Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar pas arrestimit të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të përfshirë në aferën e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit.
Në një deklaratë për mediet Tabaku tha se zhvillimi i sotëm nga SPAK është shpresëdhënës, por i pamjaftueshëm. Në cilësinë edhe të kryetares së Komisionit Hetimor të Inceneratorëve, Tabaku tha se SPAK duhet të lëvizë te personat e qeverisë.
Tabaku theksoi se nuk mund të quhet një fitore, për aq kohë sa personat me fuqi dhe përgjegjësi politike, nuk janë para drejtësisë.
“Zhvillimi i sotëm është shpresëdhënës, është për tu përshëndetur por nuk është hap i mjaftueshëm.
Shqiptarët presin që SPAK të tregojë guxim dhe të reagojë edhe ndaj njerëzve me pushtet. Në njoftimin që sapo mora nga SPAK arrij të dalloj që janë çuar në hetim disa persona.
Ne gjykojmë që Elbasani, Fieri dhe Tirana duhet të trajtohen së bashku sepse asnjë individ nuk ka operuar vetëm, por kanë marrë vendime të përbashkëta. Sa i përket njoftimit të SPAK për kërkesën për arrestim të zotit Alqi Bllako. Kërkesa jonë për të trajtuar inceneratorët në një çështje është se individët i kanë marrë vendimet bashkë.
SPAK duhet të lëvizë dhe tek personat me imunitet politik dhe me imunitet në parlament. Sigurisht që është një zhvillim pozitiv dhe për tu përshëndetur, por askush nuk mund të deklarojë fitore përsa personat me përgjegjësi politike nuk ndodhen para drejtësisë. E kam bërë thirrje në mënyrë të përsëritur”, tha Tabaku.