Notice: Trying to get property 'post_excerpt' of non-object in /var/www/html/wp-content/themes/sahifa/framework/parts/post-head.php on line 73

Julian Kazazi: Institucionet e artit në ngërç administrativ

Institucionet e artit dhe kulturës në ngërç administrativ, letra për problemet nga sindikata e artistëve herë pas here janë dërguar në Ministri të Kulturës, por përgjigje zyrtare për tu ulur dhe biseduar për kërkesat e artistëve nuk ka pasur. Kjo bëhet me dije nga artisti Julian Kazazi kryetar i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Tiranës, si dhe komanduar sekretar i përgjithshëm i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë. Në një reagim për gazetën, Kazazi thotë se që nga letra me kërkesa dërguar në Ministri të Kulturës më datë 12 tetor të vitit të kaluar dhe deri tek e fundit më datë 17 mars të këtij viti nuk është zhvilluar takim për të diskutuar problemet, që shqetësojnë artistët. “Letra e fundit ka qenë më 17 mars drejtuar ministres së Kulturës Elva Margariti, ku i rikujtojmë përsëri kërkesën e datës 12.10. 2021 për takimin me kryesinë e sindikatës së artistëve dhe ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Që nga 12 tetori e deri tani nuk është bërë takim, por dhe as nuk është mundësuar një takim. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje zyrtare”, thotë Kazazi. Artisti Julian Kazazi ndër të tjera thotë se ministrisë i janë drejtuar dhe për institucionet e artit dhe kulturës, ku sipas tij duhet të hapen konkurset për titullarët siç e parashikon ligji.“I jemi drejtuar ministrisë në lidhje me institucionet e artit dhe kulturës, që kanë një ngërç administrativ dhe ministria të përshpejtojë me procedurat e hapjes së konkurseve për titullarët, duke filluar që nga Cirku, GKA, AQSHF, që ende nuk kanë titullar. Në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor dhe në Muzeun Historik Kombëtar titullarëve iu ka mbaruar mandati, por muajin që vjen mbaron mandati dhe i drejtorit të Teatrit Kombëtar”, thotë Kazazi.

Problemet vazhdojnë

Në reagimin e tij Julian Kazazi bën me dije se në kërkesat që i janë drejtuar Ministrisë së Kulturës është dhe rritja e pagave për artistët si dhe problemet me aktivitetin e Cirkut Kombëtar. “Te letra e fundit në Ministrinë e Kulturës, te kërkesat kemi kërkuar çfarë po ndodh me pronën ku flitet për Cirkun Kombëtar, që do të transferohet diku tjetër. A do fillojë plani tranzitor që kemi kërkuar ne për aktivitete social- kulturore në shkolla të Tiranës, në sheshe të ndryshme brenda Tiranës, por dhe jashtë saj? Një tjetër është dhe rrija e pagave, u bënë mbi 10 vite që nuk ka pasur rritje”, thotë ai, duke shtuar se një kërkesë është dhe për një ligj të ri arti. Duke folur për problemet në institucionet e artit dhe kërkesat e artistëve, Julian Kazazi thotë se po vazhdon e njëjta situatë problematike. Ai shprehet dhe për Teatrin e Kukullave, që thotë se do të zhvendoset nga godina, pasi do të jetë në restaurim. “Jemi para një fakti që institucioni i Teatrit të Kukullave zhvendoset nga ambientet ku janë aktualisht dhe për ta do jetë lëvizje, e cila disa punonjës do të shkojnë në ambientet ministrisë. Jo zyrtarisht dëgjova, që aktivitetin do ta vazhdojnë tek salla e Akademisë së Arteve, që besoj nuk i përmbush kërkesat për teatrin e kukullave”, thotë ai. Përballë mungesës së përgjigjes nga Ministria e Kulturës për tu ulur në takim me kryesinë e sindikatës për problemet, Julian Kazazi thotë se janë në një fazë riorganizimi me sindikatën dhe do të ketë dhe një takim javën që vjen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

sixteen + 7 =