Duke filluar nga data 1 Prill, vizat amerikane për qëllime turistike apo biznesi do të kenë një afat 10-vjeçar nga 3 që kishin deri tani.
Zv.konsullja e SHBA-së në Tiranë, Krystal Overmyer, ka shpjeguar për Klan News, procedurat që duhet të ndiqen për të kryer rinovimin e vizës.
“Programi i rinovimit të vizave vlen edhe për udhëtarët që kanë pasur më parë një vizë amerikane që ka skaduar në 48 muajt e fundit. Ata mund të kenë të drejtë të rinovojnë vlefshmërinë e vizës së tyre pa ardhur në ambasadë për të kryer një intervistë personale”, tha Overmyer.
Overmyer tha se kohëzgjatja e qëndrimit të shtetasve nuk përcaktohet nga afati 10 vjeçar, por nga Departamenti i Shtetit. Sipas zv.konsulles, afati 10 vjeçar nuk nënkupton që një shtetas të qëndrojë në SHBA për 10 vite, por mund të udhëtojë drejt SHBA-së për 10 vite.
“Është e rëndësishme që të kuptohet se edhe pse viza turistike do të jetë e vlefshme për dhjetë vjet, kjo nuk do të thotë që ju mund të qëndroni në SHBA për dhjetë vjet. Kjo nga ana tjetër do të thotë që udhëtarët mund të udhëtojnë në SHBA gjatë kohëzgjatjes dhjetë vjet. Kohëzgjatja e qëndrimit në Shtetet e Bashkuara përcaktohet nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare në kohën kur shtetasi hyn në Shtetet e Bashkuara. Periudha maksimale e qëndrimit në rastin e vizave turistike është gjashtë muaj por mund të jetë edhe më pak. Është gjithashtu e rëndësishme të mbani mend se këto ndryshime në vizat e biznesit dhe turistike i referohen aktiviteteve të caktuara në SHBA, të tilla si vizita tek familjarët dhe miqtë, pjesëmarrja në takime biznesi, turizmi, pjesëmarrja në një konferencë ose aktivitet. Nëse dëshironi të punoni ose të qëndroni përgjithmonë në SHBA, ne kemi kategori të tjera vizash për këtë lloj qëllimi udhëtimi. Ne kemi shumë informacion në faqen tonë zyrtare për kategoritë e tjera të aplikimeve për viza”, shtoi zv.konsullja amerikane.