“Rikthim” është ekspozita që u hap në Galerinë e Artit Tiranë, me punime të artistit Duli Caja (Avdul Çala). Punime të realizuara me mbetje rrobaqepësie, kopsa, paramanda, stof, zinxhir dhe monedha. Punimet e ndryshme paraqesin të gjitha fazat e jetës së tij, historinë e emigrantëve ndër vite dhe vështirësitë që kanë kaluar. Dr. Abaz Hado drejtor i Galerisë së Artit Tiranë shprehet se artisti, i cili ka emigruar vite më parë u rikthye për të ekspozuar veprat e tij. “Titulli që i vumë ekspozitës si galeri ishte “Rikthim”, sepse ky tirans i vjetër ka emigruar 30 vite më parë dhe rikthehet pasi e ka gjetur veten si refugjat duke u punësuar në Romë, jo si një njeri që ka ikur, por rikthehet me idenë që jo vetëm të ekspozojë veprën e vet, por dhe të qëndrojë në Shqipëri”, tregon dr. Hado. Duke folur rreth ekspozitës dr. Hado shton më tej se me punët e tij krijon një atmosferë të veçantë. “Veprat e tij kanë impakt tek publiku dhe krijon atmosferë interesante piktorike”, tregon dr. Hado. Artisti, i cili ka sjellë mbi 40 punime, të cilat paraqesin të gjitha fazat e jetës së tij, një prej tyre është edhe eksodi i shqiptarëve në Itali. Punim, i cili mbart dhe një peshë të madhe emocionale. Artisti Duli Caja tregon se punët janë me materiale që i ka çdo ditë në dorë, siç janë kopsat. “Kopsat unë i shoh si njerëzit edhe kjo ide më lindi nga ajo foto historike eksodi i shqiptarëve. Ato grumbuj njerëzish si shihja si kopsa kur unë i hap në tavolinë”, thotë ai. Për Duli Cajën çdo vepër në këtë ekspozitë ka edhe një mesazh. “Të gjitha këto që ne i përjetojmë që nga lindja deri në vdekje, luftërat dashurinë, miqësinë, vëllazërinë, filozofinë e jetës duke futur brenda edhe dhimbjen dhe gëzimin”, thotë ai. Ekspozita do të qëndrojë deri më datë 12 në GAT.
Aktiviteti dhe vlerësimet.
Pasioni dhe dëshira për artin ka nisur që në fëmijërinë e tij teksa pikturonte, krijonte ,qepte dhe shkruante. Duli ka punuar në fabrikë si tornitor për disa vite dhe më pas ka filluar të punojë si rrobaqepës në shtëpinë e tij. Në vitin 1991 si shumë bashkatdhetarë të tjerë ka emigruar në Itali dhe ne vitin 2001 ka mundur të realizojë hapjen e një dyqani rrobaqepësie në Romë. Shkrimet e tij kanë qenë që në fëmijëri por në vitin 2011 ka botuar librin e parë me poezi “Ethet e Tokës” dhe në vitin 2019 librin e tij te dytë “…ndër Yje”. Një ndër veprat e tij është ekspozuar në komunën e Barit, ku paraqet një fustan i cili nëpërmjet kopsave me ngjyra në pjesën e sipërme shpalos entuziazmin e emigrantëve dhe dëshirën për një jetë më të mirë që kishin ëndërruar, dhe në pjesën e poshtme ngjyrat e kopsave fillojnë të errësohen, pasi pasqyrojnë vështirësitë dhe realitetin që përjetonin emigrantët. Gazetat e Italisë kanë shkruar artikuj për veprat dhe punimet e artistit shqiptar. Ka marrë pjesë me veprat e tij në muzeun “Maxxi” në Romë dhe Castelo SVEVO në Bari. Në një pjesëmarrje në ekspozitë të artit kontemporan në Padova është vlerësuar me një çmim me punën e tij artistike të titulluar “Dhimbja”.