Tre dështimet e amerikanëve me Sali Berishën

Nga Skënder Minxhozi/

Kanë dështuar ta bindin që e kanë seriozisht skedimin e tij non grata. Kanë dështuar ta bindin që nuk janë “shegertë” të Xhorxh Sorosit. Kanë dështuar ta bindin se qëndrimi ndaj tij përbën një pozicion unik dhe të dakordësuar të të gjitha hallkave dhe niveleve të administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Këto janë dështimet e amerikanëve me Sali Berishën në tre fjali. Vetëm se tre frazat e mësipërme kanë nevojë për një asteriks të vogël në fund: Në fakt Amerika nuk ka dështuar në thelb ta bindë vetë Berishën se e ka seriozisht kur e fut në listë të zezë, apo se ambasadorja Kim në Tiranë përfaqëson pozicionin zyrtar të Uashingtonit, e jo një lajthitje pranverore të një diplomateje amatore.

Dështimi i vërtetë amerikan me të djathtën opozitare të Foltores, është se ajo e ka bindur totalisht shefin e saj se shpallja non grata nuk është një rrufë dimri që kalon me një çaj, por ka dështuar ta ndajë votuesin fanatik demokrat dhe grigjën e opozitarëve të fortë nga ky zhvillim në thelb çlirues për PD dhe të ardhmen e saj si forcë politike. Dhe 6 marsi na tha se ky grupim nuk i paktë në numër brenda PD-së së sotme. Berisha e di sa seriozisht e kanë matanë Atlantikut, por “demokratët e Mamurrasit” e dinë ndryshe!

Nga e gjithë ajo masë laramane që sot lufton të rimarrë PD, pasi përdori shkallët e zjarrfikëseve në 8 janar, i vetmi që i ka të qarta gjërat në lidhje me amerikanët është Sali Berisha. Të tjerët duken të topitur realisht nga rikthimi i frymës radikale e mitingjeve plot piskama të Doktorit, ose janë thjesht të kënaqur që më në fund hoqën qafe Lulzim Bashën.

Shakaxhinjtë në lagjen e zhurmshme të Foltores kanë publikuar këto ditë një peticion online për të goditur ambasadoren Juri Kim. Rrjeti social është, dihet, një pazar pa inventar dhe pa filtra, kësisoj kushdo mund ta shpalosë aty i papenguar ethen a marrëzinë e tij kundër Amerikës dhe njerëzve të saj në Shqipëri. Kjo ethe kolektive ka bërë që shumë prej iniciatorëve të atij peticioni qesharak ta shpjegojnë arsyen e nismës së tyre nëpër media me arsyetime të tipit “Biden është i korruptuar, dmth jo ai por djali i tij ka dosje në Ukrainë, Departamentin e kontrollon Soros, po jo atë pjesë të godinës që harton raportet për Shqipërinë duke i rënë Ramës sa i ha krahu, Kim është vegël e kryeministrit, por bën teatër kur gëzohet e nxit SPAK që të fusë në burg Bllakon e Kokën, sa të vijë Trumpi do e shihni, megjithëse burrë i keq është dhe ai se i doli krah Ramës për Çadrën dhe mandatet dhe deshi të ndryshonte kufinjtë mes Kosovës e Serbisë etjetj”.

Përdredhjet logjike të këtij soji opozitarësh do ta konkuronin më së miri frazën e famshme të Don Kishotit të Servantesit “Arsyeja e mosarsyes, që i bëhet arsyes sime, ma dobëson aq shumë arsyen, sa me arsye vajtoj për bukurinë tënde.” Por nuk është këtu problemi i vërtetë i opozitës që identifikohet brenda strehës së Foltores.

Për të ardhur tek titulli i shkrimit, ky disponim negativ i këtij grupi shumëngjyrësh është në fakt një dështim real i Amerikës në Shqipëri. I cili qëndron tek fakti se sot partia më e madhe e opozitës ra në dorë të një reparti inatçor personash të kryesuar nga një hallexhi i vjetër i politikës shqiptare, të cilët recitojnë nga mëngjesi në darkë se Juri Kim flet nga xhepi, ose sipas recetave që i fut në xhep Elisa Spiropali, se Biden e Blinken janë kamarierë të plakut Soros dhe se problemi i Doktorit do të rregullohet për punë javësh nga gjykata e Parisit!

Krijimi i një mase kritike brenda opozitës, e cila është antiamerikane në thelb (kryesisht për inat të Edi Ramës), shënon një prapakthehu jo të vogël në nivelin e mbështetjes që Amerika ka në Shqipëri, në imazhin dhe përkrahjen historike që ajo ka mes shqiptarëve. Ky përjetim thellësisht partizan dhe emotiv i kësaj pjese të opozitës shqiptare, e shtyn militantin e sotëm të PD në skutat më të thella të këtij vendi të urrejë thellësisht (dhe sinqerisht) edhe persona të cilët si ka njohur e dëgjuar kurrë në jetën e vet, si fjala vjen Blinken e Soros.

Në kushte të tjera fenomeni në fjalë do të kishte nota të hareshme humori e shakaje, sikur ky disponim i heshtur antiamerikan të mos vendosej në një kontekst shumë të turbullt brenda e jashtë Shqipërisë. Kauza private e një politikani të vjetër ka qenë vetëm origjina ose shkëndija e mllefit të maisur ngadalë brenda të djathtës shqiptare, për qëndrimin amerikan të dekadës së fundit, që nis me reformën në drejtësi, vazhdon me Çadrën e mbaron me djegien e mandateve e zgjedhjet e bojkotuara lokale e 25 prillin e vitit të shkuar.

Berisha ka ndezur qiririn e tij në këtë magazinë me arka baruti dhe rrezikon ta çojë në kurs të plotë përplasjeje opozitën me SHBA në muajt e ardhshëm, nëse do të marrë realisht pushtetin që po përgatit. E ky realitet i ri politik, zanafillën reale e ka tek akti i shpalljes non grata të Berishës në 19 maj të vitit të shkuar. Antiamerikanizëm tribal dhe i verbër, i vënë në lëvizje nga interesa private të një njeriu. Gjithsesi antiamerikanizëm i ngritur mbi tre “mosarsyet” e mësipërme dhe në shtratin e një mërie të verbër e të vjetër, që përbën realisht një dështim sot e gjithë ditën.

abcnews.al

Leave a Reply

Your email address will not be published.

fourteen − 7 =