SPAK i ka drejtuar Kuvendit kërkesë për të lejuar arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako, si të përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit.
Nesër do të mblidhet Komisioni i Mandateve për të vendosur nëse do të lejojë organet të zbatojnë urdhër-arrestin.
Së pari, Kodi Zgjedhor parashikon se në momentin kur një deputet ose anëtar ndërpret mandatin, atëherë ky i fundit i kalon kandidatit që vijon në listën e së njëjtës parti në zonën zgjedhore përkatëse.
“Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse, përveçse kur plotësimi i vakancës me kandidatin e radhës ul përfaqësimin e gjinisë së nënpërfaqësuar. Në këtë rast plotësimi i vakancës bëhet nga kandidati i parë në listë i gjinisë së nënpërfaqësuar pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk zbatohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar”, thuhet në Kodin Zgjedhor.
Në bazë të votave të grumbulluara nga zgjedhjet e 25 Prillit, pas Bllakos, mandati i deputetit i kalon Pandeli Majkos i cili grumbulloi 8.780 vota duke mos thyer dot herësin zgjedhor. Majko mbeti jashtë listave të Ramës.
Arrestimi i Alqi Bllakos do t’i hapte rrugë Pandeli Majkos për të marrë mandatin e deputetit, e për të zënë vendin e Bllakos në Kuvend.