larta të energjisë pritet të çojnë në rritje të çmimeve të transportit dhe të shkaktojnë shtrenjtim të mëtejshëm të produkteve të shportës. Inflacioni pritet të përshpejtohet në rreth 5 për qind në vitin 2022, ndërsa parashikimi para nisjes së luftës ishte 3 për qind.

Me rritjen e kostove të importit, deficiti i llogarisë korente ka të ngjarë të rritet në 9.6 për qind të PBB-së. Duke qenë se çmimet e larta ndikojnë në rënien e fuqisë blerëse të familjeve dhe rritjen e kostove për bizneset, edhe parashikimet për rritjen ekonomike janë gjithashtu më të ulëta.

Nëse rritja e çmimeve të energjisë reflektohet në rritje të çmimeve të importit të energjisë elektrike, kjo goditje mund të përkeqësojë situatën financiare të ndërmarrjeve shtetërore të energjisë elektrike. Kjo mund të rrisë rreziqet fiskale nga këto ndërmarrje. Borxhi publik pritet të stabilizohet në 73.9 për qind të PBB-së në vitin 2022, përpara se të ulet gradualisht në periudhë afatmesme.

Megjithatë, hapësira fiskale mund të përkeqësohet akoma më shumë sipas një skenari negativ, ku lufta vazhdon për një periudhë të zgjatur duke çuar në ngadalësim të mëtejshëm të rritjes ekonomike të BE-së dhe si rrjedhojë në rënie të eksporteve shqiptare drejt partnerëve më të rëndësishëm tregtarë në BE që përbëjnë 60 për qind të eksporteve të saj.

Në këtë rast, qeverisë mund t’i duhet të shkurtojë shpenzimet kapitale për të parandaluar një rritje të raportit të borxhit ndaj PBB-së. Për më tepër, duke qenë se Shqipëria po mbështetet gjithnjë e më shumë në burimet e jashtme të financimit, rreziqet e kursit të këmbimit, normës së interesit dhe rifinancimit mbeten të larta.

Dokumenta bashkëngjitur

Leave a Reply

Your email address will not be published.

twelve − twelve =